Ministria e Kulturës ka njoftuar për agjendën e ceremonisë mortore të këngëtares Nexhmije Pagarusha.
Sipas njoftimit për media, nesër më 9 shkurt, në Prishtinë, do të organizohet ceremonia mortore për bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.
Sipas ministrisë, duke filluar prej orës 9:00 – 11:00 do të mbahen homazhet për nder të saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më pas nga 11:00 deri në orën 11:30 do të mbahet akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar.
Ndërkaq në 11:30 – 12:00 do të bëhet nisja e kortezhit nga Teatri Kombëtar duke parakaluar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” deri tek Hotel Grand.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se qytetarët mund të marrin pjesë në parakalimin e kortezhit, por se ceremonia e varrimit do të jetë private.