Agron Tufa: Kafsha apo fantazma?

Âsht pjesa ime e kafshës që më mban njeri.

Nuk rrojmë si hije këtij dheu
ndonëse hije kthehemi. Herëdokur…
Prej së tanës nuk vdes vetëm pjesa,
ai substrat fluid që shumëzohet me spore
n’eterin hakërryes të një kujtese përndjekëse.

Kështu do t’i bartim në amëshim,
në disqe fluturuese
fantazmat ngashënjyese të pengjeve.

Djaloshi që ka nisë me u bâ engjull
s’âsht pos mitra e një varri të ardhshëm ajror
me një ushtri fantazmash kryengritëse.

Herët a vonë, ata do shpërthejnë,
ata do mësyjnë
me babëzinë dhe unëtinë
për hajet e harlisuna tokësore.

Mua më mban njeri pjesa ime e kafshës.

Tan jeta ime kalon në shërbim të saj,
si shkabës së përrallës. I vetëm jam
me unëtinë e kafshës përbrenda,
që sokëllin, kërcënon.
Nganjëherëmë avitet miqësisht.
Më ofron shkopin dhe kulaçin.
Hera-herë ia dal
me ia shuejt unëtinë (atëbotë
fundërroj në një paqe fashitëse,
sikur prej meje sapo janë shkarkue
tonelata zhavorri të zi).

Po kafsha zgjohet.
Prore, me një uri të re.
Therëse.
Pickuese.
Kërkon ekzistencë të paqtë
nën shantazh. Kërkon të veproj;
Ia zá frymën, gojën e çapëlyeme,
shkep mish prej vedit –
tan Pemën e Dijes e rrëzoj përtokë…

Po kur mor Zot do të lodhet,
të bjerë e alivanosun
në ditët e saj të mbrame –
kafsha –
e tok me të dhe unë?

O, deri atëherë,
gjallë kanë me ma ngranë zotin dyshimet…

E sikur unë të vdes dhe kafsha
të mbijetojë?
Kush do ta ushqejë kafshën e gjorë?
Po sikur të vdesë kafsha,
si do t’ia dal vallë atëbotë me ushqye
një lukuni të babëzitun fantazmash?

Ku mendohesh kaq gjatë,
ngatërrohen të tana
dhe vesh s’ke me e marrë:
kush të mban njeri –
Kafsha apo fantazma?

qershor 2013