Ai kuptoi se ata që jetonin atje qenkëshin të çmendur…

Adolfo Bioy Casares

Nga: Adolfo Bioy Casares (1914 – 1999)- shkrimtar argjentinas, një nga autorët më të shquar të letërsisë fantastike universale.

POSTRIMERÍAS*

Kur hyri në ndërtesë, kërkoi shkallët për t’u ngjitur. Ishte e vështirë t’i gjente. Pyeste për to, dhe disa i përgjigjeshin: “Nuk ka”. Disa të tjerë i kthenin kurrizin. Gjithmonë arrinte t’i gjente dhe të ngjitej në katin tjetër. Shpesh herë qëllonte që shkallët të ishin të dobëta, të ngushta e të vështira, por atij i shtohej besimi. Në një kat kishte një qytet, me sheshe dhe me rrugë të projektuara mirë. Binte dëborë dhe po zbriste nata. Disa shtëpi – të gjitha ishim me përmasa të vogëla – ishin të ndriçuara gjallërisht. Nga dritaret dukeshin burra dhe gra me dy këmbë statuje. Nuk mund të qëndroje dot midis atyre xhuxhëve. Vuri re një palë shkallë të jashtme prej guri, që të çonin në katin tjetër. Ky kat ishte një paradhomë ngrënieje, ku kamerierët me xhaketa të bardha dhe me sjellje shumë të keqe, pastronin servise çaji. Pa ia hedhur sytë, i thanë se kishte ende kate dhe se mund të ngjitej. Mbërriti në një tarracë me parqe të gjera të mjegullta e të bukura, por pak të trishtuara. Një grua me fustan të kuq kadifeje e pa e tmerruar dhe u zhduk përmes një peizazhi të pafund, duke tundur kokën e duke qarë. Ai kuptoi se ata që jetonin atje qenkëshin të çmendur. Mundi të ngjitej në një kat tjetër. Kishte një arkitekturë të brendshme prej anijeje, ku gjithandej sundonte druri dhe hekuri i lyer me bojë të bardhë. Aty gjeti një shkallë të përdredhur si kërmill. Përmes saj u ngjit në papafingo, ku ndodheshin ca kusi që derdhnin ujë të nxehtë në katet e poshtme. “Mbi zjarr është qielli”, tha dhe, i sigurt për fatin e vet, u kap te një tub për t’u ngjitur edhe më lart. Tubi u përthye dhe prej tij shpërtheu avull që i rrëqethi krahun. Kjo e bindi që të vazhdonte të ngjitej edhe më. Mendoi: “Në qiell do të digjem.” Pyeti veten se në cilin kat të poshtëm duhej të zbriste. Por, e ndjeu se në asnjë kat nuk do të gjente dot vend. Kjo nuk do të thoshte se nuk mund të kishte një banim të përkohshëm për të, sepse pikërisht ferri është vendi ku njeriu beson se i përket atij.


*postrimería – kështu quhen në fenë katolike katër etapat e fundit nëpër të cilat kalon qenia njerëzore: vdekja, gjykimi, ferri dhe parajsa.

Përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

BAJRAM KARABOLLI: FOLA ME VETEN… PËR T’IA BËRË QEJFIN…