Agim Vinca: Migjeni i Mitrovicës

agim vinca

Eulogji për mikun tim, poetin Sabit Idrizi (1955-2023)

Nga: Agim Vinca

Lajmi për ndarjen nga jeta të poetit Sabit Idrizi më tronditi pa masë. Sabitin e kam dashur si njeri dhe si poet.

E kam pasur “xhan”, do të thoshin vëllezërit dhe motrat tona nga Shqipëria matanë Drinit, si thoshte Dritëro Agolli. E them me gojë plot se ky djalosh (mua më lejohet ta quaj kështu) i kishte shokët të rrallë edhe në fushën e letrave, por edhe në jetë: ishte model jo vetëm si talent, por edhe si karakter. Më vjen të klith si Çajupi dikur: “Si Sabiti s’ka të tjerë!”.

Nuk ka një muaj që e vizitova në shtëpinë e tij në Mitrovicë, tok me mikun e tij të jetës, Ganiun (Gani Baliun). Isha për një aktivitet kulturor në Mitrovicë, në hapjen e një minibiblioteke në Sheshin “Isa Boletini” dhe pasi u krye ceremonia e vitrina me libra u vendos në shesh, tok me dy miq të mi, Ganiun dhe Ismajlin, që të dy njerëz të letrave, morëm rrugën për tek Sabiti me familje, pa e ditur se ky do të ishte takimi im i fundit me të. 

U gëzua shumë, por edhe u emocionua po aq. Mundohej të fliste, të na nderonte, ta shprehte gëzimin që na shihte, aq sa këtë gëzim sikur e ndiente edhe lagjja ku banonte.

Sabiti është një Migjen i kohës sonë, me verbin e tij rebel, elegjiak e sarkastik; me dashurinë për njerëzit, por edhe me zemërimin për ata që nuk e meritojnë këtë emër. E të tillë ka pasur gjithmonë, por në kohën tonë sikur janë shtuar shumë.

Jam i lumtur që unë kam qenë, siç pohon vetë Sabiti në intervistën me mikun e tij, Miftar Kurtin, të botuar si libër, njeriu që ka ndikuar që ai të merret me shkrime. Në një orë letrare, diku në vitet ’90, mbajtur në një shtëpi private në Mitrovicë, ia paskam lavdëruar vjershën që ka lexuar. Pa e njohur fare, pa e ditur nga është e kush është, ia kam bërë një vlerësim me gojë, duke e veçuar nga të tjerët. T’i japësh krah një talenti është lumturi, ashtu sikurse ta bësh të kundërtën – fatkeqësi.

Kam shkruar dy-tri herë, në mos më shumë për Sabit Idrizin, por asnjëherë nuk jam ndarë i kënaqur me veten. E kam vlerësuar poezinë e tij, edhe prozën, veçanërisht tregimin fantastik “Zarfi”, por Sabiti meriton më shumë. Krijimtaria e tij, si poezia, ashtu edhe proza e publicistika, është e veçantë: ajo është fryt i një talenti të rrallë, por edhe i një njeriu me ndërgjegje të lartë si krijues dhe si njeri.

Vepër e Sabitit dhe e shokëve të tij është edhe koleksioni i revistës “Fjalë e valë”, ku dora dhe mendja e tij janë në çdo faqe.   

Lista e veprave të tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai kishte kërkesa ndaj vetes dhe ndaj fjalës së shkruar; nuk shkruante shkel e shko, si shumë të tjerë dhe nuk botonte dosido. Sabiti ka një ndjeshmëri migjeniane ndaj padrejtësive shoqërore dhe degradimit moral të shoqërisë, andaj vargu i tij ka aq shumë dhimbje dhe revoltë.

Sëmundja që e preku pesë vjet më parë (2017), ia theu pak vrullin krijues. E humbi zërin, por jo shpirtin, qëndresën, guximin dhe frymëzimin. Vazhdoi të shkruante si më parë, vargje që shquhen me ndjeshmërinë e pasur, mendimin e thellë, shprehjen subtile. Vargu tij me pak thotë shumë… I ndjeshëm për nga natyra, si çdo poet i vërtetë, Sabit Idrizi e vuajti humbjen fizike të zërit, por falë dhuntisë së tij krijuese, arriti t’i japë zë dhimbjes njerëzore.

Kur mora lajmin e hidhur për ikjen e Sabitit po bëhesha gati të nisesha për në vendlindjen time, në Strugë. E shtyva udhëtimin, natyrisht, sepse nuk mund të mos merrja pjesë në përcjelljen e mikut tim të shtrenjtë nga qyteti buzë Ibrit për në banesën e fundit.

Sabiti ishte njeri i sakrificës, nuk kursehej për të tjerët, të mëdhenj e të vegjël, prandaj ai meriton nderimin dhe sakrificën tonë.

Me të mbërritur në Strugë, në qytetin buzë Drinit të Zi, do të ulem në lokalin tim të preferuar, aty ku “Drini plak e i përrallshëm nis udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri” dhe do të pi një gotë për shpirt të mikut tim të shtrenjtë, poetit Sabit Idrizi.

Gëzuar, Sabit! Lamtumirë, Sabit! “Të pagjumët nuk flenë as në varr!”.

Shqetësimi për fatin e këtij populli, të ndoqi gjatë gjithë jetës. I fale kësaj toke gjithçka: dijen, talentin, shëndetin, pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim.

Sabit Idrizi ishte dhe është për mua e, besoj, edhe për të gjithë ata që dinë ta çmojnë dhuntinë dhe krijimtarinë, një poet i dorës së parë; zëri më i artikuluar i këtij qyteti-simbol të fundshekullit të kaluar dhe të fillimit të këtij shekulli.

Dëshiroj ta mbylli këtë fjalë të përmortshme, të shkruar menjëherë pas marrjes së mandatës, me vargjet e vjershës së bukur e kuptimplote, Më rilind, o fjalë!, me të cilën hapet libri jubilar i Sabitit Në kopshtin e koduar të ëndrrave (2015), për të cilin unë e kam shkruar parathënien:

S’di pse ndiej nevojë për ta thënë një fjalë/ Se ende s’kam vdekur, se ende jam gjallë/ S’di  pse ndiej nevojë t’më dëgjojë dikush/ Kur thellë brenda meje diçka djeg si prush./ Ka kohë që jam mbyllur n’timen dashuri/ Më rilind, o fjalë, m’shpërthe përsëri”.

Besim i patundur në forcën e fjalës, por edhe çlirim shpirtëror!

I përjetshëm kujtimi i tij!

Mitrovicë, 24 qershor 2023

ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM VINCA: Ç’ËSHTË NJË LIBËR I MIRË?

Ç’ËSHTË NJË LIBËR I MIRË?

E diel, 10 maj 2020

Ç’është një libër i mirë? – shtron pyetjen Zhan d’Ormesoni.

Libra të mirë janë ata që i ndryshojnë lexuesit e tyre. Modele: Bibla, Iliada dhe Odiseja, Kurani, Esetë e Montenjit, Sidi i Kornejit, Mendimet e Paskalit, Fabulat e La Fontenit, Berenisa e Rasinit, Fausti i Gëtes, Memoaret e përtejvarrit të Shatobrijanit, Kapitali i Marksit, Origjina e llojeve e Darvinit, Vëllezërit Karamazovë e Dostojevskit, Tri trajtesa mbi teorinë e seksualitetit e Frojdit, Ditari i Zhyl Rënarit, operetat e Ofenbahut, Fruta tokësore e Zhidit, Horaci, Omar Khajami, Rabëleja, Servantesi, Leopardi, Hajnrih Hajne, Oskar Uajldi, Konradi, Borhesi, Siorani…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult