AI po bën “kërdi”/Ja pse duhet të fshini zërin tuaj nga rrjetet sociale

Përpos benefiteve që ka sjellë, Inteligjenca Artificiale (AI) është kthyer në mjet efektiv edhe për mashtruesit në internet apo akoma më keq kriminelët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kthyer në fenomen mjaft shqetësues, mashtrimi nëpërmjet zërit. Imagjinoni sikur përgjigjeni në telefon një ditë dhe dëgjoni një zë që është fiks me atë të një anëtari të familjes tuaj dhe që ju thotë se është grabitur. E në fakt kështu ka ndodhur në Amerikë. Sipas Komisionit Federal të Tregtisë në SHBA, gjatë vitit 2024, amerikanëve iu morën plot 12.5 bilion dollarë nga këta mashtrues.

Po si funksionon?

Programet e AI nuk duan më shumë se pak sekonda për të regjistruar zërin tuaj dhe ta ruajnë atë, për t’u përdorur më pas për çfarëdo lloj qëllimi. Zëri juaj apo i një të afërmi bie në duart e mashtruesve krejt kollaj. Duhen 10 sekonda nga një video që ju mund të keni postuar në rrjete sociale.

Edhe opsionet që ofron ChatGPT apo Microsoft VALL-E mund të jetë një hapësirë ku zëri juaj keqpërdoret. Mashtrimet nuk janë diçka e re, por metodat e tyre teknologjia i ka bërë më të sofistikuara dhe bindëse. Prandaj ekspertët sugjerojnë që llogaritë tuaja në platformat sociale t’i mbani private. Mbani vetëm njerëz që njihni dhe u besoni, më e mira është të hiqni regjistrimet audio prej aty.

2-Step Verification është po ashtu i këshillueshëm, se vetëm kështu kufizohet thuajse 100% mundësia që llogaritë tuaja të sulmohen. Nëse vendosni të dhënat tuaja, shmangni zërin. Mund të vendosni gjurmët e gishtave tuaj.

Duke qenë se sot është bërë shumë e thjeshtë gjetja e të dhënave të dikujt, që nga anëtarët e familjes, puna që bën apo informacione të tjera, mirë është t’i kufizoni këto. Google ka një mjet të ri të quajtur “Results About You” ku ju mund të shihni nëse informacionet personale shfaqen në rezultatet e kërkimit dhe t’i fshini. Mundohuni ta bëni herë pas here!

ObserverKult


Lexo edhe:

KATËR MËNYRA SESI T’I DALLONI FOTOT E KRIJUARA NGA INTELIGJENCA ARTIFICIALE