Nga Agim Xhafka
Në çdo pragviti më vjen ndërmend nëna ime e bukur. Sa vinte nga puna na dëbonte ne meshkujt dhe u hynte punëve me themeli. Pastrim kudo dhe më e gëzueshmja: ndërronte batanijet e divanit në kuzhinë. Me dy levenxe leshi. Që ishin plot ngjyra e të ngrohtë.
Ne kishim nje divan për 5 veta!!! Por na nxinte. Se rrinim skiç me nga një karrike para për secilin. Origjinal ky pozicion në një kuzhinë 3×3. Dhe dihet se aty gatuanim e aty kishim tavolinën e vakteve.
O zot sa e madhe na dukej atëherë! Por këto ditë nëna më vjen në kujtesë veç për punët dhe gatimet. Dhe sa herë e sjell para syve më del fiks duke u rropatur.
Nëna pastron, nëna qep, nëna andron, nëna gatuan, nëna bën pazar, nëna merr pluhurat, nëna na përqafon, na puth, na jep ilaçet, na mbulon natën, na lan rrobat…
Oh, më mungon nëna ime kur fle.
Asnjë pamje të saj me sy mbyllur. Që ne, familja, ta mbulonim e të flinte ngrohtë. Nuk ndodhi kurrë të shtrihej para nesh apo të çohej më pas. Edhe të dielave e festave.
Më mungon nëna e gjumit. Se ia vodhëm ne, familja e saj. Mbase na lejoi, por më dridhet zemra që e lodha dhe nuk e lejova të prehë sa duhet qerpikun e bukur.
Nëna ime, më mungon shumë. Më dhe oqean me dashuri e çdo ditë zbuloj që nuk kam bërë sa duhet. Nuk ta shpërbleva mundin tënd.
Ike e pagjumë, e mira ime.
Ike e lodhur për të shlodhur mua e të gjithë.
Më fal! Më ndje! E di që më dëgjon. Se me ty flas çdo ditë…
ObserverKult
Lexo edhe: