Agim Vinca: E vlen të jetohet për të bukurën dhe të vërtetën

Agim Vinca

Intervistë me poetin dhe studiuesin e letërsisë shqipe, Agim Vinca

–  Profesor, jeni ndër të paktët intelektualë që keni dhënë dorëheqje nga posti qeveritar, sepse keni vërejtur se po cenohet interesi kombëtar! Nuk ishte rëndë heqja dorë nga kolltuku për ta ruajtur integritetin intelektual si dhe interesin nacional? Ky veprim juaji nuk është parë shpesh në botën politike shqiptare! Si ndodhi?

– Kur u çlirua Kosova, në qershor të vitit 1999, nja një muaj a dy pas, mua ma ngarkuan detyrën e zëvendësministrit të Arsimit dhe të Shkencës në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (QPK). Disa miq të mi të UÇK-së dhe të Konferencës së Rambujesë, pa më pyetur fare, më emërojnë në këtë post dhe njëri nga ata ma “kumtoi” vendimin një mbrëmje ndërsa po pija kafe në një nga lokalet e Prishtinës. Duke kaluar pranë tavolinës sime, më preku në sup dhe më tha: “Hej, shok, je emëruar zv.ministër i Arsimit! Prej të hënës dil në punë!”.  Isha me dy miq të mi (një veprimtar i diasporës, që kishte ardhur në Kosovë pas shumë vjet ekzili dhe një gazetare e njohur, korrepondente e njërës nga radiot e jashtme) dhe pasi u largua “kumtari” (ishte z. Mehmet Hajrizi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Përkohshme) ata më uruan, por unë u thashë: “Pritni pak, se nuk e di a të pranoj a jo?”. Të dy njëzëri, por edhe të tjerë më vonë, më thanë: “Momenti historik e kërkon”.

Kështu rezononim ne atëherë. Ishim entuziastë, por edhe jo sa duhet të vetëdijshëm se Kosova ishte protektorat dhe se Misioni i Kombeve të Bashkuara, i quajtur shkurt UNMIK, kishte ardhur ta qeveriste Kosovën deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar të saj.

Me insistimin e miqve dhe dakordimin e familjarëve e pranova detyrën e zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, natyrisht pa e ndërprerë punën në Fakultet, sepse për mua si njeri dhe intelektual profesioni është (ka qenë gjithmonë) më i rëndësishëm se funksioni. Funksionet janë të përkohshme, sot je nesër s’je, kurse profesioni është i përhershëm, prandaj ai do vënë në plan të parë dhe do ushtruar me përkushtim e përgjegjësi të lartë.

Shkoja për çdo ditë në mëngjes në zyrë dhe bashkë me kolegët e mi, bënim plane si ta nxirrnim arsimin shqip nga gjendja emergjente dhe si ta zhvillonim atë në të ardhmen. Ende e ruaj një fletore ku kam mbajtur shënime për të gjitha mbledhjet, angazhimet, përpjekjet, detyrat, takimet… Kështu deri në dhjetor 1999, kur u arrit marrëveshja ndërmjet UNMIK-ut dhe tri partive kryesore të Kosovës (LDK-së, PDK-së dhe LBD-së), për formimin e  strukturave të përbashkëta: departmenteve të para që ishin (sa më kujtohet): departamenti i ekonomisë, i drejtësisë, i pushtetit lokal, i arsimit (me shkencën) dhe i kulturës. Kjo ndodhi në kohën kur kryeadministrator i Kosovës ishte francezi Bernar Kushner (Bernard Kouchner). Këto departamente, që do të fillonin punën në fillim të vitit 2000, do të drejtoheshin nga dy drejtues: një vendor dhe një ndërkombëtar. Zyrtarisht unë isha “Cohed of Education”. U zgjata pak me këtë pyetje, por më rrëmbeu vala e kujtimeve…

–  Cilat qenë arsyet që ju dhatë dorëheqje?

–  I kam shpjeguar në fjalën që mbajta me atë rast (në maj të vitit 2000) në konferencë shtypi në dhjetë pika, me titull “Nuk dua të jem ministër kukull as dekor”. Këtë fjalë e pati publikuar shtypi i atëhershëm i Prishtinës, kurse unë vetë e kam përfshirë në librin “Arti i reagimit”, prandaj nuk e shoh të udhës ta përflas tani. Ne nuk kishim kompetenca; ishim të subordinuar, për të mos thënë dekor; fjalën e fundit e kishin ndërkombëtarët, të cilët nuk e njihnin sa duhet realitetin e Kosovës, as mentalitetin e njerëzve tanë, kurse vetë kishin, kush më shumë, kush më pak, një mentalitet neokolonial. U mundova dy-tre muaj ta ndryshoja mentalitetin e autoriteteve të UNMIK-ut, por pa sukses, prandaj vendosa ta lija “kolltukun” dhe të kthehesha te studentët në fakultet.

– U rritët dhe po plakeni në Prishtinë, por asnjëherë nuk e harruat Strugën tuaj, struganët, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Kurrë nuk reshtët së shprehuri brengën kombëtare për statusin dhe situatat politike nëpër të cilën kaluan dhe po kalojnë këta shqiptarë! Natyrisht, pozita politike dhe shoqërore e sotme e shqiptarëve të Maqedonisë është e mirë, ndonëse lë shumë për të dëshiruar! Po kulturalisht? Ç’po ndodh me identitetin kulturor të këtyre shqiptarëve! Këta shqiptarë, a kanë nevojë për këshilla, qëndrime e për përkrahje akademike gjithëkombëtare?

–  Për të rritur jam rritur në vendlindje: në Veleshtë, ku kam lindur dhe e kam kryer shkollën fillore dhe në Strugë, ku kreva shkollën e mesme (gjimnazin) dhe pastaj erdha për studime në Prishtinë. Pas diplomimit (1970) u ktheva në vendlindje dhe punova një vit shkollor (1971/72) në Gjimnazin e Strugës si mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Ndërkohë qeshë zgjedhur, me konkurs, asistent i Historisë së letërsisë shqipe në Fakultetin (atëherë Filozofik, tani Filologjik) dhe, pas disa dilemash e hezitimesh, kryesisht për shkaqe familjare, erdha në Prishtinë dhe fillova punën në UP më 1 tetor 1972. Në këtë fakultet, ku do ta kryej edhe magjistraturën dhe doktoratën, do të punoj plot dyzet vjet, deri në pension, duke i kaluar pa kapërcime të gjitha gradat shkencore (nga magjistër te doktor i shkencave) dhe thirrjet akademike: nga asistent e ligjërues deri te docent e Profesor.

Po, është e vërtetë, ju keni të drejtë: po plakem në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës (dikur edhe të krejt shqiptarisë këndej kufirit), por vendlindjen, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, natyrisht nuk e kam harruar. E si mund të harrohet vendlindja? Kush ia kthen shpinën vendlindjes e mohon vetveten!

Lidhjet me vendlindjen? Krijimtaria ime poetike, siç pohon Robert Elsie, “mbështetet fort në truallin e vendlindjes e në vitet e fëmijërisë”, por në situatat nëpër të cilat kemi kaluar ne si komb, veçanërisht shqiptarët e Maqedonisë, kjo nuk mjaftonte. Prej meje si njeri i lindur dhe i rritur në këtë trevë dhe si intelektual shqiptar kërkohej diç më shumë. Kërkohej t’i dilja zot këtij populli, këtyre njerëzve, t’i mbroja nga shpifjet, akuzat dhe represioni i egër, veçanërisht në vitet ’80, por edhe ta elaboroja shkencërisht nga pikëpamja historike, kulturore dhe politike zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni si një segment i rëndësishëm i çështjes shqiptare në përgjithësi. Duke filluar nga viti 1986 e deri kur ra sistemi komunist dhe u legalizua pluralizmi politik, kam bërë shumë artikuj, letra, polemika e reagime, të cilat i kam botuar kryesisht në shtypin kroat (tek e përjavshmja “Danas”), sepse gazetat shqipe në Shkup dhe në Prishtinë nuk i botonin shkrimet e tilla. (Për ato në maqedonisht as që bëhej fjalë). Paraqitjet e tilla atëherë ishin të rralla, për të mos thënë se mungonin fare, sepse njerëzit frikësoheshin për fatin e tyre dhe të njerëzve të vet nga masat represive të pushtetit të atëhershëm, i cili nuk linte gjë pa bërë… Unë u shpalla “armik” dhe u bëra objekt i një fushate të egër, të paparë, që arriti deri aty sa edhe bashkëfshatarët e mi (kuptohet përfaqësuesit e organizatave shoqëroro-politike të fshatit, vegla qorre të pushtetit) u ngritën kundër meje. (“Ne i gëzojmë të gjitha të drejtat”, thuhej në letrën e shkruar nga Komiteti Komunal dhe të nënshkruar nga pesëshja analfabete). Në vitin 1992, këto shkrime, bashkë me disa të tjera, vështrime e trajtesa, i përmblodha në librin “Populli i pandalur”, por nuk pushova së marruni edhe më tutje me fatin dhe statusin për mua ende të pazgjidhur të shqiptarëve që jetojnë në shtetin që sot quhet “Maqedonia e Veriut”.     

E gjithë kjo kërkonte (dhe kërkon), natyrisht, pos guximit, edhe punë e energji, gjë që i faturohej punës sime krijuese, letrare e shkencore.

–  Krijuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm për artin, letërsinë, kulturën kombëtare! Ju nuk e fshihni pakënaqësinë tuaj prej akademiku për përpjekjet për ta relativizuar apo edhe heshtur këtë kontribut!

–  Letërsia shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut është pjesë integrale e letërsisë shqipe. Për shkak të rrethanave historike në të cilat ka jetuar dhe vazhdon të jetojë kombi shqiptar, letërsia shqipe krijohet në kontekste të ndryshme socio-kulturore, por ka një traditë të përbashkët letrare e kulturore dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë: në gjuhën shqipe.

Pas Tiranës dhe Prishtinës, Shkupi është qendra e tretë e kulturës shqiptare të kohës sonë, prandaj tendencat për t’i anashkaluar vlerat letrare dhe artistike të krijuara në këtë pjesë të hapësirës shqiptare, ngado që të vijnë ato, janë kundërkulturore dhe kundërkombëtare.

Para Luftës së Dytë Botërore flitej për Shkodrën, Korçën, Elbasanin, Vlorën dhe, natyrisht, edhe për Tiranën (pasi u bë kryeqytet) si qendra të kulturës shqiptare, kurse pas mbarimit të LDB-së, domethënë pas vitit 1945 dhe veçanërisht nga vitet ’60 e këndej, harta e vlerave letrare shqiptare ndryshon; faktor determinues i saj bëhet edhe Prishtina me tërë infrastrukturën e saj, botimet, shtypin, periodikun, mendimin kritik etj., pa harruar kurrsesi as Shkupin, ku trysnia ishte më e madhe dhe mundësitë më modeste.

Konsideroj se pak është hetuar (dhe shpjeguar) ky fakt në studimet tona historiko-letrare, sikurse edhe në trajtesat me karakter sociokulturor.

Jemi dëshmitarë të botimeve që letërsisë shqipe i qasen në mënyrë parciale: antologji, prezantime në gjuhë të huaja etj. Kjo dukuri, madje, për çudi, është më e theksuar në Tiranë. Dikur kolegët tanë nga Tirana ankoheshin se nuk i linte regjimi të interesoheshin për Kosovën dhe shqiptarët jashtë kufijve, po tani kush i pengon?

– Fatkeqësisht po, ashtu është. Letërsia shqipe këndej kufijve politikë të shtetit shqiptar, për shkaqe politike e ideologjike është zhvilluar një kohë të gjatë ndaras nga ajo që krijohej në Shqipëri. Kështu ka qenë plot njëzet vjet (1948-1968). Regjimi jugosllav ishte i interesuar të krijonte një entitet tjetër nga pjesa e kombit shqiptar e mbetur nën Jugosllavi, kurse Shqipëria socialiste, më shumë se për çështjen kombëtare, ishte e interesuar për “pastërtinë ideologjike”. Gjendja ndryshon, pak a shumë, në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë dhe përgjatë viteve shtatëdhjetë, kur rifillojnë kontaktet Kosovë-Shqipëri, vajtje-ardhjet e institucioneve kulturore, botimet letrare dhe shkencore etj.

Siç e kam thënë edhe herë të tjera, për mua viti 1968 është vit i Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe i fillimit të procesit të integrimit shpirtëror të shqiptarëve si komb. Mund të përmendim si shembuj shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeut; Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, shënimin e 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit etj., ngjarje që flasin për një “rizbulim” të identitetit të mohuar një kohë të gjatë. Për brezin tim janë të paharrueshme shfaqjet teatrale, koncertet muzikore të ansambleve nga Shqipëria; ardhja e profesorëve nga Tirana për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, por edhe shkuarja jonë në Tiranë për kërkime shkencore e pjesëmarrje në konferenca shkencore etj.

Në fushën e letërsisë duhet përmendur botimin e veprave jo vetëm të shkrimtarëve klasikë (Naimi, Noli, Mjeda, De Rada), disa nga të cilët për herë të parë, por edhe të autorëve bashkëkohorë si Spasse, Marko, Xoxa, Kadareja etj., sikundër edhe botimin e librave tanë, kryesisht me poezi, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Kjo atmosferë do të zgjasë deri në vitin 1981, kur, për shkak të demonstratave studentore të mars-prillit, të vlerësuara si “armiqësore”, do të ndërpritet komunikimi Kosovë-Shqipëri (njëanshëm nga pala jugosllave) dhe do të fillojë një periudhë tjetër moskomunikimi, që do të zgjasë deri në rënien e sistemit komunist, në mos më shumë. 

– Kështu ishte dikur, po tani?

– Eh, tani është krejt tjetër situatë. Mirëpo, dreqi, thonë, nuk rri rehat! Barrierat artificiale politike e ideologjike, që dikur e ndanin hapësirën kulturore shqiptare, tashmë kanë rënë, por kanë dalë në skenë disa dukuri e shfaqje jonormale, që i kundërvihen procesit të integrimit shpirtëror të shqiptarëve si komb, pasojë e politikave të mbrapshta institucionale dhe individëve që janë në krye të tyre. Muri i madh që ndau shqiptarët gjysmë shekulli e më shumë, Kufiri në Qafëthanë e Morinë, ka rënë ose është relativizuar në masë të madhe, por muret e vogla ende qëndrojnë në kokat e disa njerëzve, si inerci e së kaluarës a për ndonjë arsye tjetër, për mua të pakuptueshme dhe absurde.

– A mund të na konkretizoni këtë që sapo thatë?

–  Jo më larg se vitin e kaluar më është dashur të reagoj dy herë për projekte që i qasen letërsisë dhe kulturës shqiptare në mënyrë parciale. I pari ishte një ekspozitë me fotografi të shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë, ku në mesin e 46 shkrimtarëve nuk kishte asnjë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë! Kjo ekpozitë qe hapur në “Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit” të financuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Në hapje të ekspozitës merrnin pjesë një numër i madh shkrimtarësh nga Tirana, por asnjëri nga ata nuk e pa të udhës të reagonte për përjashtimin nga “albumi” të kolegëve të tyre nga Prishtina e Shkupi!  

Projekti i dytë është edhe më drastik, sepse edhe autori i tij është më me renome. (Qëllimisht nuk po ua përmendi emrat kësaj radhe, por në shkrimet që pata botuar në shtyp dhe që i kam përfshirë edhe në librin “Jetë e vdekje përqafuar”, kam folur me emër e mbiemër). Fjala është për “Antologjinë e poezisë moderne shqipe”, hartuar nga “Poeti Laureat”, në të cilën nuk ka asnjë poet nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Arbëreshët e Italisë dhe nga Diaspora! Nga gjithsej 59 (pesëdhjetë e nëntë) poetë, sa janë përfshirë në të, asnjë nuk është jashtë kufijve politikë të Shqipërisë! Si mund të quhet “antologji e poezisë shqipe” një libër si ky? Mos vallë letërsi shqipe është vetëm ajo që krijohet vetëm në Shqipërinë “xhuxhe”, siç do të thoshte poeti Ali Podrimja?! Po ne që jetojmë e krijojmë këndej kufijve, a nuk shkruajmë shqip dhe a nuk i takojmë letërsisë kombëtare?!

Për çudi, përsëri munguan reagimet e shkrimtarëve dhe studiuesve nga Tirana, madje pati edhe të tillë që u përpoqën ta “mbrojnë” autorin!

Një shembull i tretë, pak më i lehtë, është libri “Të lirë” (2021) i Lea Ypit, një rrëfim interesant autobiografik që shtrihet deri në vitin 1997, ku nuk flitet fare për shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe nuk gjen asnjë fjalë për represionin serb në Kosovë! Ia pata bërë këtë vërejtje autores në shkrimin që botova për këtë libër, por edhe në përurimin e tij në Prishtinë dhe ajo e pranoi vërejtjen, duke thënë publikisht: “Kosova nuk ka qenë pjesë e ndërgjegjes sime deri në vitin 1999”. Ç’do të thotë kjo? Për një pjesë të shqiptarëve, madje edhe intelektualë me ndikim që jetojnë në Perëndim, Kosova qenkësh bërë “pjesë e ndërgjegjes” atëherë kur drama e saj trazoi ndërgjegjen e botës!

–  T’i kthehemi edhe një herë pyetjes për pozitën politike dhe shoqërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Si njeri që jeni marrë gjatë kohë me këtë çështje, çka do të na thoshit për pozitën aktuale të shqiptarëve në RMV?

