reklamë

 Agim Vinca: Mozaik mbresash dhe kujtimesh

Agim Vinca

(Dy fjalë për librin Kujtime të kohës me Kadarenë të Sulejman Matos)

Nga Agim Vinca

Librat me kujtime, aq më shumë kur janë të shkruara nga vetë shkrimtarët, gjithmonë zgjojnë kërshërinë e lexuesve. Kështu ndodh edhe me librin për të cilin e kemi fjalën, të cilin e lexova gati në tërësi brenda ditës. Gjëja e dytë që më bëri përshtypje, pos përgatitjes teknike, qe motoja që ka zgjedhur autori për këtë libër, një ekstrakt nga letra lamtumirëse e Markesit, në të cilin thuhet: “Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon. Asnjeri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehura”. Fjalia e dytë sidomos vlen të nënvizohet, sepse është një mësim me vlerë për të gjithë ata që merren me shkrime dhe që duan të lënë dëshmi në këtë botë.

Për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare janë shkruar shumë vepra dhe do të shkruhen edhe në të ardhmen: studime, monografi, trajtesa, kujtime e të tjera. Studiuesit e letërsisë merren me veprën letrare të Kadaresë, me vlerën e saj, ndërsa njerëzit që e kanë njohur për së afërmi dhe kanë pasur të bëjnë me të, lënë dëshmi të shkruara për të si njeri.

Libri i poetit Sulejman Mato është një sintezë e të dyja këtyre qasjeve: në të flitet për Kadarenë si shkrimtar, por edhe për Kadarenë si njeri, sikurse edhe për rrethanat e kohës në të cilën jetoi dhe krijoi ai.

Ajo që dallon librin e Matos nga librat e tjerë me kujtime për Kadarenë është fakti që ai përqendrohet kryesisht te një moment i jetës së këtyre dy krijuesve: qëndrimi i tyre në qytetin e Beratit në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, në kohën kur, nën ndikimin  e “revolucionit kulturor kinez”, kërkohej nga shkrimtarët shqiptarë që të shkonin “në bazë”. Dyshes së këtij libri i kishte rënë në hise Berati. I pari, Sulejmani, shkurt Sula, ishte transferuar nga Tirana për shkak se qe kritikuar për ndikime liberale në letërsi (tok me disa krijues të tjerë të brezit të tij, si Viktor Qurku, Xhevahir Spahiu, Faik Ballanca, Moikom Zeqo, Thanas Dino etj.), kurse i dyti, Ismaili ose “Is”-i, si e quan e shoqja, Helena, në kujtimet e saj, edhe pse shkrimtar në profesion të lirë, qe detyruar të vinte në Berat dhe të qëndronte në Kombinatin e Tekstileve, që atëbotë ishte një qendër e madhe pune në Shqipërinë socialiste. Mato punon si mësues letërsie në gjimnaz, ndërsa Kadareja si shkrimtar në kombinat (me zyrë), por ata kalojnë shumë kohë bashkë, në qytet, në lokale, në shëtitore buzë Osumit e gjetkë. Qëndrimi mbi dyvjeçar në Berat është boshti i librit të Sulës, por ai flet edhe për kohën para kësaj periudhe, sepse njohja Mato-Kadare daton nga vitet ’50 kur djaloshi nga Fterra e Sarandës ka qenë nxënës në Gjirokastër dhe më vonë si student në Tiranë dhe vazhdon, natyrisht, deri në fund të jetës së autorit të Gjeneralit….

“Qyteti antik i Beratit më krijoi mundësinë ta njoh, qoftë edhe pjesërisht, atë figurë të ndërlikuar  me emrin e madh Kadare! Dhe ishte po ky qytet që më dha shtysën për t’i hedhur në letër mbresat e mia për të, në formë mozaiku, të çrregullta ndoshta, por të vërteta” (f. 32).

Sulejman Mato flet për talentin e Kadaresë si shkrimtar, por edhe për karakterin e tij si njeri. Në libër ka shumë hollësi që flasin për dobësitë njerëzore të shkrimtarit të madh (sidomos në raport me gratë dhe vajzat), por edhe ngjarje që zgjojnë dilema të mëdha. (Mbledhja në të cilën linçohet publikisht ish-luftëtarja dhe kompozitorja Dhora Leka e internuar në Berat, me ç’rast në krah të sekretarit të partisë është edhe Kadareja, është ndër ngjarjet më tronditëse të librit, por edhe ndër më enigmatiket njëkohësisht).

Meritë e autorit është që figurën e Kadaresë nuk e ka idealizuar, por as nuk e ka nxirë si disa të tjerë. Libri është i shkruar për të gjallë të Kadaresë, me nxitjen e botuesit të tij, Bujar Hudhrit. Teksa i vë mbi tavolinë një pjesë të dorëshkrimit, Matoja i thotë me shaka shkrimtarit se e ka bërë “personazh negativ”. Reagimi i Kadaresë është plotësisht jokonvencional: “Negativ jam unë!… O pikë e zezë! Njeriu pse duhet të jetë patjetër pozitiv?! Mund të jetë edhe negativ…” (f. 6).

Në libër flitet, natyrisht, edhe për marrëdhëniet e shkrimtarit numër një të “realizmit socialist” me pushtetin e kohës, sikurse edhe për raportet e tij me kolegët e penës, qofshin më të vjetër ose më të rinj se ai.

Nga kujtimet e Matos del se Kadareja, edhe kur “persekutohej” ishte i privilegjuar. Në Berat, fjala vjen, ai nuk vjen me mjete të transportit publik, si të tjerët, por me makinën e Lidhjes, madje i shoqëruar nga kryetari i atëhershëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi dhe nga sekretari i partisë Ibrahim Uruçi.

Se Kadareja, sikurse edhe disa shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, ka ditur të jetë i pandjeshëm ndaj miqve dhe kolegëve të vet, flet një moment që të ngulitet në kujtesë gjatë leximit të këtij libri.

Makina që sjell në Sarandë për pushim Ismailin dhe Helenën, në kohën kur ai ishte nënkryetar i Frontit Demokratik, kthehet bosh në Tiranë, kurse miku i tij i “ditëve të Beratit”, Sulejman Mato që po i përfundonte pushimet detyrohet të udhëtojë me gruan dhe fëmijët gjashtë orë me autobus në relacionin Sarandë-Rrogozhinë dhe katër orë të tjera me tren nga Saranda në Tiranë (f. 222).

Kadareja nuk honeps t’i bëjë një shërbim të vogël mikut të tij shkrimtar, me të cilin dikur kishte ndarë shumëçka për bindjet politike dhe jetën intime.

Edhe kur shpreh ndonjë pakënaqësi ndaj të adhuruarit të tij, Sula është dashamirës. Lajtmotiv i këtij libri është thënia: “Zgjohu madhëri se na presin vepra të mëdha!” (f. 72), fjalë me të cilat e zgjonte çdo mëngjes shërbëtori i tij filozofin francez Sen-Simon.

Libri Kujtime të kohës me Kadarenë (Mbresa, biseda, intermexo, udhëtime, analiza, imtësira), megjithëse libër mozaik, ku herë-herë nuk mungojnë as përsëritjet, lexohet me interes, si për materialin interesant që sjell, ashtu edhe për konkretësinë dhe thjeshtësinë e rrëfimit. 

Si i tillë, ky libër është një kontribut për jetëshkrimin e Kadaresë.

Në fjalën përmbyllëse, Sulejman Mato shqipton një mendim, që duhet të na shqetësojë të gjithë ne që në çfarëdo mënyre merremi me letërsi. “Kadareja dhe brezi i tij, thotë autori i këtij libri, erdhën në një kohë kur lexuesi shqiptar kishte nevojë për shkrimtarët e vet. Dhe ikën në një kohë kur lexuesi shqiptar, për arsye të ndryshme, duket se nuk ka më nevojë për ta”.

Dhe kulmi i dëshpërimit dhe zhgënjimit të krijuesit: “Ajo që i ka ndodhur letërsisë shqipe… mos i ndodhtë asnjë letërsie tjetër!”.

Ky është pa dyshim një konstatim që të lë pa fjalë.

P. s. Disa gabime materiale të librit do të duhej të shmangeshin në një ribotim eventual të tij.

ObserverKult


Lexo edhe:

Agim Vinca: Poezia lirike dhe veçoritë e saj