Ahmet Selmani: Xhevdet Bajraj, poeti i kohës dramatike

xhevdet bajraj

Nga Ahmet Selmani

IN MEMORIAM
Xhevdet Bajraj (1960-2022)

Xhevdet Bajraj

Xhevdet Bajraj: “Copa ime e qiellit”


a) Metafora e qiellit


Duke u nisur nga titulli i librit poetik “Copa ime e qiellit” të autorit Xhevdet Bajraj, fare lehtë zbresim në rrafshin e një kryefigure me shtrirje përthekuese. Kjo a priori mëton të jetë ose të duket si një emërues i përbashkët në gjithë ecurinë e mëtejme. Dhe, si e tillë, para së gjithash, sugjeron kuptimin e hapësirës ose të lirisë vetore. Në të vërtetë, duke qenë vetvetiu e gjithsecilit, atëherë është e kuptueshme se i përket edhe poetit për ta shfrytëzuar si një të drejtë ekzistenciale. Prandaj, logjikisht kjo figurë merr një karakter programatik, sepse nëpërmjet saj autori e koncepton pak a shumë çështjen e lirisë njerëzore. Ai përpiqet që në suaza të saj ta zbulojnë thelbin e gjërave konkrete që i përkasin atij si qenie njerëzore dhe krijuese. Po ashtu, aty gjendet edhe poezia si një muzë e strukur, të cilën ai arrin ta gjejë me anë të vëzhgimeve dhe përjetimeve të ndryshme. Kështu disi zotohet për ta shpalosur qëndrimin e vet ndaj asaj që ka ndodhur brenda kohës dhe hapësirës së caktuar. Pa dyshim, kjo është një përvojë jetësore e cila rishfaqet herë si dashuri, herë si dhembje, herë si pikëllim, herë si dëshpërim etj. Brenda këtyre sferave fillon shqiptimi artistik i asaj që e ka tronditur qenien e tij. Dhe rrjedhimisht këtë botë të pazakontë e vendos në optikën e një gjykuesi të mprehtë, për ta kumtuar me anë të një ligjërimi të veçantë poetik.


b) Identifikimi ontologjik


Duke qenë një poet i jetës dhe i kohës në kuptimin më dramatik të fjalës, Xhevdet Bajraj pikë së pari bën përkufizimin substancial të poezisë së tij, duke e identifikuar atë në pikëpamje tipologjike dhe ontologjike me vetë rrethanat dhe kushtet objektive që mbizotërojnë. E themi këtë për arsye se poezia e tij lind si një lloj domosdoshmërie krijuese, ose si një frymëzim pothuajse i detyrueshëm, por edhe si një katarzë e zezë e cila patjetër duhet të dalë në sipërfaqe, madje, krahas funksionit artistik, fundja, njëherazi të shërbejë edhe si një dëshmi e kohës gjegjëse. Teksa e lexojmë atë, poeti sikur na e bën me dije se nuk mund të ndërmarrë asgjë tjetër në rrethana të zymta, përveçse të flasë me anë të gjuhës poetike, ta shqiptojë tërë dhembjen personale ndaj asaj që ka ndodhur apo që ndodh në vazhdimësi. Prandaj, ai shprehet kështu kështu:
dikush jetën e mallkuar
e kishte shndërruar në poezi
Siç mund të kuptojmë nga ky kontekst, një identifikim i këtillë nxjerr në pah raportin e kushtëzuar ndërmjet krijuesit dhe jetës, ose realitetit dhe mimesisit aristotelian. Pikërisht ky imponim i pashmangshëm jetësor shndërrohet në krijim artistik. Për shkak të këtij mishërimi kaq të ngushtë, poeti e ndjen të nevojshme të sqarojë:
kjo poezi s’është e imja
këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut
e imja është veç dhimbja
Në një farë mënyre ai sikur orvatet me çdo kusht ta përcaktojë eksklusivitetin, duke na bërë të kuptojmë se një poezi e tillë ka lindur vetëm në kushte të rënda. Thënë fare shkurt, sikur të mos ishin ushtarët e armikut, nuk do të lindte as poezia. Mbase shkaqet i sjellin edhe pasojat, si një dialektikë tragjike dhe poetike njëkohësisht. Nga kjo del se kemi të bëjmë me një art përplot ndjeshmëri të thellë poetike. Dhe relativizimi i autorësisë është vetëm një determinim formal dhe ekzistencial. Ose, këtë mund ta vërejmë edhe në rastin më të skajshëm kur ai shprehet kështu:
duket të jetë një ditë e mirë
për ta varrosur poezinë
Me këtë shpoti tragjike na nxjerr në një rrafsh të vetëkuptueshëm se çfarë ndodh me atë gjendje aq të trishtë e të frikshme. Perceptimi është shumë i qartë, aq më tepër atëherë kur e marrim parasysh se të gjitha gjërat e humbin kuptimin e tyre. Duke u nisur nga kjo, edhe poezia s’meriton tjetër, përveçse të varroset, siç thotë poeti. Fundazi, si mund të vlejë poezia aty ku zhbëhet njeriu? Këtu qëndron thelbi poetik i kësaj ligjësie krijuese. Ose, në rastin tjetër, kur autori thotë fatalisht:
poezia u bë pluhur në erë
S’do mend, cilësimi i këtillë i poezisë paraqet një qasje ekzistencialiste, një përkufizim kryekëput ontologjik në raport me realitetin jetësor. Pra, gjithçka krijohet si pohim dhe mohim, ose si abstragim dhe konkretizim, ashtu siç e diktojnë vetë rrethanat objektive.


c) Libri i jetës/ libri i vdekjes


Në gjithë rrafshin e krijimit poetik vërejmë se autori sillet vazhdimisht në dy skaje të kundërta; në atë të jetës dhe atë të vdekjes. Dhe në bazë të kësaj mund të themi fare lirshëm se aq sa e krijon librin e jetës, po aq e krijon edhe librin e vdekjes. Këtu duket vetvetishëm se metafora merr një kuptim të dyfishtë. Dhje është tepër e hollë kjo ndjenjë të cilën poeti e shfaq në vazhdimësi, duke filluar që nga gjërat më të vogla, e deri te ato më të mëdha. Mbase këtë mund ta pikasim fare mirë që në fillim kur ai thotë:
Lulet
kur lindin
qajnë
si bebet
Kjo na e kujton çastin e ardhjes në jetë; nëpërmjet figurës së luleve, ai e paralajmëron dhembjen njerëzore. Sipas kësaj, vetvetiu nënkuptohet se lindja dhe jeta janë dhembje. Domethënë gjithçka fillon prej saj për të vazhduar më pastaj te gjërat e tjera. Ky është procesi i rrojtjes së parëndomtë ku poetin gjithnjë e shpie fati i keq, ndaj edhe shprehet fare thuktas:
lulëzoj nga tmerri
Gjatë kësaj rrjedhe pak nga pak na e zbulon botën e tij aq të trazuar e traumatike. Aty plekset dashuria dhe dhembja, ankthi dhe tmerri, jeta dhe vdekja etj.
Në të vërtetë, aty mund të shihet se çdo gjë vjen si një kontrast i fuqishëm poetik i cili ndërtohet pikërisht si rezultat i përvojës jetësore. Kështu, jeta dhe vdekja gjenden pranë njëra-tjetrës, herë shfaqet njëra e hera tjetra, gjithnjë duke u përplasur midis tyre. Dhe sigurisht autori shprehet në këtë mënyrë:
Hija e vdekjes e vyshk lulen e jetës
Kjo nënkupton faktin se vdekja është një forcë kërcënuese, e pranishme kurdoherë në rrjedhën e jetës njerëzore. Për shkak të kësaj edhe vetë jeta është tepër e brishtë, shumë e rrëshqitshme në rrjedhën e saj, mund të ndryshojë pa mëshirë, sa çel e mbyll sytë të shndërrohet në vdekje. Prandaj autori thotë:
Jeta vesh rrobat e luftës
e shoh veten në bebëzat e syve të vrasësit
Kjo simbiozë kaq e llahtarshme manifestohet me një intensitet të vazhdueshëm duke vënë në spikamë esencën ekzistenciale, ku njeriu gjendet pranë rrezikut të përhershëm, si shpata e Damokleut, pa mundur dot të shmanget në asnjë çast të vetëm. Dhe këtë e shpreh më së miri edhe nëpërmjet vargjeve siç vijojnë:
unë me xhepat e mbushur përplot klithje të gjalla
pres në radhë për grim vdekjeje
E gjithë kjo situatë e ankthshme e ka shkaktarin e vet. Autori përpiqet që me anë të diskursit metaforik ta shpjegojë atë duke u shprehur me një përcëllimë të pashoqe:
një njeri më i vogël se jashtëqitja e tij
planifikon vrasjen e njerëzimit
Përballë kësaj qesëndie therëse gjithçka e ka të qartë, edhe njeriun, edhe synimin e tij. Dhe medoemos e ka gjetur formulën e mbijetesës, përballjen e pareshtur:
po unë nuk ia kam frikën vdekjes
jeta është ajo që më tmerron
Pra jeta shëmbëllen si një teatër i absurdit ku njeriu është edhe vrasës edhe vdekës, edhe aktor edhe regjisor. Është një paradoks tejet i dhimbshëm, por edhe shumë i vërtetë. Me ngarkesën e kësaj ndjesie tepër rrëqethëse poeti më tej konstaton fare preraz:
dikush jeton përditë
e unë përditë vdes
Sipas këtij mozaiku poetik mund të vërehet mirë se autori shpalos atë që vjen si pasojë e kohës iracionale. Pra, gjërat ndodhin në emër të një lirie e cila i kalon kufijtë e arsyes së shëndoshë. Pikërisht si rezultat i kësaj ngjallet dhembja e pafund. Kështu e mbithekson paradoksin fatal se liria është shkaktare e dhembjes; ajo përdoret për ta mposhtur jetën dhe për t’ia hapur rrugën vdekjes. Ose, me paradoksin tjetër, kur vetë liria bie në duart e të marrëve. Dhe lidhur me këtë, ai shprehet me pikëllim të thellë:
Të marrin e martuan me lirinë
Gjithsesi, ky paradoks i frikshëm bëhet edhe më i rëndë atëherë kur merr përmasa të gjera dhe shndërrohet në një modus vivendi mu para syve të poetit. Me një fjalë, liria shfaqet si vrastare kryesore, si zhbërëse e pamëshirshme. Këtë e paraqet fare thjesht me anë të këtyre vargjeve:
dielli i lirisë
Ia rrjep lëkurën atdheut
Të gjitha këto e përcaktojnë formulën e ekzistencës njerëzore brenda asaj cope të qiellit ku është strukur edhe autori me tërë vetminë e tij, duke e shqiptuar revoltën ndaj asaj që e përshkon realitetin e çrregulluar.


ç) Diskursi racional


Në diskursin poetik që përdor Xhevdet Bajraj brenda vëllimit “Copa ime e qiellit”, ndeshim një mikrosrukturë shumë fine dhe të hollë, asociative dhe sugjeruese, me semantikë të përqëndruar, e cila vjen si rezultat i vetëdijes së lartë krijuese. Synimi i autorit për ta metaforizuar realitetin e trishtë e të çrregulluar, është shumë efikas, i dukshëm dhe i rrokshëm. Kjo nënkupton faktin se gjuha e përdorur nga autori paraqet një aventurë thelbësore, për ta konkretizuar gjithmonë si një substancë të fuqishme artistike brenda vargjeve të tij. Pra figura është mjet parësor dhe themelor, që shndërrohet në një sistem të veçantë poetik, duke krijuar njëherësh tekstin dhe kontekstin, kodin e hapur dhe të mbyllur. Në bazë të kësaj arrijmë që t’i zbulojmë shtresat dhe nënshtresat metaforike dhe simbolike të saj, të cilat gjithsesi janë një çelës i rëndësishëm në ecurinë e perceptimit tonë, ose një shteg i kapërcimit dhe shtegtimit të lirë me tërë intuitën e mundshme.
Kështu mund të nënkuptohet se Xh. Bajraj arrin të komunikojë me një diskurs tejet të ngjeshur, të zgjedhur dhe të kursyer maksimalisht nga fjalamania. Kjo do të thotë se ai është i vëmendshëm dhe i përkushtuar për t’u treguar gjithmonë i thuktë dhe i saktë, duke ofruar në secilin rast kuptim të mjaftueshëm poetik me të cilin e ndërton vizionin ndaj gjërave reale që ekzistojnë në jetën e njeriut. Prandaj, pa asnjë mëdyshje mund të pohojmë se poezia e tij me pak fjalë ofron shumë kuptim, të jep ndjesi të thellë nga për realitetin, të mishëron me qenien njerëzore.
Duke u nisur nga kjo premisë e rëndësishme, në fund sigurisht nevojitet të theksojmë faktin ky autor me krijimtarinë e tij artistike mbetet denjësisht në majat e poezisë bashkëkohore shqiptare, si një zë i veçantë që sfidon kohën dramatike ku jeta dhe njeriu e humbin kuptimin dhe arsyen.

Xhevdet Bajraj: “Copa ime e qiellit” (poezi), botoi “Koha”, Prishtinë, 2015

ObserverKult

Lexo edhe:

XHEVDET BAJRAJ: E DINI, POETËT NUK VDESIN KURRË…