Agim Vinca: Reflekset e një poeti

pa lamtumirë agim vinca

(Shënim për librinËndrrat bëhen pranga” të autorit Bekim Muhaxheri)

Nga Agim Vinca

I velur nga librat pa vlerë, që na bombardojnë për çdo ditë, i hyra me një dozë skepticizmi leximit të këtij libri, por u befasova për të mirë. Nga faqja në faqe, nga vargu në varg, zbuloja një krijues të formuar, një poet të pjekur. Fjala është për një pjekuri, që rrallë, shumë rrallë, haset në librat e parë të poetëve tanë.

Bekim Muhaxheri është krijues që di çka do dhe di si ta thotë atë që do: me një thjeshtësi të denjë për respekt. Uni lirik i kësaj poezie është njeri me interesime të gjera, që e vëzhgon jetën dhe përsiat për të. Në vargjet e Muhaxherit gjejmë tema e probleme historike, kombëtare, shoqërore, sociale, etike, ekzistenciale, deri edhe ekologjike. Krahas talentit dhe kulturës, këtë poet e karakterizon edhe përkushtimi krijues.

Ëndrrat bëhen pranga është një libër i nivelizuar, aq sa mund të thuhet se në të nuk ka poezi “të dobëta”. Sigurisht që disa poezi shquhen me realizimin e tyre artistik (mjafton të përmendim dy-tri sosh: Pergamenë, Karrige dhe kuaj, Dashuri e njëanshme), por të gjitha poezitë e këtij libri i përshkon e njëjta frymë. Ato janë reflekse për jetën, historinë, pozitën e njeriut në natyrë e në shoqëri; për dashurinë, për misteret e jetës dhe paradokset e historisë.

Libri i Bekim Muhaxherit fillon me shpalimin e temave nga historia kombëtare: Shqipëria, Kosova, Çamëria, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë (nëntor 1912) dhe arrin deri tek e sotmja dhe përditshmëria. Të kaluarën dhe të sotmen poeti i sheh të pleksura me njëra-tjetrën, andaj maksima e njohur mbi historinë si mësuese e jetës ndodh të shndërrohet në paradoks: “asgjë nuk mësohet / nga historia”.

Më parë se përshkruese, kjo poezi është refleksive. Thënë figurativisht, vjershat e këtij libri nuk janë notim në sipërfaqe, por zhytje në detin e thellë të jetës. Njëri nga ciklet e librit titullohet De(r)t, me ç’rast poeti, me mënyrën si e shkruan këtë fjalë, mundëson leximin alternativ të saj: det dhe dert, që është prosede i shpeshtë e artit (post)modern.

Mjeshtër i krahasimit dhe metaforës, autori i këtij libri nuk vrapon pas modës, por as nuk është i demoduar. Modern në ndjeshmëri, solid në shprehje, vjershërimi i tij është i veçantë. Ka vulën e vet. E kjo nuk është pak. Përkundrazi. Të dalësh nga kallëpet dhe të krijosh individualitet në art dhe letërsi, është to be or not to be.

Muhaxheri është poet i vargut të lirë, pa rimë e metër, që efektin e mbështet te ndjenja e pasur, te mendimi i thellë dhe shprehja e latuar me kujdes e durim. “Përditë humb beteja / Në duel me jetën, / Marr plagë të padukshme / Që nuk kanë shërim”.

Më parë se përshkruese, kjo poezi është refleksive. Ajo nuk imiton, por krijon, siç ndodh rëndom me krijuesit që hyjnë në dialog të drejtpërdrejtë (e jo libresk) me jetën, por edhe me folklorin, mitologjinë, traditën, historinë dhe vetë letërsinë.

Bekim Muhaxheri del para publikut me librin e tij të parë në moshë të pjekur dhe me pjekuri krijuese, që shprehet në të gjitha nivelet e shkrimit: në gjuhë, stil, përmbajtje dhe ide. Idetë artikulohen me një gjuhë të figurshme e struktura të larmishme, por kryesisht qetë dhe pa shpërthime të mëdha.

Leximi i këtij libri është kontakti im i parë me vargjet e Bekim Muhaxherit. Dhe jo me vjersha të veçanta, por me një përmbledhje të tërë, që ka mbi njëqind poezi të sistemuara në tetë njësi ciklike, ku kalimi nga një cikël në tjetrin është gati i pahetueshëm.

Libri hapet me vjershën e shkurtër (Sh)krim, që flet për statusin e shkrimit dhe mbyllet me poezinë Riciklim, që paralajmëron librin e ardhshëm të autorit, i cili mund të lindë nga “hiri” i të parit. (Thuhet se Homeri e krijoi Odisenë me thërrimet që mbetën nga sofra e Iliadës).

Kur i bie në fund librit të Bekimit, ke një shtytje a tundim për t’u kthyer përsëri në fillim: poezia e tij grish për rilexim.

Prishtinë, 22 shkurt 2020                  

ObserverKult