reklamë

Ajne Ibërhysaj: Klithmë në labirintin e pushtetit

Recension për romanin “Kandidati për Kandidat” të autorit Arben Çejku

Nga Ajne Ibërhysaj

Romani “Kandidati për Kandidat” i autorit Arben Çejkut, është një pasqyrë reflektimi i realitetit të demokracisë së brishtë shqiptare ku e vërteta thyhet në përplasje me mekanizmat e fshehtë të pushtetit partiak, duke na sjellë përmes këtij romani një teatër të kontrolluar nga dora e të fortit brenda partisë. Kjo vepër nuk është thjesht një rrëfim letrar, por është një trokitje e qartë në ndërgjegjen qytetare, një thirrje në forme klithme në labirintin e pushtetit, që fton lexuesin të reflektojë mbi mënyrën se si po deformohen përfaqësimet politike për pushtet.

Me një qasje të thellë, autori arrin të ndërthurë satirën me një realizëm të hidhur, duke krijuar një narrativë që të trondit për nga përmbajtja. “Kandidati për Kandidat” shfaqet si një metaforë e fuqishme e një sistemi që prodhon iluzionin e zgjedhjes duke na sjell një dëshmi të hidhur dhe po ashtu edhe një akt kritik ndaj një demokracie në krizë.

Arben Çejku, ka një karrierë të pasur në diplomaci, gazetari dhe publicistikë, ish Ambasador i Shqipërisë në Kosovë (2005-2009) dhe Maqedoninë e Veriut (2009-2013), njohës i mirë i politikës rajonale dhe integrimeve Evropiane, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i ACGG-së. Romani “Kandidati për Kandidat”, përmes personazhit me të njëjtin emër me titullin e librit pasqyron frymën politike brenda partive përmes satirës së lehtë, që e nis  ditën me një “gabim” të vogël, por domethënës: Ai pa dashje, në vend që të shtypë minus një, e shtyp numrin 11 dhe ngjitet në katin e njëmbëdhjetë. Ky detaj i thjeshtë shndërrohet në metaforë të qëndrueshme gjatë gjithë narratives së romanit.  

Përmes këtij personazhi, autori sjell vrullin e verbër të ndërgjegjes sonë politike, idenë se asgjë nuk ndodh pa arsye. Siç shprehet në libër. “E paskam bërë vetë gabimin, por sa duket me ndonjë komandë hyjnore, përderisa u ngjita lart. Ngjitja është shenjë e mirë në çdo kuptim, prandaj le ta shtyp edhe një herë minus njëshin që të zbres,”

Ironia ndaj vetes, sarkazma e lehtë dhe humori i mbrehtë e shoqërojnë librin nga fillimi në fund. Por rrëfimi nuk ndalet këtu. “E mira nga qielli” vjen edhe me mesazhin domethënës, që shfaqet në makinë: “Ju lutem, ecni pak përpara!” Të ecësh pak përpara  por ku të shkoj?

Këtu lind dilema thelbësore: të qëndrosh apo të ecësh tutje? A duhet kandidati të vazhdojë, apo të ndalet? Autori e shtjellon këtë dilemë përmes një analize të brendshme ku ngjitja shndërrohet në shenjë fati apo bërrylash: “Unë fillimisht shkova lart, u ngjita, në vend që të zbrisja. Kjo është, në të vërtetë, një shenjë e qartë se fati më kërkon të ngjitem.”

Megjithatë, sipas personazhit, gjithçka do të marrë kuptim vetëm nëse vjen një shenjë e tretë: “Nëse vjen shenja e tretë, do të mendoj seriozisht se ai atje lart po flet dhe duhet të jem vigjilent.” Pikërisht Kandidati për Kandidat ka një “pse” për të kandiduar,  ai gëzon një autoritet nga puna e tij si avokat dhe mund të përballoj çdo “si” po këtu fillon beteja e heshtur mes asaj që jemi dhe asaj që duhet të jetë shoqëria. Ai nuk e bëri konsultimin formal me familjen për rikthimin në betejën politike, ku mori një kundërshtim dhe mospajtim të hapur për ecjen e mëtutjeshme, në mungesë të kësaj mbështetje në mendjen e tij, kandidati nuk kishte nevojë për miratimin e të  shoqes, kur para syve i kishin ardhur tri shenja hyjnore, ai nuk do të pyeste askënd tjetër.

Autori A. Çejku thekson skepticizmin te identiteti kolektiv, sepse aty ku është pikënisja për caktimin e dobisë individuale, për t’i krijuar dobitë  në të ardhmen është i nevojshëm  identiteti i qëndrueshëm në bazë të së cilit në një afat kohe të gjatë mund të llogariten shpenzimet dhe përparësitë: që mund të bëhet vlerësimi i dobive, individi që llogarit këtë duhet t’i sigurohet pëlqimi i një kolektivi që krijon identitet ku i përfaqësuari mund të kërkojë prej përfaqësuesve të tyre që t’u përshtatën interesave  të tyre  e si zëvendësim me këtë ofrojnë besnikërinë kolektive.

Kandidati sipas autorit, Çejku është i denjë për t’i përfaqësuar interesat dhe ofron besnikëri kolektive por dy përpjekjet e mëparshme i kishin lënë në shpirt vulën e dështimit  dhe në publik, sloganin e bërë tatuazh si: “Kandidati për Kandidat”. Përtej kësaj frike për një dështim të  tretë si kandidat do ta godasë përfundimisht reputacionin e tij dhe besnikërinë kolektive.

