Agolli: E dashur Sadije! Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh…

“Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh”. Deri në fund të jetës, Dritëro Agolli e deshi Sadijen, jo sa vetja. Ai thotë, edhe më shumë. Do të mjaftonin vetëm disa letra, shkëputur nga një letërkëmbim i gjatë, për të kuptuar, ndoshta jo gjithçka, por diçka nga ajo ndjenjë e thellë që i lidhte. Ai, tashmë poet e shkrimtar i konsoliduar, “në moshën e Krishtit”, siç thotë ai, ndërsa ajo, një vajzë, që sapo kishte mbaruar shkollën e punonte si mësuese letërsie në Shkodër.

Ai në Tiranë, ndërsa ajo në Shkodër. Një distancë e gjatë asokohe, kur mjetet e transportit ishin të kufizuara, ndërsa ato të komunikimit përmblidheshin në ndonjë telefon të rrallë, letra e telegrame. Sot, në botën e teknologjisë, së skype-it, whatsapp-it, facebook-ut, ato letrat e zverdhura nga koha dhe të shkruara me dorë, janë edhe më të vyera dhe të papërsëritshme. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të letrave.

Kohë më parë u botuan disa letra që dy të dashuruarit i dërgonin njëri-tjetrit në vitet ’60. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat, kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra.

“Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët!”, shkruan në një prej letrave dërguar Sadijes, Dritëroi.

Ai është më pasionant, ndërsa ajo më e përmbajtur dhe më koncize në letrat e saj. Ndjenjat dhe mallin për Dritëronë i shpreh në pak rreshta, ndërsa ai duket se nuk lodhet duke i shkruar se sa e do dhe sa ia ndien mungesën kur janë larg. Veç dy stileve të ndryshme të të shkruarit, por edhe dy karaktereve të ndryshme, nëpër letra zbulojmë edhe dy të folme.

Ai me të folurën e Devollit, ndërsa ajo të Shkodrës. “Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty”, i shkruan Sadija. Letërkëmbimi, si forcë zakoni, por edhe si një dëshmi dashurie, ka vijuar deri në vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, atëherë kur mendonte se fluturimet e pulëbardhave mbi liqenin e Pogradecit do të ishin të fundit që do të shihnin së bashku./lapsi.al