Fragment nga libri i Agim Vincës “Ditari i pandemisë”
Ç’ËSHTË NJË LIBËR I MIRË?
E diel, 10 maj 2020
Ç’është një libër i mirë? – shtron pyetjen Zhan d’Ormesoni.
Libra të mirë janë ata që i ndryshojnë lexuesit e tyre. Modele: Bibla, Iliada dhe Odiseja, Kurani, Esetë e Montenjit, Sidi i Kornejit, Mendimet e Paskalit, Fabulat e La Fontenit, Berenisa e Rasinit, Fausti i Gëtes, Memoaret e përtejvarrit të Shatobrijanit, Kapitali i Marksit, Origjina e llojeve e Darvinit, Vëllezërit Karamazovë e Dostojevskit, Tri trajtesa mbi teorinë e seksualitetit e Frojdit, Ditari i Zhyl Rënarit, operetat e Ofenbahut, Fruta tokësore e Zhidit, Horaci, Omar Khajami, Rabëleja, Servantesi, Leopardi, Hajnrih Hajne, Oskar Uajldi, Konradi, Borhesi, Siorani…
Unë nuk e di nëse akëcili nga këta libra është i mirë dhe nëse ka arritur t‘i ndryshojë, sadopak, lexuesit e tjerë. Ata më kanë ndryshuar mua. Më kanë shëruar nga vuajtjet dhe gabimet. Më kanë dhuruar lumturi, besim dhe paqe. Ma kanë kthyer shpresën. (Jean d’Ormesson, C’est une chose étrange à la fin que le monde. Roman, Paris 2010, f. 279).
*
Në mbrëmje, emisioni “Vitrina e librit” në Top Channel, që e ndjek rregullisht, iu kushtua piktorit dhe arkitektit Maks Velo (1935- 2020), i cili këto ditë u nda nga jeta. U fol edhe për librin Kujtime nga Shqipëria. Një franceze në Shqipërinë e panjohur të albanologes Odilë Daniel: një histori dashurie e një shqiptari me një të huaj në Shqipërinë komuniste.
Autore e emisionit Monika Stafa. Mungoi rubrika “Librat më të shitur”. / ObserverKult
Lexo edhe: