Janë mundimet e Dom Mikel Beltojës kur torturtohej nga xhelati komunist, Shyqyri Çoku, të cilin e dekoroi qeveria e Edi Ramës, vite më parë.
Dëshmi për torturat ndaj klerikëve nëpër burgjet komuniste atë dimër të ftohtë midis dhjetorit 1973 e shkurtit 1974. Është historia e njërit prej klerikëve shqiptarë të vrarë nëpër tortura gjatë diktaturës komuniste
Ato eshtra të klerikut i ka thyer Shyqyri Çoku, i cili për fat të keq u dekorua vite më parë nga ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Ministrja e dekoroi xhelatin si veteran të luftës, ndërkohë që Mimi Kodheli e shefi i saj, kryeministri Edi Rama, i kanë lexuar me siguri tekstet që flasin për shumë jetë njerzish të prera në mes nga xhelati Shyqyri Çoku.
Njëri prej tyre është Dom Mikel Beltoja, i cili e ka falur qysh atëherë, kur si bishë sulej mbi të, për ta sakatuar deri në ashtin më të fundit. E ka falur se është lutur për të që Zoti ta falë bashkë me eprorët e tyre të diktaturës komuniste.
“Hapeni dosjen e Shyqyri Çokut”, tha ish-ambasadori gjerman në Shqipëri në vitet 1987 -1990, Verner Daun. “Hapni dosjen e Shyqyri Çokut dhe nëse është përgjegjës të dënohet dhe t’i hiqet medalja! Të dënohet sipas ligjit për vrasje të shumëfishtë”.
Thirrjes së ambasadorit Lu, askush nuk i është përgjigjur deri tani, ndërkohë që është vërtetuar me dokumente të pakundërshtueshme se xhelati Shyqyri Çoku ka torturuar edhe At Zef Pllumbin e akademikun Sami Rrepishti ndër shumë të tjerë. Xhelati vazhdon ta gëzojë dekoratën që i ka dhënë qeveria e Ramës dhe natyrisht që nuk ka shfaqur asnjë shënjë pendese për krimet që ka kryer.
Ka dëshmi që e ka shqyer gjymtyrësh priftin shkodran që nuk kishte bërë asnjë mëkat tjetër, veçse predikonte besimin në zot.
Luara Keçi ka dëshmuar për torturat që Shyqyri Çoku i ka bërë dom Mikel Beltojës, e ndante veç një mur me qelinë e dom Mikel Beltojes. Ishte vetëm 16 vjeç, kur komunistët e arrestuan sepse kishte guxuar të bënte kryqin. Ishte viti 1973, kur gjimnazistja shkodrane do të torturohej nëpër birucat e diktaturës dhe atje do të shihte me sytë e saj torturat ndaj të burgosurve politik për të veçuar një prej tyre, Dom Mikel Beltojën.
Dëshmia
“Isha 16 vjeç kur u arrestova. Më futën në një birucë dhe aty afër meje në një tjetër ishte Dom Mikel Beltoja. dua të tregoj me pak fjalë si e torturonin njeriun e Zotit. Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku priste vendimin e Tiranës për pushkatim.
Gjella si duket ishte shumë e ngrohtë mbasi nga djegia e saj ndigjohej virrma e priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë.
Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmet e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…
Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme… Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!… Ai vuante pandërpremje e bashkë me té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerrshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit.
Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…, por gjithmonë zhag…
Një ditë prej atyre ditëve të zeza, isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen.
Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova, kur pashë se jam në birucë, por si duket, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje…
Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të them… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.
Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia!, Rrnoftë Krishti!”
Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue, nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës… Dom Mikel Beltoja u pushkatua më 10 shkurt 1974”, rrëfen Laura Keçi./kujto.al
*Dëshmia e Luara Keqit është marrë nga Fritz Radovani, Melburn 2015.
Lexo edhe:
ILIR SHAQIRI: HAPI SYTË SE NUK ËSHTË ËNDËRR…(TEKSTI DHE KËNGA)