“Ahmet Zogu hyn triumfalisht në Tiranë, ikën Fan Noli”

Më 24 dhjetor 1924, trupat e Ahmet Zogut hynë në Tiranë nga ana e veriut, vetëm pak orë pasi Kryeministri Fan Noli la qytetin nga ana e jugut. Qeverisja 6-mujore revolucionare kishte marrë fund dhe Zogu trumbetoi me të madhe, rikthimin në fuqi të Qeverisë Legale, duke e quajtur edhe “Triumf të Legalitetit”. Vetëm një muaj më pas, do të shpallej Republika dhe ai vetë, Kryetar i Republikës. Deri atëherë, Shqipëria ishte principatë…

Historia: Cilat ngjarje u shënuan më parë?

Më 27 dhjetor 1923 zhvillohen zgjedhjet parlamentare ku fitoi grupi qeveritar i Ahmet Zogut. Opozita akuzon për manipulime të krye zgjedhjeve. Në Peqin u vranë Adem Gjinishi dhe Sheh Isuf Kazazi. Më 24 shkurt 1924, Ahmet Zogut i bëhet një atentat në hyrje të Parlamentit ndërsa po shkonte për tu betuar si Kryeministër i vendit. Autori ishte një djalë nga Mati i quajtur Beqir Valteri, të cilin opozitarët e kishin bindur se po të vriste Zogun do të mbahej mend si Hero Kombëtar. Zogu ia lë drejtimin e qeverisë Shefqet Verlacit, beu më i madh i vendit.

Në kushtet e acarimit të situatës politike, më 20 prill 1924, Avni Rustemi, njëri prej liderëve të opozitës vritet në një atentat. Atentatori Isuf Keçi arrin të largohet nga vendi i ngjarjes. Vrasja ngjall zemërimin e opozitës. Më 1 maj 1924, në Vlorë bëhet varrimi i Avni Rustemit. Varrimi i tij kthehet në një manifestim të opozitës kundër Ahmet Zogut. Nga aty Fan Noli bën thirrje për gjetjen e vrasësve të tij.

Një ditë më par një grup ushtarakësh të quajtur “Klika” dhe deputetët e opozitës organizojnë një mbledhje në kinemanë e Vlorës, ku marrin pjesë 300 përfaqësues nga krahinat e vendit dhe anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” që ishte krijuar nga Avni Rustemi. Mbledhja i dërgoi dy ultimatume qeverisë: Në të parin dënohej vrasja e avni Rustemit dhe kërkohej gjetja e vrasësve të tij. Në të dytin protestohej kundër Ceno Bej Kryeziut (kunat i Ahmet Zogut), i cili konsiderohej nga opozitarët si agjent serb që u shërbente Beogradit dhe forcave të brendshme të djathta.

Më 5 maj 1924, shoqëria “Bashkimi” e krijuar nga Avni Rustemi i bën rinisë shqiptare një thirrje për kryengritje të armatosur ndaj qeverisë. Deputetët e opozitës braktisin parlamentin dhe deklarojnë se do të rikthehen vetëm nëse seancat do të zhvillohen në Vlorë! Ata e justifikonin këtë gjë duke thënë se Tirana ishte bërë e pasigurtë nga mercenarët e Zogut.

Më 16 qershor 1924, revolucionaret formojnë qeverinë e re. Pas bisedimeve të dështuara midis palëve (Fan Noli dhe Sami Vrioni ishin dy kandidatët, pak më herët Sulejman Delvina ishte tërhequr) vendoset me short që në krye të qeverisë të jetë peshkopi Fan Noli. Ministrat e qeverisë janë: Ministër i Financave: Luigj Gurakuqi, Ministër i Punëve të Jashtme: Sulejman Delvina, Ministër i Mbrojtjes: Kasem Qafëzezi, Ministër i Brendshëm: Rexhep Shala, Ministër i Arsimit: Stavro Vinjau dhe Ministër i Punëve Publike: Qazim Koculi.

Ndërsa më 19 qershor 1924, Qeveria e re shpall programin e saj, program që në parim ka reformën agrare. Por në kushtet e Shqipërisë është i parealizueshëm. Qeveria e re ka ministra impresionues në vlerat e tyre individuale por ata kanë shumë divergjenca midis tyre dhe s’mund të punojnë si grup. Fan Noli, kryeministri është një idealist por jo njeri praktik, Qafëzezi dhe Shala janë diktatorë ushtarakë, kurse Gurakuqi me shokë i japin qeverisë ngjyra fetare. Administrata që Noli donte të reformonte ishte plot me besnikë të Zogut dhe Verlacit të cilët filluan të punonin kundër tij dhe qeverisë së revolucionit.

Nga fundi i qershorit deri në fillim të dhjetorit 1924, Qeveria e re mundohet të njihet nga shtetet e huaja. Por asnjë shtet nuk e njeh për shkak se ka ardhur në pushtet në mënyrë të jashtëligjshme. Fan Noli i kërkon një hua Lidhjes së Kombeve, por ajo refuzohet. Lidhen për 4 ditë marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Shtetet perëndimore alarmohen pasi Shqipëria u bë vendi i parë që lidhte marrëdhënie me B.S., dhe një portë e sigurtë e komunizmit në Europë. Kjo nxit Ahmet Zogun të rikthehet në fuqi. Qeveria provon të zbatojë programin e saj por i dalin shumë pengesa dhe programi bëhet i pazbatueshëm. Zhvillohen gjyqe politike ku dënohen me vdekje në mungesë Ahmet Zogu dhe bashkëpunëtorët e tij. Vendi zhytet në anarki për shkak të përçarjeve midis anëtarëve të kabinetit. Rritet pakënaqësia në popull ndaj kësaj qeverie.

Më 10-13 dhjetor 1924, nisin veprimet ushtarake të forcave të Zogut në Dibër dhe Lumë. Ahmet Zogu lajmëron Anglinë, Francën dhe Jugosllavinë për veprimet e tij, që miratohen në mënyrë unanime nga këto shtete.

Ahmet Zogu rikthehet në fuqi me ndihmën e trupave të tij besnike dhe rreth 50 ish-ushtarëve të Ushtrisë së Bardhë Ruse, duke rrëzuar Fan Nolin, i cili gjithashtu kishte ardhur në fuqi me dhunë.

Zona e Lëvizjes ishte në zonat e Hasit, Kukësit, Dibrës e Tiranës.

Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyn në Shqipëri së bashku me shokët e tij: Ceno Bej Kryeziun, Muharrem Bajraktarin, Prenk Pervizi, Hysen Selmanin, Koço Kotën, Myfid Libohovën dhe rrëzojnë qeverinë shumë të kontestuar të Fan Nolit, qeveri që nuk u njoh nga jashtë dhe që nuk i mbajti premtimet e bëra. Rikthimi i Zogut në pushtet u quajt “Triumfi i Legalitetit”.

Zogu i kërkoi parlamentin për të përcaktuar një sistem qeverisës. Parlamenti miratoi shpejt një kushtetutë të re, shpalli Shqipërinë republikë, dhe i dha Zogut kompetenca të pakufizuara (diktatoriale). Kushtetuta parashikonte një republikë parlamentare me një president të fuqishëm si në krye të shtetit edhe të qeverisë. Asambleja Kombëtare e zgjodhi Ahmet Zogun president për një mandat shtatë-vjeçar, dhe po kjo Asamble, me pak ndryshime kushtetore, e shpalli Zogun mbret më 1 shtator 1928. Deri në vitin 1991, Zogu ishte i vetmi shqiptar që kishte mbajtur titullin “President i Repubikës”. Gjatë viteve të komunizmit Shqipëria kishte Kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

***

Parlamenti i Parë shqiptar: Fjalimi i dorëheqjes së Fan Nolit dhe debati me Ahmet Zogun 

Është e vërtetë që ndodhesha në Tirane kur u votua ligji i intermimit të fëmijëve të dezertorëve, por nuk isha në Parlament, as mora pjesë në bisedime. Veç kësaj, nga njëra anë, Guverna jonë e zbatoi këtë ligj me një shtojcë, të dekretuar prej kabinetit pasi kisha dhënë dorëheqjen dhe, nga ana tjetër, unë nuk e atakova guvernën aq për interni­min e fëmijëve të dezertorëve se sa për internimet politike pa ndonjëe faj e pa ndonjë bazë në Toskëri, ku s’kishte asnjë shenjë për lëvizje kryengritëse. Ja disa shembuj midis të tjerash: Disa familje nga Bilishti, nga Hoçishti e nga Les­koviku u internuan me gra e me çiliminj e u munduan më kot e pa arsye larg vatrave të tyre për disa muaj. Sa për sigurinë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë dhe veçanërisht në malësi, më vjen keq t’i përsëris ministrit të Punëve të Brendshme që kam shumë dyshime. Shembulli i tregtarit të thëngjillit për të cilin fola më parë është tipik për mungesën e sigurisë nën këtë guvernë. Ky tregtar ka punuar në Gurëz e në Breg të Matit njëzet vjet me radhë, përpara Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës së Përgjithshme, në kohën e operacione­ve të ndryshme, dhe në kohën e të gjithë kabineteve tonë të mëparshëm. Po në kohën e këtij kabineti, pasi e pësoi atë që iu tregova më parë, dmth pasi u plagos prej një vrasësi ku udhëtonte i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë e prej një zyrtari të shtetit, tani ndodhet në kryeqytet e nuk guxon të kthehet në malësi për të shikuar punët e tij.

Ministri i Punëve të Brendshme na bëri dy shaka kur u qa se po e kritikojmë që ç’armatosi popullin e shtypi kryengritjen. Nuk e atakova se ç’armatosi popullin; por i hoqa vërejtjen mbi faktin që ç’armatosja materiale nuk arrin për të prerë kryengritjet, pa ç’armatosjen morale. Që ta them më të shkoqur, nuk arrin t’i marrësh armët një njeriu e ta bësh mik e të sigurohesh nga pusitë e tij, para se të pajtohesh me të thellësisht. Nuk e atakova guvernën se shtypi kryengritjen, por se nuk e parashikoi, se nuk kishte marrë masa për të mbrojtur kryeqytetin, se mori në qafë me qindra njerëz krejt të pafajshëm e se armiqësoi popullin e Shqipërise së Mesme pa shpresë pajtimi kush e di për sa vjet. Ministrit të Luftës kam për t’i thënë se për veshjen e ushtarëve, nuk jemi të verbër, ne i shohim qysh janë të ve­shur ata ushtarë që ndodhen në kryeqytet, e që e marrim me mend sa më ligsht janë veshur ata që ndodhen në provincë. Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që rroga e oficerit tonë është e vogël e që s’u mbetka tjetër shpërblim përveç grad­imit. Përkundrazi, rrogat e oficerëve tanë janë më të mira se në Itali e më të mira se kudo në Ballkan e në Europën Qendrore…

Sa për çështjen e shqiptarëve të Izmirit, është e vërtetë që isha ministër i Punëve të Jashtme kur bisedohej kjo çështje, po unë e lashë ndryshe dhe u mbarua fare ndryshe. Ja me pak fjalë historia e kësaj çështjeje: një nga para­ardhësit e mi i kishte kërkuar qeverisë italiane mbrojtjen e qytetarëve shqiptare, atje ku nuk kemi përfaqësues e as konsull dhe, veçanërisht në Izmir. Guverna italiane e pranoi me gëzim këtë barrë dhe i kërkoi guvernës sonë hollësi mbi pasaportat dhe mbi taksat konsullore. Në një përgjigje të dhënë prej meje, e falenderonim qeverine italiane për këtë lehtësi…

Konflikti u rreptësua dhe kapërceu e marrëveshjes, kur u vendos të shkoja në konferencën e Gjenovës. Unë isha i mendjes që s’duhej bërë asnjë emërim pa pëlqimin tim nga njëra anë, dhe që, nga ana tjetër, duhej të pyetesha për çdo çështje të jashtme me rëndësi, para se të jepej një vendim. Kryeministri, i cili duhej të bëhej zëvëndës i punëve të jashtme ishte i mendjes që mund të bënte çdo veprim dhe emërim në degën e jashtme pa më pyetur fare, sa kohë ndodhesha jashtë Tiranës. Kur i tërhoqa vëretjen që unë do të shtrëngohesha të jepja dorëheqjen, sapo të behej ndonjë emërim apo veprim pa pëlqimin tim, Kryeministri më tha se mund ta jepja dorëheqjen. Duke parë se kolegët e mi, të gjithë pa përjashtim, pëlqenin pikëpamjen e Kryeministrit, e dhashë dorëheqjen time që atë minutë, i gëzuar që s’isha i nevojshëm për plotësimin e kabinetit…

Kur Këshilli i Lartë na e ktheu buxhetin me vërejtjen e arsyeshme se qysh kishte ndër mend guverna na mbulonte deficitin prej më shumë se dhjetë milion franga ar, atëhere e gjeta rastin t’u them kolegëve të mi që Këshilli i Lartë kishte të drejtë të mos aprovonte një buxhet të çale dhe shkela këmbë që buxheti të balancohej duke zbritur të pri­shurat sipas të ardhurave të shtetit. Asnjë nga kolegët e mi s’u bashkua me mendimin tim dhe kryeministri e shtrëngoi Këshillin e Lartë të aprovojë buxhetin me një deficit prej më tepër se dhjetë milion franga ar, pa ndonjë projekt se si do te mbulohej ky defiçit. Shkela këmbë që në krye të thirren me një herë or­ganizatorë të huaj për ministri të ndryshme. Vendimi u dha, por unë vura re që kolegët e mi s’kishin dëshirë dhe as nxi­tim që ky vendim të vihej në veprim. Provën e kini përpara sysh. Guverna jonë s’ka sjellë asnjë organizator veç organi­zatorit austriak të ushtriseë i cili rastisi të ndodhej këtu dhe të cilin guverna jonë s’e ka lënë të bëjë asnjë organizim…

Tani, zoti Kryetar, nemni leje të bëj disa vërejtje mbi aluzionet e bukura dhe të holla të zotit Sejfi Vllamasi për sëmundjen time misterioze e për gishtin e jashtëm si dhe për aluzionin e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili disa ditë më parë na cilësoi zotin Gurakuqi dhe mua si mbrojtës të Mustafa Krujës. Ju pyes ju, kujt u drejtohen insinuata dhe këto aluzione? Atyre që kanë vite e vite që punojnë për çështjen e Shqipërisë? A është nevoja të mbrohemi kundër këtyre insinuatave?

AHMET ZOGU:

Davaja e Emzotit është më tepër si mbrojtje për veten e tij për dorëheqjen që ka dhënë, se sa një protestë kundër qeverisë. Sa për çështjen e buxhetit, për të cilën flet zotëria e tij nuk dua të jap përgjigje e këtë pikë ia lë zotit Kryeministër.

KRYEMINISTRI: Me gjithë që fjalët e Emzot Nolit nuk janë të drejta për shka kam edhe dëshmitarë, nuk dua të jap përgjigje. Nuk ishte nobël për zotërinë e tij të jepte dorëheqjen në një kohë aq kritike nëpër rrugë…

EMZOT FAN NOLI:

Me sa e dinit ju se është kohë anormale, pse zoti ministër i Brendshëm na siguronte se nuk ka farë frike. Pra, për mua nuk ishte kohë anormale.

AHMET ZOGU:

Sa për fjalët që kam thënë se çu­ditem se si zoti Gurakuqi dhe Emzot Fan Noli i dalin zot tradhëtarëve, kjo nuk do me thënë se ata janë tradhëtarë. Dhe i nderoj shumë si atdhetarë të mirë, por me gjithë këtë çuditem. Sa për fjalët që tha Emzoti se ne jemi çirakët e ustallarëve, dua t’i përgjigjem në një mënyre, duke kërkuar prej zotërisë së tij që mos t’i marrë për keq. Zotëria e tij është një orator shumë i mirë, por përdor pak fjalë hovarda, që në gjuhen gjermane dmth spitzbube. Vimë tani në çështjen e Gurzit. Në Gurëz është një pyll shumë i madh, në atë pyll u shti një pushkë dhe u plagos një njeri, siç tha zotëria e tij. Zotëri, ç’mundet të bëjë qeveria pse në pyll shtihet një pushke? Sot një jayë, kur erdhën disa deputetë për t’u ankuar për këtë çështje, qeveria dha urdhra të rrepta për këtë pune.

Bëhen dhjete minuta pushim, pas dhjetë minutash mbledhja mbështillet prapë.

STAVRO VINJAU:

Mbi fjalët e zotit ministër të Dre­jtësisë, kemi për të thënë se nuk është e vërtetë ajo që thotë zotëria e tij, se gjykatësit kundërshtuan, të lëshojnë punën e tyre, edhe prandaj ajo ministri u detyrua t’i kërrente prej krahu me policë. E vërteta është se me tërë veprimet e saj, ashtu edhe me këtë vepër, ajo shkeli ligjin….

*(Shkëputur nga:  “Debat parlamentar para një shekulli”,  Filip Rrumbullaku)