Agim Gjakova: Shokët që kisha ndihmuar më spiunuan

Për një kohë shumë të gjatë, Agim Gjakova ka qenë mbrojtës i lirisë së fjalës. Në vitet ’50, ai konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë dhe deklaratat e tij të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës çuan në internimin e tij në kampin e Gerovos në Kroaci.
Në maj të vitit 1960, Gjakova u lirua nga internimi dhe u arratis në Shqipëri.2 vite më vonë, ai dhe 20 kosovarë të tjerë u lejuan të studionin në Universitetin e Tiranës.

Duke qenë poliglot dhe folës i rrjedhshëm i anglishtes, shqipes dhe frëngjishtes, atij iu ofrua pozicioni i drejtorit të Agjencisë Sinuam, pjesë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ai kishte 3 nëpunës, roli i të cilëve ishte që të mblidhnin raportet e përditshme nga Kina, gjatë Revolucionit Kulturor.

Në një intervistë për gazetari franko-shqiptar Selam Hajrizi për projektin e Autoritetit të Dosjeve “Edhe Muret Kanë Vesh”, Gjakova thotë se pas 3 vitesh e gjysmë, ndërveprimet u bënë pothuajse joekzistente, ndërkohë që sensi i tij i humorit dhe pushimet e shpeshta për kafe filluan të bëheshin problem. Për më tepër, ai nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Ishte pikërisht në këtë kohë që mbikëqyrja ndaj Agimit filloi të intensifikohej dhe arriti kulmin e saj gjatë viteve 1969-1971, kur shkrimtari publikoi vetë një koleksion poezish, të cilat ishin frymëzuar nga politika e kohës.

Libri shkaktoi turbullira brenda Partisë. Agim u akuzua nga Lidhja e Shkrimtarëve në Shqipëri për 5 shprehje serioze kundër ideologjisë së PPSH-së. Kur i shkroi një letër drejtuesit të Sigurimit të Shtetit për t’i shprehur shqetësimet e tij, u qortua akoma më shumë për 7 raste të tjera, po ashtu, u rrit niveli i kërcënimeve për burgim dhe internim të familjes së tij.
Sot Agimi reflekton për të shkuarën e tij, duke thënë se ai dhe familja e tij paguan një çmim të madh psikologjik, duke qenë në vëzhgim të vazhdueshëm të syve të shumtë të shtetit.

RRËFIMI
Ai i ka rrëfyer në vetë të parë ato që përjetoi gjatë komunizmit në Shqipëri.
Sipas tij: “Një ditë po lexoja gazetën “Drita” dhe gruaja ime po priste bukën, por nuk vazhdonte dot, sepse po qante.
Më tha se kishin arrestuar disa kosovarë. Më tha që “nëse do të duhet të na arrestojnë, shpresoj të më arrestojnë mua si kosovare dhe jo ty, sepse ti je më i fuqishëm dhe mund të kujdesesh më mirë për fëmijët tanë.”
Ishin momente shumë të vështira. U përpoqa ta lehtësoj situatën me humor. Kishte gjithmonë provokime nga Sigurimi i Shtetit dhe spiunë të ndryshëm, – mes tyre edhe shokë të mitë, të cilët i kam ndihmuar; edhe ata po më spiunonin.
Takohesha me vëllezërit e mi kosovarë pa marrë leje nga Sigurimi – gjë e cila ishte e ndaluar, pasi duhet të merrje gjithmonë leje.
Kemi pasur shumë provokime nga spiunë të ndryshëm – edhe nga miqtë të mi që i kam ndihmuar, – por kështu janë ca njerëz, nuk ke çfarë t’i bësh.

I ashtuquajturi komunizëm i regjimit të Enver Hoxhës nuk ishte tamam komunist, se sa diktatorial.
Në fillim, ishte një iluzion që në Kosovë gjërat ishin më mirë për sa i përket persekutimeve dhe ekzekutimeve që ndodhnin këtu (në Kosovë) nga UDB (Policia e Shtetit) e Jugosllavisë. Por pasi u burgosa 3 herë dhe u gjenda në Shqipëri si person i padëshiruar, pashë disa gjëra që nuk shkonin, edhe këtu në Shqipëri.
Më akuzuan se isha kundër politikave partiake, kundër ideologjisë së Partisë, kundër realizmit socialist dhe që isha nxitës lufte. Po me kë doja të filloja luftë unë? Më thanë se doja të shkaktoja konflikt me Jugosllavinë. U thashë: “A jam kaq i fuqishëm unë sa të shkaktoj luftë midis dy vendeve?”. U thashë ta rimendonin këtë absurditet dhe nuk pranova asnjë nga akuzat.
Pastaj filloi izolimi dhe bojkotimi. Mbikëqyrja u përkeqësua.
U bë më vulgare, por unë vazhdova rrugën time. Pastaj kishte burgje të ndryshme. Morën njëherë një grua me 2 vajzat e vogla për shkak të burrit të saj që ishte burgosur, pasi e dënuan se ishte agjent – ai nuk i pranonte akuzat, pasi nuk ishte me të vërtetë agjent. I thoshin se do t’i shohësh gruan dhe vajzat gjallë – e më pas i vrisnin, psh., gjenin mënyra për t’i mbytur dhe për ta bërë të dukej si aksident. Ai thoshte: “Deri këtu keni arritur?” dhe ata i përgjigjeshin “Po”. I pyeste: “Çfarë doni që të firmos? Agjenti i kujt doni të jem, kujt duhet t’i shërbej? Do t’i firmos të gjitha.”

Përdornin këtë lloj presioni psikologjik që të arrinin objektivat e tyre dhe të krijonin armiq.
Sigurimi ishte aty që të krijonte armiq, jo që t’i gjente ata.
Më kanë mbikëqyrur për 30 vjet dhe kjo ishte e gjitha në mënyrë që të më shndërronin në armik, sepse nuk kishin asgjë tjetër kundër meje.
Diktatori donte të krijonte armiq vazhdimisht, që t’i bënte shembull për popullatën dhe t’i mbante në frikë dhe presion.
Mesazhi im është që duhet ta studiojmë historinë, që të mësojmë prej saj dhe që këto gjëra nuk duhen lejuar të përsëriten. Brezat e rinj duhet të mësojnë që mos të lejojnë përsëritjen e mizorive që u kryen në dëm te njerëzve që ishin të vetëdijshëm për sa ndodhte, të cilët janë të nderuar.”
Agim Gjakova lindi më 11 korrik 1935 në Gjakovë të Kosovës. Ai është autor i 32 librave, libri tij i fundit ‘Shtegtimi i Ëndrrës’ është botuar në 2019. Agimi është 84 vjeç dhe jeton në Prishtinë./gsh