Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Dridhemi që të tretë, tri frymë të kësaj vatre që po dobësohet…

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Dy vjet pa djalin tonë të mirë, Luranin: Vështirësitë s’i përjetuam sa ishe ti pranë nesh!

Nga Xhabir Ahmeti

Ftohtë, sa ftohtë!
Jashtë dielli u ka shtri dorën kurorave të drurëve dhe e përkëdhel blerimin. Dal në ballkon ngadalë me barrën e dhembjes. Të shoh. Horizonti jehon nga ngrohtësia. Kumbullat dhe kajsitë kanë çelur. Kandrat e shpezët e kanë lënë vetminë pas shpine në dimrin që iku. Janë vënë në lëvizje. Njerëzit nguten nëpër vogëlsinë e tyre midis Kashtës së Kumtrit. Gëlon jeta. Pranverë. Pres mos po e çon dikush dorën në shenjë përshëndetjeje! Jo, jo! S’ka kush e drejton një përshëndetje si më parë kur dilje ti në ballkon. Kthehem në dhomë. Brenda ulërin kotësia. Kurse në shpirtin tonë bie borë.
Dhe marshon vetmia. E errësira.

Ftohtë në shpirt, ftohtë në dhomë! Këtu në këtë dhomë ku jemi strukur pushtetin e ka boshllëkhu. Na vret heshtja. Heshtin orenditë, setra e varur, pasqyra dhe piktura. Dëgjohet i ngulfatur vetëm ngashërimi ynë nëpër të ftohtin e vetmisë. Dhe, era që fishkëllen duke rrëshqitur nëpër xhamat e dritareve. Dridhemi që të tretë, tri frymë të kësaj vatre që po dobësohet! Dhe heshtim! Pikëllimi vallëzon para nesh dhe dëgjohet klithma e të panjohurës që na kanoset: jeni vetë, jeni të padukshëm! Neve na renditen nëpër kujtesë shumë fjalië tuat nga bisedat që i kemi pasur. Aty shndrit dashuria që kishe ti për familjen, për vatrën, aty është burimi i dashurisë së djalit për prindër, i motrës për vëlla, i burrit për grua dhe përfundimisht i babait për të bijën, një burim që na u tha padrejtësisht!

Sot është data 25. Muaji i njëzet e katërt që mbetëm pa Ty! Dy vjet! Dy vjet sa dy shekuj që na anashkalon dielli! Dy vjet brenda mureve të ftohta të pasigurisë! Sa të vështira janë çastet me këto pamje të akullta! Një realitet polar ku na solli fati, neve që po e ndërtonim që po i hapnim shtigje ëndrrës së përgjithshme të kulturës.
Sa ftohtë!

Që të treve na mban në grusht pasiguria. Ajo na ka ngritur kufij të tmerrshëm e s’na lë një hap ta bëjmë jashtë pushtetit të saj! Ngërdheshet me ironi sa herë që ngrihemi ta ndezim një qiri të vogël, për pak dritë sa ta lexojë nëna një lutje për Ty Luran, djali ynë i mirë! Pastaj nga pamënitë e së kaluarës depërton e na vjen zëri yt me një pikëpyetje:
A po nirthni?

Gjithandej nëpër dritare akulli ka bërë grafitë të çuditshëm. Ajo gjendje vetvetiu flet për dimrin polar që po na mban në simbolikën e të ftohtit të pafund. Ato janë pamëni të egra që s’i kemi parë kurrë sa ishe ti pranë nesh, sepse me ty ne e ngritëm këtë oxhak të krenarisë, Lurani ynë. Prandaj mundohemi ta mbrojmë këtë oxhak!
Të duam shumë, shumë, shumë!

ObserverKult


Lexo edhe:

LURAN AHMETI, GJITHÇKA NË TË ISHTE ESTETIKE…JETËN E PATI ART, NJASHTU EDHE VDEKJEN!