Agim Vinca: Udhëtimi i fundit i motrës sime (VIDEO)

Agim Vinca

           

Si në baladën e lashtë
të fjalës së dhënë
udhëtonim bashkë.

Si në baladën e lashtë
të fjalës së dhënë
që s’e tret dheu.

Udhëtonim bashkë
me mallin e Dheut tonë në sy.
Dhe s’di kujt i vinte era dhé:
Mua apo Ty.

Zogjtë e malit i përshpërisnin njëri-tjetrit.
Zogjtë e malit dhe stjuardesat e bukura.
“Ecin bashkë i gjalli me të vdekurin”.

Ç’udhëtim i tmerrshëm!

Si në baladën e lashtë
të Konstantinit të Vogël,
Unë e Ti, Motër.

Kaptonim fusha, male, qytete.
Sipër ujërash, resh, rënkimesh
                                    fluturonim:
jo në shpinë të kalit,
po në bark të aeroplanit.

Po ktheheshim nga ai Qytet.
Nga ajo Bavari e largët, e ftohtë.
Mjekët thoshin për ty s’ka shërim.
Dhe përmendnin shpesh fjalën karcinom.

Ç’udhëtim i gjatë!
Ç’udhëtim i shkurtër!

Kur arritëm
(natën vonë),
sakaq u ndamë.
Unë dola në Shesh t’i takoj shokët
(pas qindmijë vjetësh),
Ti u shtrive të prehesh pak
pranë Zonjës-Mëmë!

(1983)

ObserverKult