Agim Vinca: Shkruaj për të vrarë vdekjen

Agim vinca kur jam me ty

Flasim përhanshëm me Agim Vincën

Nga: Xhemazije Rizvani

  1. Si duket dhoma e një shkrimtari ?

E rrëmujshme, sikurse edhe koka e tij, pak a shumë, por në atë rrëmujë ka shumë rregull dhe harmoni.

  1. Për ç’gjëra tashmë është vonë ?

Të flasësh përhanshëm pasi të jesh zgjuar nga gjumi!

  1. Ç’ka poetike Veleshta e këngëve ?

Këngët, vallet, dasmat, edhe vajtimet, që t’i kujtojnë tragjeditë antike. Sofrën, bujarinë. Shpirtin kryengritës, krenarinë, por edhe inatin…

  1. Pandemia ka qenë e frytshme për ju ?

Fatbardhësisht apo fatkeqësisht po. Po të mos kishte qenë korona që na erdhi mysafir në pranverë të këtij viti, nuk do të kishte lindur libri “Ditari i pandemisë”, për të cilin vazhdojnë të më arrijnë komplimente nga të katër anët.

  1. Kush është Agim Vinca ?

Herë-herë më duket se nuk e di as vetë mirë. Është një njeri mendjelirë, i drejtë, por pak i vështirë. Një idealist i pandreqshëm, që kërkon të vërë rend në këtë botë kaotike.

  1. Ku përkisni ju ? Kë keni atdhe ?

Thuhet se atdheu i shkrimtarit është gjuha në të cilën shkruan. Unë flas dhe shkruaj shqip. Kam lindur në Maqedoni, jetoj në Kosovë, atdhe kam Shqipërinë, “që nga Shkupi në Janinë”.

  1. Për çka është akoma herët?

Për t’i thënë jo rrënimit të vlerave. Për t’u rebeluar kundër marrëzisë.

  1. Cilët poet i keni të preferuar ?

Janë të shumtë poetët që i dua, që më pëlqejnë, që më merr malli t’i lexoj, rilexoj e mësoj përmendsh. Nga “të huajt” Bajroni, Hygoi, Hajne, Pushkini; nga tanët Mjeda, Noli, Lasgushi, Migjeni. Pa harruar as bashkëkohorët.

  1. Ç’ka të jashtëzakonshme Prishtina ? Po Struga ?

Struga ka bukuri natyrore, ka Liqenin dhe Drinin, por Prishtina, qyteti pa lumë, më ka bërë ky që jam. Këtu mësova të notoj në ujërat e dijes, të artit dhe shkencës.

  1. Pa cilat libra s’duhet të rrijë çdo shtëpi ?

Pa Biblën, Kur’anin, Iliadën, Komedinë hyjnore, Hamletin, Don Kishotin, Rubairat, Lulet e verës, Milosaon, Juvenilian, Albumin e Nolit, Vargjet e lira të Migjenit, Pelegrinin e Dritëroit, Kronikën e Kadaresë, Ditarët e prof. Qosjes etj. Më lejoni të shtoj edhe një libër që duhet ta ketë çdo familje shqiptare: Fjalorin e gjuhës shqipe.

  1. Cila është diktatura më e tmerrshme, nga ato dy a tri ?

Të gjitha diktaturat janë të tmerrshme, por më e tmerrshmja është ajo që bashkë me trupin përpiqet ta vrasë edhe shpirtin.

  1. Për çka pikëlloheni më shpesh ?

Për njerëzit e mi(rë), që nuk janë më dhe për “parajsën e humbur”: fëmijërinë.

  1. Nga cila derë ikni nga realiteti ?

Nëpërmjet fjalës, imagjinatës, punës krijuese. Edhe përmes ëndrrës dhe ëndërrimit (dikur).

  1. Ç’ju ngjall e nesërmja ?

Frikë. Por edhe shpresë. Shpresa vdes e fundit.

  1. Përse shkruani ?

“Pour tuer la mort”, do të thoshte Romen Rolani. “Për ta vrarë vdekjen”, aq sa është e mundur kjo gjë, nëse nuk është thjesht një iluzion.

  1. Cila është ajo rrugë që mezi prisni ta bëni ?

Kurdo që udhëtoj nëpër botë mezi pres të kthehem nga kam ardhur. Edhe kur kam shkuar në Romë, Paris a Nju-Jork, e kam pritur me padurim kthimin në Prishtinë.

  1. A i keni gjetur kuptimin jetës ? Cili është?

Në pragun e shtëpisë së një miku në Amerikë lexova fjalët: Live (Jeto), Love (Dashuro) dhe Laugh (Qesh). Ndoshta te këto tri fjalë qëndron kuptimi i jetës. Por unë jam ende në kërkim të këtij kuptimi, që s’merr fund derisa të marrim frymë.

  1. Cilët janë mësuesit tuaj ?

Para së gjithash nëna që më ka lindur. Daja, një njeri karizmatik, që ka ndikuar shumë në formimin tim politik. Më vonë, disa nga profesorët e mi në fakultet, si pedagogë dhe si krijues. Edhe në këtë moshë e konsideroj veten nxënës që mëson nga të tjerët.

  1. Nëse vdes libri, si do të jetojë njerëzimi ?

Nuk besoj se do të vdesë libri. Së paku jo sa të jetë në këtë botë brezi im. Për më vonë nuk e di. Mund të jetohet edhe pa libër, por nuk është mirë. Kjo do të ishte jetë në shkretëtirë.

  1. Ç’ka të frikshme rrotull nesh ?

Pushteti i korruptuar, shkelësit e lirisë, njerëzit me maska (para dhe pas pandemisë). Urrejtja, smira, egoizmi dhe injoranca në ne dhe rreth nesh.

  1. Shkrimtari dhe politika si duhet të qëndrojnë?

Në distancë, por edhe duke u përleshur i pari me të dytën, pa frikë dhe pa bërë llogarira./ ObserverKult