Agron Hazbiu u gjet i vdekur në minierën e bakrit 15 muaj pas prishjes së fejesës së të vëllait me vajzën e Enver Hoxhës: Lidhi dinamit në trup…

Nga Dashnor Kaloçi

 “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli.

Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im.

Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna?

Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy!

Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij.

Përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili ia ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.

Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dossieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, ia ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!

Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al.

Dokumenti sekret me biografinë e Kadri Hazbiut, familjes dhe farefisit të tij, i përpiluar nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 16.10.1982

Vërtetimi biografik i komplikuar

Është kërkuar që të vërtetohet Kadri Hazbiu, biografia e tij dhe e familjes. Janë vërtetuar: Kadri Hazbiu, i biri i Hazbiut dhe i Xhevos, lindur në fshatin Mavrovë të rrethit të Vlorës, ne vitin 1922, me kombësi e shtetësi shqiptare, me origjinë fshatar i pasur, me arsim të lartë, i martuar, i arrestuar, i përjashtuar nga Partia, ish Ministër i Mbrojtjes Popullore, me banim në lagjen nr. 1, rr “Jul Variboba” nr 22. I përmenduri gjatë regjimit antipopullor të Zogut mbaroi arsimin fillor, dhe vazhdoi arsimin e mesëm, në shkollën Tregtare të Vlorës, të cilën e mbaroi gjatë okupacionit.

Në vitin 1942, ai lidhet me lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe punon në terren për grumbullimin e armëve për Lëvizjen. Në Nëntor të vitit 1943, del partizan, Komisar i Batalionit të Dytë në Brigadën e Pestë, ku qëndroi deri në çlirimin e plotë të vendit. Pas çlirimit, qëndron oficer në organet e Punëve të Brendshme me detyrën e shefit të Sigurimit të Ushtrisë, nga viti 1951 deri në vitin 1980, zëvendësministër e më pas ministër i Punëve të Brendshme, nga viti 1980 e deri në 1982, ministër i Mbrojtjes Popullore, kohë që Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i PPSH-së, e shkarkojnë nga detyra për ulje të theksuar të vigjilencës në drejtim të veprimtarisë armiqësore të të gjithë grupeve.

Plenumi i K.Q. të PPSH-së, e përjashtoi nga Partia dhe ai aktualisht është i arrestuar si armik i popullit dhe i Partisë.

Karakterizohet personi i tij se në kohën e Zogut, nuk del të ketë pasur aktivitet politik, gjatë okupacionit ka ndihmuar luftën.

Pas çlirimit, nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, edhe pse u bë anëtar i Byrosë Politike dhe ministër, pasi i ka fshehur Partisë veprimtarinë armiqësore të grupeve që i ka zbuluar Partia. Ka shkelur rëndë vijën e Partisë në Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, e për këtë u arrestua.

Gruaja e tij, Hedije Sali Shehaj, lindur në fshatin Malas, në vitin 1920, rrjedh nga një familje fshatare e pasur, ka qenë gjithmonë shtëpiake, ka dalë disa herë jashtë shtetit për mjekim.

Djali i tij Petriti, lindur në vitin 1954, me arsim të lartë, është inxhinier arkitekt në Institutin e Projektimit Nr 1, është mendjemadh, dhe i martuar me Dhurata Iljaz Fishtën, lindur në Tiranë, në vitin 1956, është mësuese në Liceun Artistik “Jordan Misja”, vajza e tyre Elvana është e mitur.

Djali tjetër, Agroni, ka mbaruar arsimin e lartë të Mjeshtërisë Sportive, punon mësues fizkulture në Teknikumin e Ndërtimit, ka qenë i fejuar me Adelina S….., e cila punon në Degën e V të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilën nuk ka qenë i celebruar.

Kjo e braktisi, kur u shkarkua Kadri Hazbiu nga detyra. Vajza e tij Eleni, ish anëtare Partie, e përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, punon drejtoreshë në shkollën e mesme “Partizani”, është e martuar me Medin Mehmet Çollakun, nga Pogradeci, ish A.P., u përjashtua nga puna në Komitetin për Marrëdhëniet me Botën e Jashtme, vëllai i të cilit Dashamir Çollaku, është oficer në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vajza tjetër Mimoza, ka mbaruar arsimin e lartë, dhe punon mësuese e gjuhës frënge, në Politeknikumin “7 Nëntori”, e martuar me Agron Hajdar Aranitasin, babai i të cilit është A.P., dhe në pension, vëllai i Agronit, Vladimiri, punon në Makina -Import. Babai i tij, është Hazbi Çeno Dautaj, nga Mavrova, ka qenë fshatar i pasur, dhe është marrë me administrimin e pasurisë së tij, ka vdekur në kohën e Zogut.

Nëna e tij Xhevo Dautaj, është nga fshati Shkozë e Vlorës, rrjedh nga një familje fshatarësh të pasur, ka qenë shtëpiake, dhe ka vdekur në vitin 1968. Vëllai i tij, Hasan Hazbi Dautaj, i datëlindjes 1915, gjatë okupacionit ka qenë kryetar Këshilli, ka qenë partizan.

Pas çlirimit ka punuar në tregti, në Vlorë dhe në Tiranë, kryetar i Degës së Kuadrit në ndërmarrjen Rruga-Ura, deri sa doli në pension, është A.P. dhe sekretar i organizatës. Fëmijët e Hasanit, Myfiti ka qenë atashe-tregtar në Suedi, para një jave është kthyer dhe transferuar në Pukë. Arbeni, vazhdon shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe Shqiponja, arsimtare në shkollën “Ylli i Kuq”, e martuar me Fatos Myfit Avdiun, nga Libohova, që është sekretar organizate dhe ekonomist në Kombinatin e Mishit. Vjehrri, Sali Shehu nga fshati Malas i Tepelenës, ka qenë fshatar i pasur dhe ka vdekur para shumë vitesh.

Kunetërit e tij (vëllezërit e gruas) Latifi ka qenë A.P., dhe ka punuar diplomat në përfaqësitë tona jashtë shtetit, sot i vdekur, ka djalë Besnik Shehun, A.P. dhe Punëtor Operativ në Degën e Dytë të Ministrisë së Brendshme.

Vajza Xhina, e martuar me Miço Kiço Kasapin, me punë në Kombinatin Metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan, Vali e martuar me Kudret Çollakun, oficer dhe inxhinier në Ministrinë e Punëve të Brendshme (xhenio) dhe Vera, që punon redaktore në Radion e Jashtme, e martuar me Zyhri Bajrami, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kunetërit, Kapllan Shehu, ka qenë oficer, dhe kryetar i Degës së Brendshme të Lushnjes, kohët e fundit është shkarkuar nga detyra dhe nxjerrë në lirim, me banim në Lushnje. Kunati Ivziu, ka qenë kujdestar shkolle në Tepelenë, ka vdekur. Ka një djalë, Nevzatin, shofer në Gjykatën e Tepelenës.

Një vajzë e tij, është martuar me Njazi Milorin, oficer drejtimi në Degën e 8 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vajza quhet Shaqe dhe punon në Poliklinikën Qendrorë.

Ka kunetër (vëllezër me baba të gruas së tij Hedije) në Elbasan dhe Berat, të cilët kanë fëmijët oficerë. Kunata e tij, motra e gruas, Stoli Çelmeta, është e martuar me Xhevdet Çelmetën, që punon në Tregtinë e Brendshme, kurse Stolia punon në Drejtorinë e Doganës.

Kunata tjetër, Feto Minxolli, e martuar në Delvinë me Daut Minxollin, me qëndrim të keq politik, ka djem Rexhepin, A.P. dhe punon Punëtor Operativ në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, gruaja e të cilit punon në Poliklinikën Speciale, Haliti, ish Drejtor i Institutit të Inspektim-Shpëtim Minierave, i cili është pushuar nga puna për dobësi e të meta, dhe Syri Minxolli, shofer në Gardë.

Të gjithë këta, kanë pasur marrëdhënie të ngushtë me familjen e Kadri Hazbiut, hyrje e dalje.

Kadri Hazbiu, ka kushërinj të dytë (baballarët, djem xhaxhallarësh): Nusret Dautaj, ish Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, vdekur para një viti, ka qenë A.P., Burhan Dautaj (vëllai i Nusretit) A.P., ish-nëndrejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Pirro Dautaj (vëllai i Nusretit), ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme, për një kohë u vu dhe drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në MPB, kohët e fundit u lirua, dhe aktualisht punon në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ivzi Dautaj, oficer në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, është A.P., martuar me mbesën e armikut Mehmet Shehu, Vilson Zotaj, shofer në Parkun e Industrisë dhe është me përbërje të keqe politike, (ka qenë dy herë i dënuar për vjedhje), Minushe Dautaj (motra e Nusretit) pensioniste, A.P., sekretare e organizatës bazë të pensionistëve, e martuar me Namik Dautajn, magazinier në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, banojnë në lagjen nr 8 në Tiranë. Abdulla Dautaj, drejtor i Uzinës së Artilerisë, oficer dhe A.P., Rustem Dautaj, pensionist në Vlorë, Qani Dautaj, banon në Kotë të Vlorës.

Hedije Hazbiu, ka kushërinj të parë (djem xhaxhallarësh) Gjylani Shehu, ambasador në Turqi, një vajzë e tij është e martuar me Gëzim Gogo Nushin, Rebani Shehu, A.P. dhe sekretar partie, është drejtor ndërmarrjeje në Kavajë, djali i tij Sokol Shehu, është Punëtor Operativ në DPB të Tiranës, Arbeni, inxhinier në ndërmarrjen e Peshkimit në Durrës, dhe vajzën të martuar me Florian Kolanecin, oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Xhemal Shehu, ish-oficer në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, liruar me grupin puçist të Beqir Ballukut, me banim në Krujë, vajza e të cilit është martuar me mjekun, Titi Tampuri.

Me të gjithë këta kushërinj, të vetët dhe të gruas, Kadri Hazbiu ka pasur lidhje të ngushta.

Veç këtyre ai ka dhe kushërinj të tjerë dhe të gruas që punojnë në sektorë të rëndësishëm të Partisë dhe Pushtetit, të gjithë këta kanë pasur përkrahje të fortë nga Kadri Hazbiu. Ka gjithashtu kushërirë të dytë Melaize Xhaferraj, që punon në Degën e IV të MPB.

Shënim: Njazi Milori, që përmendëm më lartë, ka vëlla Maksim Milorin, oficer në Drejtorinë e Dytë të MPB, grupi i parë, vëllai tjetër Luan Milori punon në Rinas (aeroport) e ka vjehrrën jugosllave.

Familja e tij, karakterizohet se në regjimin antipopullor të Zogut, ka qënë i pasur dhe këtë e ka realizuar në kurriz të fshatarëve, gjatë okupacionit kanë ndihmuar Luftën Nacionalçlirimtare, dhe pas çlirimit ka dëmtuar rëndë vijën politike të Partisë, në organet e Punëve të Brendshme, duke i fshehur Partisë edhe veprimtarinë armiqësore të grupeve të zbuluara, si dhe veprimtarinë e tij.

Materiali për përpilimin e kësaj biografie, është marrë nga H.L. J.H. M.J. H.C. M.A. T.K. Q.LL. Q.H. që e njohin familjarisht nga vendlindja dhe në Tiranë.

Shef i seksionit

Vullnet Thanasi

Zëvendësdrejtori i Punëve të Brendshme

 Refik Nanaj

 Punëtorët operativë

 Gëzim Bejko   Subi Kaso

Në biografi, nuk del e plotë që Kadri Hazbiu ka qenë agjent në shërbim të zbulimit të huaj, dhe pjesëtar i grupit komplotist të Mehmet Shehut. Pra i tillë ishte armiku Kadri Hazbiu.

Dokumenti sekret i përpiluar nga Punëtori Operativ, Hektor Çiraku, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dinamo”, për ndjekjen e survejimin e Agron Kadri Hazbiut

Dhënë B.p.”Dinamo”

Marrë P.Op. Hektor Çiraku

Raport i datës 18.10.1982

Burimi njofton se mbas komunikimit që ju bë për shkarkimin e Kadri Hazbiut, nga të gjitha funksionet si armik, disa nga sportistët e Klubit Sportiv “Dinamo” që kanë pasur marrëdhënie të mira me Agron Dautaj (Hazbiu) kanë shkuar e kanë takuar në spital.

Ky, ishte i shtruar. Konkretisht burimi, thotë se, kanë shkuar këta sportistë: Besnik Mërgjyshi, Albert Musai, Halit Gega, dhe Muhedin Targaj. Kur burimi, bisedoi me Halit Gegën, dhe i tha “kam marrë vesh se keni shkuar tek Agron Dautaj, Haliti ju përgjigj, po kemi shkuar ditën e shtunë”.

Nga biseda që bëri ai me Andrea Markon, ky i fundit tha se Haliti ka shkuar tek Agroni ditën e martë. Burimi, thotë se; Agron Dautaj shoqëri shumë të ngushtë, ka pasur me Shkëlqim Skifterin, këpucar në Klubin Sportiv “Dinamo”.

Tek shtëpia e Shkëlqimit burimi, thotë se disa sportistë të Dinamos si; Agron Dautaj, Kujtim Çocoli, Arben Vila, e ndonjë tjetër, kanë bërë mbrëmje duke dëgjuar me magnetofon, këngë të huaja.

Ai, e mori vesh këtë nëpërmjet dy anëtarëve të Frontit të Bllokut, ku banon Shkëlqimi, të cilët e kishin bërë problem si atje dhe në Klub.

Ai thotë se Shkëlqimi, ka ardhur në Klub me ndërmjetësimin e Kadri Hazbiut, mbasi me të atin e tij kanë qenë shokë, kanë dalë për gjah (i ati i këtij ka vdekur). Shkëlqimi, është njeri i parregullt, dhe është kritikuar disa herë për dobësi në punë dhe në sjellje.

“Dinamo”

Sqarimi i të dhënës: Besnik Mërgjyshi, Albert Musai, Kujtim Çocoli, Andrea Marko, dhe sidomos Halit Gega, dhe Muhedin Targaj, janë lidhjet më të ngushta shoqërore të Agron Dautit. Shkëlqim Skifteri, ka qenë ushtar në Gardën e RPSSH dhe është hequr urgjentisht prej andej, mbasi u implikua në grupin armiqësor “Rrjeta e Zezë”.

Vlerësimi i të dhënës: E dhëna, ka vlerë ka vlerë se, na njeh me disa momente e rrethana të Agron Dautit dhe lidhjeve të tij.

Detyra: Me interes nga këto lidhje, paraqitet Muhedin Targaj, Halit Gega, dhe Shkëlqim Skifteri, prandaj afrohu e bisedoni me ta, çfarë dini për Agron Dautin, cili qe motivi i shoqërisë dhe çfarë bisedash kanë zhvilluar me të, çfarë ju ka thënë Agroni për të atin e tij, që doli si armik.

Masat Operative: E dhëna, të shtypet në 4 kopje, 2 për grupin operativ, 1 për Drejtorinë e Punëve të Brendshme, dhe 1 për Shkëlqim Skifterin.

 Punëtori Operativ

 Hektor Çiraku

Dokumenti me raport-informacionin sekret të Punëtorëve Operativ, Hektor Çiraku dhe Koço Eftimi, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Dinamo”, për ndjekjen e survejimin e Agron Kadri Hazbiut

Dhënë B.p.”Dinamo”

Marrë P.Op. Hektor Çiraku

Asistoi Koço Eftimi

Raport i datës 21.10.1982

Burimi, njofton se, sot në datën 21.10.1982, paradite bisedoi me këpucarin e Klubit Shkëlqim Skifterin. Gjatë bisedës ai, i tha se; kam qenë në Spitalin Ushtarak ku ishte shtruar Agron Dautaj, për ta pare, me Arben Vilën.

Në spital, Agroni ju tha se babain e shkarkuan nga funksionet që kishte, dhe kur vajti në shtëpi, pasi ja kishin komunikuar vendimin, babai mblodhi ata të shtëpisë dhe ju tha:

“Partia më shkarkoi nga çdo funksion që pata, por ta dini se unë nuk jam armik, as imoral, dhe nuk kam shpërdoruar postin zyrtar”.

Burimi e pyeti Shkëlqimin, po ti ku i more vesh, dhe Agronit kush ja tha?! Ai, ju përgjigj se ishte Petriti që ja kishte thënë këto.

Burimi e pyeti, po Agroni ç’thotë, dhe Shkëlqimi në bisedën me të, i tha Burimit se, Agroni ishte shprehur: “Unë do punoj ku të jetë, që të laj gabimet e babait, se babain nuk e kemi armik dhe për ne është shumë i mirë”.

Ditën e shtunë, kur vajti në shtëpi Agroni, i gjeti duke qarë të familjes, ai i tha: “Pse qani, ne do të punojmë ku të na caktojnë”.

Kurse Petriti i kishte thënë Agronit: “Gone, si u bëmë ne kështu”?! Agroni i tha: “Mos u mërzisni, ne do të punojmë, kush e di do të vijë dhe për ne që t’ja shpërblejmë, duke dhënë dhe jetën, të bëjmë sakrificën për Partinë”.

Kurse motrat, ju kishin thënë burrave dhe djemtë nuseve, se; ne me ju, nuk kemi punë, ju shikoni punët tuaja dhe fëmijët, se kjo që na gjeti ne të mos e vuani dhe ju për kusuret e babait tonë.

“Dinamo”

Sqarimi i të dhënës: Agron dhe Petrit Dautaj, janë fëmijët e armikut Kadri Hazbiu. Shkëlqim Skifteri, është mik i familjes së tyre, i implikuar në procesin e grupit armiqësor “Rrjeta e Zezë”. Arben Vila, është sportist në Klubin Sportiv “17 Nëntori”.

Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë, pasi bën fjalë për reagimet e familjes së armikut Kadri Hazbiu. Ky raport na njeh dhe me disa lidhje të Agron Dautajt (Hazbiu) me interes.

Detyra: Me Shkëlqimin bisedoni përsëri, për të marrë hollësira mbi familjen e Kadri Hazbiut, për qëndrimin e mëparshëm e të kohëve të fundit.

Bisedoni me Shkëlqimin për të marrë reagimet e tij për lidhjet e tij me Agronin dhe njerëzit e tjerë. Sqaroni se cilat janë lidhjet e tjera të Agron Dautit dhe Shkëlqimit, në Klubin Sportiv “Dinamo” dhe jashtë saj.

Masat Operative: E dhëna të shtypet në 4 kopje, 2 për grupin operativ, 1 ti dërgohet Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, dhe 1 për Shkëlqim Skifterin.

Të kontrollohet në kartotekë Shkëlqim Skifteri dhe materialet që ka në ngarkim të tërhiqen, të analizohet e vendoset. Të jepet për buletin e komenteve armiqësore./Memorie.al

ObserverKult


Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Lexo edhe:

TMERRET E KOMUNIZMIT: E ÇUAN TE TELAT DHE E EKZEKUTUAN; DUKE DHËNË SHPIRT, THA VETËM: PËRSE?

“Nuk ma mban dot shpirti, moj nëna e Hysenit. Edhe pak më ka mbetur të rroj. Thashë të pastroj shpirtin. Më shfaqet përnatë Hyseni në ëndërr… “Përse?, më thotë, përse?”…por nuk e vrava unë.

Maksim Rakipaj tregon vrasjen në burg të një prej xhaxhallarëve të tij, Hysen Rakipajt. Të vërtetën, familja e mësoi nga një person i brendshëm i burgut të Tiranës.

Ai tregoi se, ndryshe nga varianti zyrtar, nuk ishte një tentativë për arratisje, por një vrajse e urdhëruar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult