Agim Bajko: Si na kërcënuan mua dhe Koço Devolen se do “na merrnin shpirtin…”

Koço Devole

Një artist fin, më i kompletuari i plejadës së tij e më vonë, thotë një tjetër aktor i rrallë i humorit, Agim Bajko, i cili ndan me ne vite bashkëpunimi dhe prapaskena të një pune krijuese shumëvjeçare me Koço Devolen.

Teksa vlerëson nivelin e lartë të interpretimit të Koço Devoles. Ai tregon për ato vite kur jepnin 270 shfaqje në vit dhe humori ishte larg banalitetit të krijimtarisë “fast food”, siç e quan ai.

Bajko tregoi, kohë më parë, për vitet e vështira kur u krijua telefilmi “Gjuetia e fundit” dhe kërcënimet e marra nga njerëz që ende nuk e pranonin se diktatura kishte rënë dhe askush nuk mund të ndalonte askënd të bënte humor me ish-udhëheqësin.

Është e vështirë të flasësh për ikjen e një miku, e megjithatë, ju keni bashkëpunuar shumë së bashku, si i kujtoni ato vite?

-Po, e vërtetë, kemi kaluar shumë kohë bashkë, flas për kohën përpara viteve ’97, pasi më tej rrugët e secilit prej nesh u ndanë. “Ai u largua për në Amerikë dhe e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Ne kemi punuar bashkë në trupën e Varietesë së Tiranës. Jepnim 270 faqe në vit, pra praktikisht ne ishim çdo natë në shfaqje dhe më shumë rrinim me kolegët se sa me familjarët tanë. Kanë qenë vite të një pune të jashtëzakonshme. Ne punonim një muaj deri në një muaj e gjysmë për një shfaqje dhe atë e çonim në të gjithë Shqipërinë, por edhe në turne jashtë vendit, si në Zvicër, Maqedoni etj.

Ndërsa sot kohët kanë ndryshuar. Ka ndryshuar dhe mënyra e të bërit humor. “Sot është një krijimtari “fast food-i”, e cila nuk lë pas asgjë. E aq me tepër që artisti i vërtetë është shumë pak i vlerësuar. Dhe kjo ishte një fatkeqësi e madhe edhe për vetë Koço Devolen, për humoristin më elegant në gjithë plejadën e tij, por edhe më vonë.

Çfarë e karakterizonte artin e tij?

-Koço ishte një nga aktorët kryesorë në Variete, por shkruante dhe pjesën më të madhe të skeçeve. Ishte aktor dhe shkrimtar kërkues. Po ashtu, ishte një nga themeluesit e revistës “Hosteni” dhe karikaturat e tij, të një niveli të lartë artistik, ashtu si dhe Kapexhiu, ishin të përhershme në këtë revistë.

Aty krijoi edhe miqësinë e tij të ngushtë me Filip Çakulin, me të cilin deri në fund të jetës së tij bënin humor të zi mbi jetën dhe vdekjen. Për një farë kohe Koço punoi në redaksinë e kulturës, në Televizionin Shqiptar, ku ishte përgjegjës për spektaklet e mëdha, për programet e Vitit të Ri.

Ishte një krijues prodhimtar, i jashtëzakonshëm, një aktor me shumë shije dhe mund të them se pjesët më të bukura i kemi realizuar me të.

Çfarë e shquante nga kolegët e tjerë?

Koço e kishte gjithçka të qartë në atë që bënte. Ai kishte mënyrën e tij të vetën në perceptimin e personazheve, të fabulës. Nëse i pëlqente diçka ai vinte dhe na sillte një skeç, që do të ishte brumi i veprës dhe pastaj na jepte mundësinë që ne ta mbushnim nga ana artistike.

Ishte kërkues, “të binte kokës”. Punonte shumë në ndërtimin e figurës artistike, larg banalitetit dhe vulgut; nuk lejonte të shtoje tekst nga vetja, por vetëm ta pasuroje nga ana artistike. Pra e kishte shumë të mprehtë sensin regjisorial dhe mund të them se ishte artisti më i kompletuar i humorit.

Ju keni realizuar shumë shfaqje së bashku, por “Gjuetia e fundit” do të mbetet për shumë breza, si e kujtoni atë kohë?

-Është e vërtetë që kemi punuar gjatë bashkë. Veç të hënave, jepnim shfaqje çdo ditë, përpara një publiku që mbushte plot një sallë prej 700 vendesh. “Teatri i Varietesë ishte i vetmi vend që u jepte njerëzve pak gëzim, por me të vërtetë “Gjuetia e fundit” është një perlë e humorit shqiptar, që ne e kemi realizuar në një kohë të vështirë. Ishte viti 1992 dhe duhet thënë që nuk ka qenë e thjeshtë.

Në fillim ne e përgatitëm për në skenë. Ishte një pjesë prej 10 minutash, të cilën ai e pasuroi dhe e shndërroi në një telefilm, edhe në bashkëpunim me Pali Kuken. Por nuk mund të thuash se e kaluam pa problem.

“Kemi marrë kërcënime deri edhe me humbje jete nga njerëz me një mentalitet të bunkerizuar. Sidomos Vasillaq Vangjeli, që luante rolin e udhëheqësit, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm e po kështu edhe Koço, që luante Sillon.

Një herë u ndodhi që gjatë një darke miqësore, hyjnë brenda në dhomë njerëz të maskuar me automatikë me plumba manovre, që shtinin në ajër. Ishte një shaka nga ana e organizatorëve të darkës, por tmerri kishte qenë aq i madh, saqë qe e pamundur të vijonin darkën… “

Frika ishte aq e pranishme saqë edhe një shaka përjetohej si e vërtetë. Megjithatë, për t’u kthyer te vepra, ajo pati sukses sepse në të përmblidhet filozofia e 40 viteve të një sistemi të tmerrshëm; Sintetizimi i një periudhe tejet të vështirë që kanë kaluar shqiptarët dhe kjo bëhej me një humor aq fin, ku nuk ka asgjë banale.

Sa herë që e sheh, aq herë qesh me të. Në çdo fjalë ka një batutë dhe ti qesh mbi një temë shumë serioze, siç ishte diktatura, që qe ende shumë e freskët. Ndërsa tani humori i “fast food-eve” ka vetëm një qëllim: klikimet./revista-ai.com

————————-

Lexo edhe:

RRËQETHËSE: MURAT BASHA ME 12 BURRA KËNDUAN HIMNIN KOMBËTAR PARA SE TË EKZEKUTOHESHIN

ObserverKult