– Për pozitën politike të shqiptarëve në RMV, si thoni Ju, përkatësisht në Republikën e Maqedonisë, si quhej dikur, kam folur dhe kam shkruar shumë; e kam bërë këtë në intervistat që kam dhënë në medie dhe në shkrimet që kam botuar në shtyp ndër vite, të cilat i kam përfshirë në librat e mi publicistikë: “Populli i pandalur” (1992), “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” (1997) dhe “Arti i reagimit” (2011). Kam reaguar edhe atëherë kur fjala matej, si thuhet, në kandarin e farmacistit, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, duke e ngritur zërin kundër diskriminimit sistematik të shqiparëve në të gjitha fushat e jetës; kam polemizuar me shumë intelektualë dhe politikanë maqedonas, duke e rrezikuar veten dhe familjarët e mi, sepse në atë kohë njerëzit që merrnin guximin t’i kundërviheshin politikës zyrtare shpalleshin “armiq”, “nacionalistë”, “irredentistë” e çkamos tjetër dhe si të tillë duheshin luftuar e linçuar me të gjitha mjetet. Kështu deri në fund të viteve ’80, përkatësisht në fillim të viteve ’90, kur ra sistemi komunist dhe filloi shpërbërja e Jugosllavisë si shtet. Edhe më vonë nuk kam pushuar së marruni me çështjen shqiptare në Maqedoni. E kam elaboruar gjerësisht këtë çështje nga aspekti historik, kulturor, politik, juridik, demografik etj. dhe kam propozuar edhe zgjidhje konkrete. Në vitin 1991, kur Maqedonia shpalli Referendumin për Pavarësi, duke e përkrahur parimisht këtë akt, e kam artikuluar dhe shtjelluar tezën mbi Maqedoninë si shtet shumetnik, shumëkonfesional dhe shumëkulturor, në të vërtetë si shtet dykombësh: i maqedonasve sllavë dhe i shqiptarëve etnikë – dhe i të tjerëve që jetojnë në të; shtet me demokraci koncensuale, ku vendimet për çështje me karaker etnik merren me koncensus dhe me gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Disa nga këto teza qenë përvetësuar nga Partia për Prosperitet Demokratik, por libri në të cilin i elaboroja ato qe bllokuar nga njerëzit e Gligorovit të infiltruar në PPD, gjë që unë, naivi, do ta marr vesh me vonesë. (I qeshë drejtuar PPD-së me kërkesë me shkrim që të ma mbështeste librin për botim; përgjigje me shkrim nuk mora kurrë, kurse me gojë më qe thënë: ”nuk kemi mjete!”). 

–  Po përse, sipas Jush, ndodhte kjo?

– Albanofobia ka rrënjë të thella në Maqedoni dhe me sa shihet nuk çrrënjoset lehtë. Hegjemonizmi maqedonas nuk e duron trajtimin e shqiptarëve si të barabartë dhe nga ky aspekt nuk dallojnë shumë intelektualët nga politikanët. Madje, herë-herë ndodh e kundërta. Nuk ndryshoi kjo mendësi në Maqedoni as pas vitit 2001, kur këtu u bë një luftë “për të drejta”. Lufta e detyroi palën maqedonase të ulej rreth tyezës së bisedimeve me ndërmjetës ndërkombëtarë dhe të nënshkruante Marrëveshjen e Ohrit, por implementimi i saj, edhe ashtu siç qe, për mua me standarde të ulëta, çaloi, u zgjat e u stërkeq, jo vetëm për shkak të obstruksioneve të palës maqedonase, por edhe për mungesë dijeje, përvoje e edhe vullneti politik të lidershipit shqiptar. Pushteti, veçanërisht në shtete si këto tonat në Ballkan, ku njerëzit e veshur me pushtet pasurohen brenda natës, i tjetërson njerëzit. Edhe dëshira e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve për të qenë “çuna të mirë” dhe “demokratë të vërtetë” në sy të ndërkombëtarëve, nuk ka qenë pa ndikim në këtë mes. E ndërkombëtarët, me ç’tregojnë bathët, më shumë se për zgjidhjen e problemeve janë të interesuar për stabilitet politik. 

–  Jam dakord me Ju, Profesor, me mendimin tuaj, por dëshiroj ta kthejmë vëmendjen pak nga arti dhe kultura…

– Edhe unë pajtohem, sepse Hejza është në radhë të parë revistë kulturore. Sa skandale kanë ndodhur me tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Maqedoni? Ju i dini më mirë se unë: fyerjet më të rënda për shqiptarët, përdorimi i emërvendeve në trajtën sllave (Skopje për Shkup etj.) edhe në vitet nëntëdhjetë dhe sa e sa denigrime të tjera; të gjitha këto duke qenë autorët, përkthyesit, lektorët apo redaktorët shqiptarë, njerëz shumë herë edhe me grada shkencore, të cilët për “punën” e tyre kanë marrë honorar! Dhe nuk kanë bërë zë derisa janë “zbuluar” ose kanë bërtitur e sharë, pa fije turpi, kur janë kritikuar. Si janë kryer studimet dhe si janë marrë diplomat, masterat e doktoratat në universitetet shqiptare në Maqedoni? Tregohen anekdota për këtë punë. Çfarë qëndrimi kanë mbajtur krijuesit shqiptarë në RMV, pjesa dërrmuese e tyre, ndaj manifestimeve letrare në të cilat margjinalizohet letërsia dhe kultura shqiptare dhe ku nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe, pra mohohet gjuha në të cilën shkruajnë ata, domethënë ne? E kam fjalën në radhë të parë te festivali i njohur ndërkombëtar Mbrëmjet Strugane të Poezisë, që mbahet për çdo verë në Strugë. Kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues të këtij manifestimi letrar në vitet 2002-2004. Kam bërë luftë të madhe, titanike, nja dy vjet, dy e gjysmë, për ta ndryshuar trajtimin margjinal të letërsisë shqipe në këtë festival dhe qëndrimin përbuzës ndaj gjuhës shqipe. Nuk jam pajtuar me Statutin e ri të Festivalit, në të cilin nuk parashihej përdorimi i gjuhës shqipe, me pretekstin se ky qenkësh “manifestim ndërkombëtar” dhe kam dhënë dorëheqje para se të më kalonte mandati. Punën e Statutit e pata dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese, duke u bërë edhe jurist e përkthyes, por kot. Nuk kisha mbështetjen e faktorit politik shqiptar. Dy-tri herë pata shkuar nga Prishtina në Shkup e Tetovë, por as Ministri i Drejtësisë, që atëherë ishte shqiptar, as zëvendëskryeministri, po ashtu shqiptar e, madje, as lideri i BDI-së, nuk pranuan të takoheshin me mua që luftoja si i marrë për statusin e gjuhës shqipe. Ose ishin të zënë me ndonjë “delegacion”, ose në “udhëtim zyrtar”,  e ndodhte edhe të më iknin para sysh paturpësisht. Kur, më në fund, pas shumë përpjekjesh e përplasjesh, Statuti i MPS-së u aprovua me shumicë votash: 4 me 1, sepse e tillë ishte struktura e organit që vendoste për të, Këshillit Drejtues, mua s’më mbeti tjetër pos të jepja dorëheqje, jo në heshtje, por me një deklaratë drejtuar opinionit, ku shpjegoja arsyet e dorëheqjes. Pati reaguar kryetari i “bordit”, Zoran Ançevski, një albanofob i thekur, mik personal i kryetarit të atëhershëm të shtetit, Cërvenkovskit, me të cilin unë zhvillova  një polemikë të rreptë në gazetën “Utrinski vesnik”. Nuk dua të flas për përmbajtjen e këtij teksti polemik, të botuar në dy vazhdime dhe në tri faqe gazete më 18, 19-20 mars dhe më 7 prill 2005, të cilin e kam përfshirë, natyrisht shqip, në librin tim “(Po)etika e fjalës”, të botuar në vitin 2010. 

