Agim Vinca: Rileximi i Murtajës dhe katarzisi kamyzian

Fragment nga libri i Agim Vincës “Ditari i pandemisë”

RILEXIMI I MURTAJËS DHE KATARSISI KAMYZIAN

E enjte, 21 maj 2020

E dija se e kam, por s’po e gjeja. Derisa një ditë, krejt rastësisht, duke kërkuar një libër tjetër, hasa në të. Është fjala për romanin e famshëm të Kamysë: Murtaja (La peste), aq aktual gjatë pandemisë, kur kjo vepër u bë libri më i kërkuar në botë. (Njësoj ndodhi rreth një vit më parë, kur ra zjarri në “Notrë-Damë”, me romanin e famshëm të Hygoit Katedralja e Parisit).

Botimi i parë i kësaj vepre ka dalë më 1947, kur kam lindur unë, kurse botimi shqip para dy vitesh (2018) te shtëpia botuese “Fan Noli” e Tiranës, në përkthim të Bashkim Shehut.

Është libri i dytë i përkthyer nga Bashkim Shehu që po lexoj në kohë të fundit: Dritë gruaje i Romen Garisë (Romain Gary), një vepër të të cilit (romanin Charge d’âme) e kam përkthyer edhe vetë dhe Murtaja e Kamysë. (Murtajën dikur e kam lexuar në serbokroatisht, kur këtë gjuhë nuk e zotëroja aq mirë, kurse tani e rilexoj në shqip, por duke e krahasuar me origjinalin frëngjisht, sipas botimit të vitit 1961 të Gallimard-it, të cilin e kam në bibliotekën time personale). Përshtypja ime është se Bashkimi është më i mirë si shkrimtar sesa si përkthyes.

Po them dy fjalë jo për përkthimin, por për veprën që u bë, bashkë me Dekameronin e Bokaços dhe Verbërinë e Saramagos, libri më i kërkuar i epokës Covid-19.

Murtaja është, siç e thotë vetë titulli, roman për epideminë e murtajës në një qytet të Algjerisë, atëbotë koloni franceze, në vitin 194… Viti nuk jepet i plotë, por kuptohet që bëhet fjalë për vitet ’40 të shekullit XX, kur bota ishte në luftë me një murtajë tjetër – nazifashizmin.

Oran quhet qyteti ku zhvillohen ngjarjet, një qytet me rreth dyqind mijë banorë, që është sa vend real, aq edhe një utopos. Ky qytet, në të cilin shërben si mjek kryepersonazhi i romanit, një ditë prej ditësh gdhihet me minj të ngordhur në çdo hap, shenjë e një të keqeje të madhe që do ta pllakosë për muaj me radhë – sëmundja e murtajës.

Personazh kryesor i romanit është mjeku Bernar Rië, i cili e luan edhe rolin e rrëfimtarit ose të “kronikanit”, si e quan Kamyja, fakt që zbulohet vetëm në faqet e fundit të veprës.

Numri i personazheve nuk është i madh, por secili prej tyre është botë më vete, që do të thotë se kemi të bëjmë me personazhe të individualizuara, por jo edhe tipike si në prozën realiste. Kryepersonazhi, Riëja, është humanisti racional, Taruja – njeriu i revoltuar e idealist, Ramberi – shpirti i lirë, individualist; Grandi – nëpunës bashkie, njeri i përvujtur e modest; Kotari – njeriu egoist dhe fanatik, kurse Panëluja – prifti doktrinar, por jo i keq në thelb.

Ky i fundit, prifti Panëlu, në fillim të epidemisë, akuzon bashkëqytetarët si shkaktarë të murtajës, e cila, sipas tij, vjen si ndëshkim hyjnor ndaj njerëzve për shkak të mëkateve të tyre. Me kalimin e kohës e zbut qëndrimin, madje bëhet pjesë e shërbimit sanitar, por sëmuret dhe vdes.

Përkundër Panëlusë, Tarusë dhe Grandit, mjeku, doktor Riëja racional, që mund të quhet zëdhënës i autorit, shprehet:  “Mua më intereson të qenët njeri, jo shenjtor”. Ky është në të vërtetë koncepti i Kamysë për njeriun si qenie njerëzore, me vese dhe virtyte.

Gjithmonë ka njerëz që përpiqen të përfitojnë edhe në fatkeqësi. I tillë është Kotari, i vetmi personazh negativ i veprës, i cili, duke shfrytëzuar keqësimin e gjendjes së banorëve, merret me shitblerjen e artikujve ushqimorë dhe mallrave të tjera. Egoizmi i tij arrin deri aty sa i dëshpëruar nga përfundimi i epidemisë, ditën që banorët e qytetit festojnë në rrugë, qëllon mbi ta. Është nga të rrallët që i shpëtojnë murtajës, por nuk i shpëton ligjit dhe xhandarëve.

Bie në sy mungesa e personazheve gra, prania e të cilave në roman është pothuajse simbolike, çka shpjegohet me intencën e autorit për të mos i dhënë rrëfimit karakter intim.

Shkrimtar dhe filozof, Kamyja është kritik ndaj shoqërisë, por edhe humanist. Veprën e tij, sikurse edhe atë të Kafkës dhe Sartrit, e përshkon fryma ekzistencialiste: ankthi, frika, vetmia, vdekja, absurdi, neveria, por te Kamyja nuk mungon  as ajo që quhet “dhembshuri njerëzore” (la tendresse humaine).

