Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të respektojnë fjalën e lirë dhe të krijojnë një ambient të sigurtë, demokratik dhe të lirë për ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, Leonora Dalipi, anëtare në këtë asociacion, tha se në Kosovë është rritur numri i rasteve të raportimit për pengim në punë, ofendime dhe shantazhe.
Ndërkaq, në një dokumentar që u shfaq në sheshin kryesor të Prishtinës, u tha se gjatë këtij viti në AGK janë raportuar katër kërcënime, një sulm ndaj gazetarëve, si dhe një sulm ndaj organizatave mediale.
“Në vitin 2020, ishin gjashtë kërcënime me jetë, 11 kërcënime të tjera, katër sulme dhe tre kërcënime dhe sulme ndaj organizatave mediale. Kurse, në vitin 2019, në AGK ishin të regjistruara pesë kërcënime me jetë, tetë kërcënime të tjera, shtatë sulme fizike dhe një kërcenim ndaj organizatave mediale”, u tha në dokumentarin e përgatitur nga AGK-ja.