– Por statusi i gjuhës shqipe, megjithatë ka ndryshuar…

– Po, ka ndryshuar. Në krahasim me të kaluarën, kur shqipen e gjeje vetëm në ndonjë tabelë dyqani a në ndonjë pllakë varreze, janë bërë ndryshime të mëdha, por problemi nuk është zgjidhur. Në Maqedoni gjykatësi shqiptar të gjykon maqedonisht edhe nëse i përket të njëjtës kombësi dhe flet të njëjtën gjuhë me ty; polici gjithashtu. Gjykatat dhe policia nuk e njohin gjuhën shqipe, as bankat. Për ushtrinë as mos të flasim. Në monedhën e Zvicrës, frangun e famshëm zviceran, teksti është në katër gjuhë (gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht; kjo e fundit gjuhë e një grupi të vogël njerëzish), kurse në RMV as që mund të imagjinohet që në kartëmonedhën e denarit të ketë edhe ndonjë germë shqip! Ruana Zot! E Maqedonia e Veriut si shtet aspiron të integrohet në Europë, të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe sa na përket ne shqiptarëve, po të mos ishin kontestimet nga Athina dhe Sofja, do të ishte bërë tashmë, pa zgjidhjen e qëndrueshme – kushtetuese – të statusit politik të bashkësisë së dytë etnike në RMV, për të cilën faktori politik shqiptar në Shkup s’bën zë, kurse Tirana zyrtare desh “u prish” me Bullgarinë për shkak të Maqedonisë!

–  Thonë, armiku në luftë e arrin kulmin e kriminalitetit kur fillon t’ia djegë librat kundërshtarit. Në tërheqje e sipër në luftën e fundit okupatori serb mori mijëra dokumente, libra kadastralë, artefakte… Dhe, nuk ia dolëm deri më sot, të paktën të kishim një film të metrazhit të gjatë, që do ta trajtonte artistikisht këtë lloj armiku! Filmi boshnjak “Në tokën e askujt”, që mori çmimin “Oskar”, bëri që 80 për qind e opinionit amerikan për herë të parë të dëgjonin për boshnjakët, të kuptonin se çka kishte ndodhur në Bosnjë dhe me boshnjakët, dhe jo lufta e tmershme që zgjati plot katër vjet! 

Filmin boshnjak “Toka e askujt” (No Man’s Land) nuk e kam parë, por kam lexuar dhe dëgjuar për të. Filmi është medium me ndikim të madh, prandaj e vlen të investohet në projekte filmike me peshë, siç bën e gjithë bota dhe siç kanë bërë edhe boshnjakët me filmin që përmendni ju. Për luftën çlirimtare të Kosovës dhe njerëzit që e bënë atë, në mënyrë të veçantë për ata që ranë në luftë, janë kompozuar këngë e vepra të tjera muzikore, janë shkruar poezi, vjersha e poema, janë publikuar vepra letrare e publicistike, janë shkruar ditarë e kujtime, janë hartuar edhe vepra shkencore nga fusha e historisë dhe shkencave të tjera humane, por mungon një vepër serioze nga fusha e “artit të shtatë”, një film artistik me vlerë, që do ta plasonte të vërtetën për këtë luftë jo vetëm ndër ne, por edhe në botë. Ka kaluar një çerek shekulli nga mbarimi i luftës dhe ne ende nuk kemi një realizim të denjë artistik për këtë ngjarje të madhe historike të popullit tonë.

–  Si pasojë e modernizimit të përgjithshëm, a mund të themi se njerëzimi është në një proces të motorëzimit të kulturës! Këtij procesi a do t’i shpëtojë krijimtaria letrare, nëse jo, si do të dukej një letërsi e tillë? Ç’mendim keni për digjitalizimin e letërsisë? Libri elektronik – a është ky fundi i Bibliotekës klasike? 

– Lidhur me këtë pyetje më lejoni të citoj dy nga shkrimtarët e mi të preferuar: Mario Vargas Ljosën dhe Amos Ozin. Nobelisti peruan Ljosa (Llosa), autori i romanit tronditës për diktaturën (diktaturat), “Festa e Cjapit”, në një prononcim me rastin e marrjes së Çmimit Nobel (2010), shprehte, sa më kujtohet, shqetësim për fatin e librit, ndërsa shkrimtari dhe humanisti i madh izraelit, Amos Oz, në intervistën me Rudina Xhungën tonë, thotë: “… për mua librat janë diçka që e prek, e ndjen, diçka erotike, sensuale… Librin para se ta lexoj e preki, e fërkoj me mollëzat e gishtërinjve… Gjëja e dytë që bëj është ta nuhas. Çdo libër ka aromën e tij specifike… Çehovi ka aromë prej dollapi të vjetër ilaçesh; Remarku aromë baruti të përzier me aromën e biskotave dhe të kalvadosit”.

Digjitalizimi i letërsisë, libri elektronik – fundi i Bibliotekës klasike? Jo. Besoj se ajo do të mbijetojë. (Unë, që të jem i sinqertë, do të doja që edhe këtë intervistë ta shihja të shtypur).

– Subjektet tona politike, a kanë nevojë për një “Manual të politikave kulturore kombëtare”, me peshë të një “kushtetute kulturore”, pa njohjen e së cilës, nuk do të guxonin të drejtojnë shtet? Sot më shumë investojmë në çrrënjosjen e korrupsionit oktapodian se sa në kulturë! 

– Po, mendoj se ka nevojë për një politikë kulturore të studiuar mirë dhe me strategji të qartë, të koordinuar me subjektet politike e shtetërore në nivel lokal dhe qendror. Mund të quhet edhe “manual”, siç shpreheni ju. Ndërsa, sa i përket “korrupsionit oktapodian” ai nuk çrrënjoset pa u bërë reforma në drejtësi, vetingu dhe një SPAK i ri edhe në Kosovë e Maqedoni si në Shqipëri, ku, siç po shihet, askush nuk është më imun para ligjit. 

Korrupsioni, nepotizmi dhe paligjshmëria nxisin shpërnguljen, që është hëpërhë problemi numër një i shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm. Të vjen të qash kur i sheh bankat e zbrazura në shkollat që dikur gumëzhinin si zgjua bletësh!

Shpërngulen edhe të tjerët, mund të thotë dikush dhe veçanërisht njerëzit e politikës, globalizëm është. E vërtetë. Mirëpo, pak më shumë dashuri për vendin ne shqiptarëve nuk do të na bënte keq! Aq më shumë që në këngë jemi patriotë të mëdhenj, të gatshëm me vdekë për komb e atdhe!

–    A kemi kritikë letrare dhe në ç’nivel e kemi mendimin mbi kulturën tonë krijuese, artistike?

–   Kësaj pyetjeje po i përgjigjem, pjesërisht, me fjalët e pyetjes suaj vijuese: Kritika letrare ndër ne është një nga punët intelektuale më pak të vlerësuara. Ajo trajtohet si punë vullnetare e një “lexuesi”, i cili dëshiron t’i shprehë përshtypjet e veta nga leximi i një vepre. Madje, kohëve të fundit, ka rënë në nivelin e informacionit të thjeshtë për veprën dhe të “reklamës” për të! Përse ndodh kështu? Kjo ndodh ngaqë kritika letrare dhe e arteve të tjera (muzikë, pikturë, teatër, film etj.) nuk trajtohet si veprimtari e rëndësishme shoqërore dhe nuk gëzon përkrahje institucionale. Asnjë gazetë jona a medium tjetër nuk ka njeri që paguhet për këtë punë. Dikur ka pasur. Në “Rilindje” dhe në “Flakë”, fjala vjen, përcillej rregullisht botimi i librave të rinj dhe ngjarjet e tjera kulturore, premiera shfaqjesh teatrore e filmash, ekspozita pikturash, koncerte të muzikës serioze apo edhe festivale muzikore. Tani pothuajse të gjitha këto kalojnë pa ndonjë vlerësim publik. Do të shtoja se te ne ka kritikë të klaneve, ku individë të ndryshëm i bëjnë elozhe njëri-tjetrit. Është shumë i pranishëm fenomeni i promovimeve: ende pa dalë libri nga shtypi caktohet dita e “festës”, që fillon me lavde dhe përfundon me pije e meze. Media e shkruar dhe elektronike shumë herë u jep më shumë hapësirë këtyre “eventeve”, sesa veprave dhe ngjarjeve serioze letrare dhe shkencore. Disa i konsiderojnë sukses të kritikës dhe studimeve tona letrare punimet që bëhen për të marrë titullin magjistër a doktor shkence. S’do mend se ato paraqesin kontribut kur janë të shkruara mirë dhe me kritere shkencore, por kanë si destinim marrjen e një diplome. Shumë nga këta kandidatë nuk shkruajnë pothuajse asgjë më vonë, për të dëshmuar se letërsinë e kanë pasion, kurse kritikën vokacion. Kjo është pak a shumë gjendja e kritikës sonë në kohën në të cilën jetojmë.

– Jemi me numrin më të madh të antologjive në botë. Pse bëhen dhe kush i bën antologjitë?

– Nuk e di a jemi vendi me numrin më të madh të antologjive në botë, nuk e besoj, sepse bota është e madhe dhe vetëm në Francë, fjala vjen, mjedis që unë pak a shumë e njoh, botohen me dhjetëra antologji në vit. Ka në mesin e tyre antologji tematike, historike, antologji të krijuesve të një shkolle a lëvizjeje letrare e, madje, edhe antologji të vargjeve unike. Unë në bibliotekën time kam një numër të madh sosh. Te ne antologji harton gjithkush, pa e njohur materien dhe pa i respektuar kriteret që kërkon një vepër e tillë. Antologji ka (mund të ketë) shumë në gjuhën shqipe, por antologjitë që vlejnë numërohen në gishtat e dorës.

 –   Në antologji të poezisë shqipe që përpilohet në Tiranë përfshihen edhe poetë nga Kosova, të cilët, mjerisht, lexuesi shqiptar nuk i njeh, madje as që ka dëgjuar ndonjëherë. Ju jeni, pa dyshim, ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë. Nga ana tjetër, jeni plotësisht i vetëdijshëm se lexuesi i Shqipërisë “as që ka dëgjuar” për ju? Apo ju ngushëllon fakti që të rinjtë shqiptarë nuk e njohin sot as Nolin, Fishtën, Konicën, Naim Frashërin a Jeronim de Radën, ndonëse shkollat e tyre mbajnë emrat e këtyre kolosëve të kulturës shqiptare!

–  Unë si krijues njihem mjaft në Shqipëri (në Shqipërinë shtetërore): si poet dhe studiues i letërsisë, por edhe si publicist, kështu që s’kam arsye të ankohem. Natyrisht, njihem te lexuesit e moshës sime dhe pak më të rinj në moshë, tek ata që janë rritur me librin e shtypur dhe leximin klasik, por jo edhe te të rinjtë, këta të erës së smartfonëve dhe të rrjeteve sociale, të cilët edhe ashtu lexojnë pak ose nuk lexojnë fare letërsi.