Këtu autor A. Çejku nuk është në pajtim me qasjen e identitetit politik këtë paradoks mund ta shpjegoj me faktin se pjesëmarrja në zgjedhje qëndron aty se individi është i kyçur në parti.  Autori përmes personazheve të librit shfaq mungesën e demokracisë së brendshme brenda partive, ku  kandidatët për deputet caktohen nga lartë e jo nga baza ku vendimet merren nga një njeri i vetëm ose një rreth shumë i ngushtë ku anëtarësia ekziston vetëm si dekor, mendimi ndryshe nuk shihet si pasuri por si rrezik, nuk dëgjohet por etiketohet si qasje problematike.

Ashtu siç shprehet autori në libër “Jo çdo propozim që sjell baza duhet pranuar”, siç thotë edhe kryetari i partisë: “ ka njerëz që ne kemi shmangur nga lista jo për faj të tyre ose për mungesë vlerash, por se në parti na janë krijuar rrethana të tilla që jemi detyruar të marrim vendime ndryshe”, pra autori këtu shpreh: “politika  nuk vuan nga mungesa e njerëzve që flasin por nga mungesa e njerëzve nuk mbajnë përgjegjësi ku demokracia brenda partive politike është “mobilje ekspozite”, listat zgjedhore janë mjet kryesor i kontrollit kush është besnik futet kush ka mendim për çdo tentativë për demokraci të brendshme të ndëshkon nga dora e zgjatur e “shefit” andaj pa parti demokratike nga brenda është iluzion të presësh demokraci të shëndetshme në shtet, me këtë rast autori shprehet: “një kapiten i mirë e çon anijen në breg, pavarësisht nga vështirësitë dhe kostot”.

Prapë, duke ju referuar mendimit të autorit në këtë roman, për mungesën e reformës brenda partive, ai shprehet: “Duke mos bërë ndryshime brenda partisë krijohen grupe interesi dhe lobime që na bllokojnë – mori guxim e tha Breg Kodra”. Vetëm atyre personave, që ne do t’u bëjmë telefon dhe do t’i takoj unë privatisht këtu në zyre para se t’i diskutojmë në kryesi janë kandidatë për deputet ”.

Autori A.Çejku në këtë roman përmes personazhit Kandidati për Kandidat, përfaqëson individin racional, parashikimin e sjelljes së individit në fushat që nga vendimi i votuesit deri të ajo e vendimit të kandidatit. Kjo intuitë e verbër apo egoiste që mund ta quaj e shtyn kandidatin të besojë gjithnjë e më shumë, deri në momentin kur folësja e lajmeve njofton: “Nga Zyra e Presidentit të Republikës njoftohemi se sapo është firmosur dekreti për zgjedhjet e reja parlamentare.” Këtu fillon ajo e vërteta e hidhur që përfaqëson ata individë që partitë politike i përdorin duke na pasqyruar tragjikomedinë politike shqiptare  ku qëllimi i vetëm i kandidatëve  në tregun politikë është zgjedhja (apo rizgjedhja) e tyre në  pozita publike të njëjtë emra, e gjatë kësaj autori i librit  A. Çejku aq mirë e prezanton në tregun politik duhet të vlejë sovraniteti i votuesit e jo autoriteti i shefit te partisë. Përmes romanit “Kandidati për Kandidat”, Çejku evidenton mungesën e zgjedhjeve të brendshme dhe demokracisë reale në parti, ku çdo frymë ndryshe në këtë sistem politik shtypet nën frymën e demokracisë delikate ku çdo urdhër veprimi vjen vetëm “nga lart”.

Kjo mungesë e demokracisë bën që asnjë kandidat me frymë ndryshe të mos “marr atë thirrjen telefonike të shumëpritur”, nëse strukturat nuk ndërgjegjësohen nga poshtë-lart. Lideri mbetet fryma e vetme drejtuese, që vendos, orienton dhe manipulon me masën.

Një pjesë e simpatizantëve, duke besuar se po shohin ndryshim, fillojnë të besojnë sepse, me mjeshtëri, lideri arrin të mashtrojë opinionin publik dhe vet individin, për aq kohë sa ka pushtet dhe “moral politik” dhe ndjen nevojë për ta.

Autori, përmes satirës, vë në lojë inteligjencën superiore që dallon nga masa, por që shpesh mposhtet nga naiviteti kolektiv. Siç thekson Hannah Arendt: “Virtyti, përkatësisht besnikëria ndaj udhëheqësit, shërben si talisman që siguron fitoren përfundimtare të gënjeshtrës dhe trillimit mbi të vërtetën dhe realitetin.” Më tej, Arendt shprehet: “Është në natyrën e lëvizjes që, kur udhëheqësi ka marrë përsipër postin e tij, i gjithë organizimi të identifikohet aq plotësisht me të, saqë çdo pranim gabimi apo largim i tij do të shkatërronte magjinë e pagabueshmërisë që e rrethon.”    Kandidati mbetet në pritje të lajmit “nga lart”, duke përjetuar një vetmi mendore, shtigjeve të një labirinti që e kthen individin në qenie të izoluar brenda partive politike. Dilema mbetet: të qëndrosh apo të bëhesh pjesë e kësaj mendësie të centralizuar rreth liderit?

Në përfundim të romanit, pritja ashtu siç pret edhe vetë Kandidati për Kandidat,  mbetet fakti më i dhimbshëm shpresa tek ndryshimi.

Kriza e kohës sonë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, dhe përvoja shumëvjeçare e subjekteve politike dëshmojnë se zgjedhjet e brendshme vazhdojnë të bëhen vetëm si një premtim që koha i ka zhveshë, ndërsa ndryshimi shndërrohet në një ëndërr të bukur me retoriken e vazhdueshme “unë jam ndryshimi”. Në fund të këtij recensionit për romanin “Kandidati për Kandidat” po e përmbyll me thënien e Uill Roxhers i cili thotë: ”aq më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të pranoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”.

Mars, 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Ajne Ibërhysaj: Hije në valë