Agron Gjekmarkaj mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Bardhyl Londos: Amaneti që na la…

bardhyl londo
Bardhyl Londo

Nga Agron Gjekmarkaj

Bardhyl Londo iku lart në qiell tek poezitë e veta! Iku duke lënë pas dhimbje të madhe për vajzat dhe familjarët, iku duke mos i pranuar lutjet tona për të qëndruar! Nga shtëpia e kulturës shqiptare njëri prej bijve të saj madhështore u largua për në “Itake”!

Ike Uliks i kohëve të vështira. Kryqi ishte shenja e letërsisë së tij! Nga Kryqi vime tek ai shkojmë na e pat mësuar këtë gjë të gjithëve! Jeta e zakonshme ajo tokësorja me gjasë nuk i dukej më e mjaftueshme dhe zgjodhi tjetrën atë të pafundmen të përjetshmen. Kujtimet janë ato që kthehen në trashëgimi, munduese e të bukura! Munduese se na vënë përballe mungesës tënde mik i dashur e të bukura se shumë na dhe nga vetja, nga shpirti dhe fjala jote!

Sivëllau yt Pjetër Bogdani pat thënë “veshur me diell e mbathur me hënë”! Ashtu po e merr ti sot rrugën e amshimit! Por ne do ti rrimë lojës së jetës deri në fund! Do ta lëmë një karrige bosh më tavolinë duke të pritur, po edhe gotën do ta mbushim, librin hapur gjithaq e as romuzet nuk do ti kursejmë, me Markun, Paridin, Gentin  e të tjerë!

Po edhe në “kronikën e verës” që me ty hapej gjithmonë do të kthehesh! Nuk qeshim ne pa ty. Njëri-tjetrin do pyesim po Londo do vijë?! Të pritem tek spitali me makinat ndezur po për herë të parë na le pa përgjigje !

Ti na e le amanetin por nuk vdesësh asnjëherë se sytë tanë indiferentë nuk do jenë kurrë mbi poezinë tënde! Shqipëria gëzohet që të pat dhe ajo të qan sot që i ikën qoftë edhe për një ditë!

AMANETI I POETIT

Nëse sytë e tu do qëndrojnë të menduar mbi këto vargje,
unë do të shoh një ëndërr të bukur.
Nëse sytë e tu do të dridhen sadopak nga këto vargje,
unë i gjithi do të kumboj si një kitarë
deri në agim.
Po nëse sytë e tu do të kalojnë indiferente mbi këto vargje,
atëherë unë do të kem vdekur…
Mos harro të vish në varrim.


Lexo edhe:

BARDHYL LONDO: ATDHEU ËSHTË DHIMBJE!