Kur isha Ministër i Arsimit i Kosovës pata shkuar në Tiranë për t’u takuar me homologun tim, prof. Ethem Rukën. Pas një procesi të gjatë pune, me komisione, i hartuam kriteret dhe e shpallëm konkursin për abetaren e përbashkët mbarëkombëtare. Me atë rast në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë u bë një solemnitet, ku mora pjesë edhe unë. Të nesërmen pothuajse të gjitha gazetat e Tiranës ma shkruanin emrin, në të vërtetë mbiemrin, gabimisht: Vinea, Vinica, Vinça! U revoltova: “Si ka mundësi? Unë jam botuar në Tiranë qysh në vitet ’70!”, u thashë kolegëve të mi. Më qetësuan duke më thënë: “Profesor, janë bërë gazetarë çunat dhe gocat e Tiranës… Ia gabojnë emrin edhe Dhimitër Shuteriqit!”. (Shuteriqi ishte ende gjallë në atë kohë). Kur pas një kohe erdhi në vizitë në Prishtinë Ministri Ruka, iu “revanshuan” çunat dhe çikat e Prishtinës, duke ia shkruar dhe shqiptuar emrin “Ethem Uka”! Ec e hidhërohu me ta!

            Por, problemi është serioz: ka rënë shumë niveli kulturor i medias shqiptare. Në radiotelevizionet tona, sikurse edhe në portale e gazeta, dëgjojmë e lexojmë jo rrallë gjëra skandaloze, për të qeshur dhe për të qarë. Po dëgjoja radion gjatë verës në Strugë (unë vazhdoj ta dua radion si medium). Ishte data 14 korrik, festa nacionale e Francës dhe Radio Shkupi fliste për këtë ngjarje. Mirëpo mënyra se si e bënte këtë tregonte injorancë të thellë. Dihet se Revolucioni Borgjez Francez i vitit 1789 filloi me marrjen e kështjellës së Bastijës (frëngjisht: Bastille; kështjellë mesjetare që shërbente si burg dhe që u mor nga kryengritësit më 14 korrik 1789, e cila pikërisht për këtë edhe u quajt “Dita e Bastijës”), por spikerja thoshte: “Dita e bastisjes”!; “Kryengritësit u nisën drejt bastisjes!” etj. Por faji nuk është i spikeres; ajo lexonte tekstin që ia kishin shkruar të tjerët. 

Injoranca është njëra anë e medaljes, tjetra është keqdashja. Shembujt janë të shumtë, por po përmendi një nga përvoja personale. Në mars të vitit 2020 mbajta një fjalë për Epopenë e UÇK-së dhe sakrificën e familjes Jashari. Pasi fola për ngjarjen e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, iu referova edhe situatës aktuale në Kosovë, duke shprehur mendimin se bashkësia ndërkombëtare, BE-ja dhe SHBA-të, do të duhej ta inkurajonin luftën kundër korrupsionit e jo të insistonin te vazhdimi i dialogut me Serbinë. Fjala u prit mirë dhe “baca Rifat” (Rifat Jashari), që ishte i pranishëm në sallë, u ngrit dhe më përqafoi. Por, ç’ndodhi? Ende pa u kthyer në shtëpi njëri nga portalet më të lexuara në hapësirën shqiptare kishte publikuar “express” lajmin me titull: “Agim Vinca sulmon ashpër imperializmin amerikan dhe ambasadorin Grenell”. As e kisha shqiptuar togfjalëshin “imperializëm amerikan” (nuk e kam bërë këtë as në kohën e komunizmit) dhe as e kisha përmendur emrin e të dërguarit të presidentit Tramp për Ballkanin, R. Grenellit. Ç’të bëja: ta demantoja? Dhe si, në ç’mënyrë? Preferova t’ua dërgoja për botim fjalën që kisha mbajtur, në mënyrë që lexuesit të shihnin se ç’kisha thënë në të vërtetë. E botuan me dy ditë vonesë. 

Shpifja dhe gënjeshtra kanë qenë gjithmonë problem i njerëzimit, por ndër ne, hic et nunc, ato sikur kanë fituar të drejtën e qytetarisë. Shileri thoshte se shpifja është gjëja më e shëmtuar në botë, por në kohën e tij nuk kishte internet, portale e You Tube, që e multiplikon atë sa çel e mëshel sytë, siç ndodh në kohën tonë!

– Si e shihni perspektivën e shqiptarëve në Maqedoni, jo vetëm në planin politik e shoqëror, por edhe në atë kulturor, arsimor e shpirtëror?

– Për problemet politike, sidomos për raportet shqiptaro-maqedonase është folur mjaft, ka ardhur koha të flasim pak edhe për problemet qytetëruese, për raportin e shqiptarëve me vetveten; të kombit me fenë; për gjendjen në arsim etj. Ku jemi, ç’bëjmë, nga shkojmë? Quo vadis, shoqëri shqiptare?

Verën që shkoi qëndrova rreth një muaj në Strugë. Kur shkoj në vendlindje unë zakonisht nuk punoj (e kam fjalën për punën krijuese intelektuale), por shoh, vërej, dëgjoj. Dhe mbaj shënime. Një ditë prej ditësh, me një mikun tim, bëmë një “turne” nëpër fshatrat e Strugës. Për një gjysmë dite i kaluam me makinë katundet: Bixhovë, Livadhi, Koroshishtë, Zhepin, Dollogozhdë, Tatesh i Poshtëm, Tatesh i Epërm, Dobovjan, Tashmarunisht, Vevçan, Oktis, Belicë e Poshtme, Zagraçan, Shum, Teferiç, për t’u khyer sërish në Strugë, gjithsej 83 kilometra rrugë. Diku hëngrëm diçka, diku pimë, diku bëmë një vizitë… Në Dollogozhdë vizituam varrin e dëshmorit Nuri Mazari, të njohur si “Komandant Struga”, të rregulluar mirë, ashtu siç e meriton. Mori pjesë në tri luftëra (të Kosovës, të Preshevës dhe të Maqedonisë) dhe u vra në mënyrë enigmatike po aq sa edhe banale në vendlindje. Një metaforë e gjallë e jetës, mentalitetit dhe historisë shqiptare!

U larguam nga varrezat, tek prehej edhe një “komandant” tjetër, për mua i panjohur, dhe vazhduam rrugën. Kaluam Zabelin e Begut dhe zbritëm në fushë. Në Tateshin e Poshtëm na doli para një xhami me katër minare në ndërtim e sipër. Jo një e dy, as tri, por katër minare! Nuk më shkon ndër mend t’ia kontestoj askujt të drejtën e besimit, përkundrazi, ajo është e drejtë e patjetërsueshme e gjithsecilit. E gjykoj ndalimin e fesë me ligj në kohën e komunizmit në Shqipëri, ndërkohë që këndej nga ne feja favorizohej. Por, me sa e njoh unë doktrinën islame, harxhimet e tepërta, qoftë edhe për objekte fetare, janë haram. Profeti Muhamed ishte njeri modest, kurse lutja drejtuar Zotit pranohet kudo, qoftë edhe në kasolle me kashtë, mjafton që ta thuash me zemër… Bashkudhëtari im, arsimtar në Veleshtë, më thotë, gjysmë me shaka, se në fshat ka gjithsej pesë veta që falen në xhami, “tre me një këmbë në varr, dy sagllam”, duke shtuar se fshati nuk ka ujë, kurse shkolla është në gjendje të mjerueshme!… Harxhimet që bëhen në dasma e zijafete në fshatrat tona janë enorme. Sa ushqimi hidhet poshtë, sa euroja e dollari “derdhet” për muzikën! Sa harxhojmë ne për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, materiale dhe shpirtërore, për shkolla, biblioteka, spitale, për fëmijët me nevoja speciale…? Unë e di se kjo është punë e shtetit, por shteti bën punën e vet ashtu si do dhe si di, kurse ne duhet të mbajmë llogari për të ardhmen tonë si komb dhe si shoqëri. Në Strugë nuk ka librari, kurse në qendër të qytetit shiten ditë e natë mevludë e ilmihalë dhe të shurdhon muzika tallava. Në disa restorante nuk serviret as edhe një gotë birrë në pikë të verës, por lejohet të pish duhan pranë foshnjave që thithin biberonë… 

Unë po sjell shembuj nga treva ku kam lindur, por e tillë, në mos edhe më drastike, është gjendja në krejt Maqedoninë Perëndimore, e aty-këtu edhe në Kosovë e Shqipëri. Për mua shoqëria shqiptare në Maqedoni ballafaqohet me probleme të shumta qytetëruese dhe është detyrë e inteligjencies t’i evidencojë dhe debatojë për to. Qytetet tona s’kanë librari, ndërsa bibliotekat kanë mbetur me po atë fond librash nga koha e “baba Qemos”… Tjetër punë pastaj sa lexohet libri edhe nga ata që mbajnë mësim në universitete. Më shkroi këto ditë një mik shkrimtar nga qyteti buzë Vardarit, duke ma nisur librin e tij më të ri: “nga mosreagimet, as pozitive, as negative, për librat e mi, më është krijuar bindja se po shkruaj kot”. E keqja është se as shkrimtarët, me pak përjashtime, nuk e lexojnë njëri-tjetrin. Vetëm te ne dhe askund tjetër në botë ka “shkrimtarë” që më shumë shkruajnë se ç’lexojnë!

–  Po kontaktet me lexuesit, komunikimi me ta çfarë është; sa nderohen shkrimtarët dhe krijuesit e njohur, që nuk janë më në mesin e të gjallëve?

–           Nuk e di pse e si, i dashur Avni, por ne na kanë rënë energjitë krijuese. Tani që jemi në liri, na është zbehur shumë interesimi për art dhe letërsi. Isha para do ditësh në Tiranë, në një mbrëmje kushtuar Azem Shkrelit. Në sallë ishin gjthsej 17 veta, përfshirë edhe ne të panelit. Gjithë ajo Tiranë, me gjithë ata shkrimtarë, studiues, profesorë, botues, gazetarë, nuk denjoi ta nderonte si duhet Azem Shkrelin. Nuk ishte i pranishëm asnjë shkrimtar i njohur, me përjashtim të një poeti gjysmë të rrokatun. Në vitin 1997 Azemi pati shkruar vjershën “Këngë e turpshme” si reagim ndaj ngjarjeve të marsit. Por edhe mbrëmja e 25 tetorit kushtuar autorit të vjershës në fjalë, poetit të madh Azem Shkreli, do të meritonte një “këngë të turpshme”, apo jo?!

–  Me ç’vepër do të na kënaqë së fundmi Profesor Agim Vinca!

–  Vitin e kaluar (2023) doli nga shtypi libri im “Jetë e vdekje përqafuar. Ese & eulogji me një rragatë në fund”. Titulli është një varg i Lasgushit, kurse nëntitulli tregon përmbajtjen e librit. 

Ka dalë së fundmi libri “Antologji e lirikës shqipe të dashurisë”, që, siç e thotë vetë titulli, është një antologji në të cilën janë përfshirë krijimet më përfaqësuese të poetëve shqiptarë që trajtojnë temën erotike, duke filluar nga krijimtaria e pasur gojore e deri te poetët (dhe poeteshat) e brezit më të ri. Kur m’u drejtove për intervistë para dy-tre muajve isha duke punuar intensivisht në këtë projekt, i cili tani është në duart e lexuesve.

 Siç kam theksuar në parathënie, ideja për hartimin e kësaj antologjie më pat lindur shumë vjet më parë, teksa shfletoja “Librin e artë të lirikës botërore të dashurisë” të një poeti dhe përkthyesi kroat, në të cilën nuk ishte përfshirë asnjë poet shqiptar dhe asnjë poezi shqipe! Gjithmonë kam qenë i ndjeshëm ndaj injorimit të vlerave të kulturës kombëtare, për çka nuk jemi pa faj as ne vetë, sepse për të hyrë në librat “e artë” të botës duhet t’i krijosh më parë librat e tu nëse jo “të artë” së paku “të argjendtë”.

– Dhe, në fund fare, ndonjë mesazh për lexuesit e “Hejzës”?

–  Gjurmoni të vërtetën dhe synoni hejzat e fjalës. E vlen të jetohet për të bukurën dhe të vërtetën, edhe atëherë kur ato rrezikohen nga shëmtia dhe gënjeshtra.

*Intervistë e botuar në revistën “Hejza” që del në Shkup.

ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM VINCA:  ORFEU SHQIPTAR DHE KËNGA SHQIPE E DASHURISË