Pastrimin e shpirtrave nëpërmjet frikës dhe mëshirës, Aristoteli e quante katarsis. Ashtu si tragjeditë antike, edhe “tragjeditë moderne” të tipit të Murtajës, synojnë, pak a shumë, të njëjtin efekt: efektin katarsis.

Murtaja i ngjan kronikës, në të cilën radhiten ngjarjet, ndodhitë, vuajtjet, pësimet. Hedhja e trupave të të vdekurve natën në gropa të përbashkëta dhe djegia e kufomave zgjon asociacionin e krematoriumeve naziste, kurse ndarja e dhunshme e njerëzve nga të dashurit e tyre, e burrit nga gruaja, çfarë është rasti i gazetarit Ramber, është lexuar si aluzion te gulagët e botës komuniste. 

 Struktura narrative e romanit ruan tipare të prozës tradicionale, siç janë fabula dhe renditja kronologjike e ngjarjeve, por gjuha me të cilën shprehen raportet mes gjërave është kryesisht e rendit alegorik. Përtej alegorisë, vepra shndërrohet, sipas kritikës, në simbol (arketip) dhe “mit të  organizuar”.

Kritiku franko-kanadez Brijan T. Fiç (Brian T. Fitch), duke u nisur nga regjistrat stilistikë të kësaj vepre, thotë: «Murtaja është: kronikë, roman, epope, rrëfim, histori, ditar, letër, shënime, separat, traktat, buletin, gazetë, telegram, reportazh, dekret, afishe, lajmërim, raport, recetë, skedë, kartelë, dosje, axhendë, mesazh. Harmonizimi i përpiktë i këtyre elementeve të dukshme të tekstit me një mori elementesh të tjera të padukshme, i jep rrëfimit vlerat e një arti mjeshtëror»…

Vendi ku zhvillohen ngjarjet e romanit është një qytet real, qyteti Oran (Kamyja ka jetuar në këtë qytet në vitin 1941, kur edhe filloi ta shkruante romanin), por, falë shestimit krijues dhe mjeshtrisë së shkrimit, merr karakter universal. “Orani mund të jetë qytet i të gjitha kohëve dhe i të gjitha vendeve”. Mund të jetë Stamboll e Athinë, Firencë e Marsejë, Paris e Madrid, por edhe Tiranë e Prishtinë.

Kredo e Kamysë si shkrimtar ishte: “Jo realja vetëm, as imagjinarja vetëm, por imagjinarja me bazë në realen”.

Ky parim gjen zbatim në të gjitha veprat e Kamysë, për t’u konkretizuar mjeshërisht te vepra më solide e këtij autori në çdo pikëpamje (ideore, tematike, strukturore, stilistike), që është njëkohësisht edhe vepra e tij me jehonë më të madhe te publiku, romani Murtaja (pa mohuar kurrsesi suksesin e romanit I huaji, të dramës Kaligula, të veprave eseistike Miti i Sizifit dhe Njeriu i revoltuar etj).

Qysh në botimin e parë, të vitit 1947, Murtaja u shtyp në një tirazh prej dhjetëra mijëra kopjesh, por nuk mbeti me kaq. Vepra përjetoi botime e ribotime të shumta në Francë dhe në vendet e tjera frankofone, përkthime në gjuhë të ndryshme, vlerësime e kritika, ndonjëherë edhe kontestuese, çmime letrare… I befasuar nga ky sukses, vetë autori, në një intervistë (shtator 1947), pati thënë: “Murtaja mbërriti në 96.000 ekzemplarë. Ajo bëri më tepër viktima nga ç’mendoja unë”. Më 1990 botuesi «Gallimard»  numëroi 5.000.000 ekzemplarë të kësaj vepre bestseler. Por kritika rezervohet ta quajë Murtajën bestseler, për shkak të konotacioneve negative që ka marrë ky term në botën e sotme, ku bestselerë shpallen, herë-herë, për arsye komerciale, edhe vepra me vlerë modeste, prapa të cilave qëndrojnë autorë pa ndonjë peshë të madhe letrare.

Tridhjetë vjet më vonë, kur bota u përball papritmas me një “murtajë” të re, koronavirusin, interesimi për këtë vepër arriti apogjeun. Studiuesi shqiptar i Kamysë, Marashi, në monografinë e tij: Kamy. Njeriu, Mendimtari, Artisti, thotë se po të ishte gjallë autori do të skandalizohej nga milionat e “viktimave” që ka shkaktuar kjo vepër në tërë globin.

Për nga receptimi i saj i gjerë, i jashtëzakonshëm, Murtaja mund të krahasohet me vepra si Bibla, Kurani, Iliada, Don Kishoti, Lufta dhe paqja e ndonjë tjetër.

Duke lexuar shkrimtarët e mëdhenj, njeriu e njeh më mirë botën dhe veten.

Çka na thotë Murtaja sot? Cili është kuptimi i saj parësor, siç do të thoshin egzegetët bashkëkohorë? Sfidat me të cilat ndeshet njerëzimi: luftërat, epidemitë, zezonat vijnë në këtë botë “si pësim dhe si mësim për njerëzit”. Këtë thotë.

 “Nuk duhet të përpiqesh ta shpjegosh shfaqjen e murtajës, por duhet të përpiqesh të mësosh çka mund të mësosh prej saj”. Gjithçka është e qartë. “Clairvoyance” ose “qartëpamje”, siç e përkthen këtë fjalë përkthyesi shqiptar i kësaj vepre, shkrimtari Bashkim Shehu./ ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM VINCA: ELEGJI PËR TIRANËN TIME