Dritëro Agolli – poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetej krijimtaria e tij.
Poet i njohur, prozator, publicist, eseist, kritik, mendimtar dhe veprimtar politik, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lindi në Menkulas të Devollit, më 13 tetor 1931. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen e kreu në shkollën “Asim Zeneli” (Gjirokastër), ku bëri dhe sprovat e para letrare. Në vitet 1952–1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit. Në vitet 1957–1972 punoi si redaktor e gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”. Në vitet 1973–1992 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Agolli ishte një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip. Ai ishte prurësi i poezisë së “unit” të fortë. Prirja për vetëpohim u duk qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola” (1958), por u shpreh më qartë në poemat “Devoll-Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten”. Poezia e Agollit nuk e ndan të përgjithshmen nga vetjakja, bën sintezën e kolektives me individualen. Ai ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës – frymën popullore.
Agolli krijoi një gjedhe të re vjershërimi, që ndiqte Naimin, duke mëtuar risinë. Rruga e rritjes së tij të shkallëshkallshme poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), “Mesditë” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999).
Dritëro Agolli shfaqi në poezi një përfytyrim vetjak për “temën e madhe”, duke kërkuar madhështi poetike prej përjetimeve të subjektit të zakonshëm; duke zgjeruar shumëfish hapësirën e realitetit në poezi dhe duke i ndryshuar rrënjësisht raportet ndërmjet tyre. Kjo poezi ndikoi në tërësi për një klimë letrare më të butë në Shqipëri. Krijimtaria poetike e tij në thelbin e vet është liriko-epike, ndryshe nga ajo tradicionale, që mbahej kryesisht në lavdinë epike. Dritëro Agolli e pruri poezinë shqipe prej shqetësimit të përgjithshëm te shqetësimi i njeriut. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, i babait. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë. Në këtë tipar të poezisë së tij shfaqen gjurmë të botëkuptimit panteist bektashian. Agolli krijoi në poezi imazhin e një Shqipërie ideale.
Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema “Nënë Shqipëri”. Gjatë gjithë rrugës së vet krijuese më se gjysmëshekullore, Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore. I vëmendshëm ndaj dramave të mëdha të popullit, ai u bë njëherësh poeti i dhimbjes vetjake të njeriut. Agolli njohu një ringjallje poetike në dy dekadat e fundme. Me vëllimet poetikë “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpalli sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Në këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj.
Në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit nuk ka përthyerje që lidhen me këto ndryshime. Ajo është poezi e vlerave dhe shqetësimeve njerëzore, poezi e krenarisë dhe dramës, e lartësimit dhe goditjes, e nyjëtimit të gjendjeve poetike të imëta dhe fine. Agolli përballoi me dinjitet sfidën për t’i dhënë vlerën e merituar lirisë.
Vepra më e hershme në prozë e tij është vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964), që u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Këto tregime, një pjesë e të cilëve u ribotuan në fund të vitit 1980 në librin “Njerëz të krisur”, janë të mbushur me personazhe jotipike. Në to heronjtë paraqiten bashkë me cenet e tyre, duke iu shmangur skemës për heroin tipik pozitiv. Romani “Komisari Memo” (1970) është vepra më e angazhuar e Agollit në prozë. Në të autori poetizoi “kohën e komisarëve”, që ishte pjesë e kultit të luftës antifashiste, e cila sundoi për shumë kohë letërsinë shqipe. Figura më e plotë e romanit është komandanti Rrapo, i cili bën pjesë brenda llojit të “njerëzve të krisur” që përmban në tërësinë e vet letërsia e Dritëro Agollit. Në romanin “Njeriu me top” (1975) ai zbuloi një marrëdhënie tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të I. Kadaresë sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i armës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, personazhi qendror i librit bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ndonëse romani merr një temë nga lufta, nyja dramatike e tij qëndron në faktin universal se morali i një brezi ka ardhur në kundërshtim me atë të brezit të mëparshëm. Romani “Trëndafil në gotë” (1980) u prit me nënçmim nga mendimi letrar si një “libër rozë”. Me këtë vepër Dritëro Agolli provoi të bënte një sfidë tjetër në letërsi, duke krijuar një personazh, drama e të cilit është se gjendet midis disa dashurish. Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i tij konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njëri-tjetrit, dy personazhet kryesorë, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse në të gjitha veprat me karakter humoristik, janë pasqyrë e anës qesharake dhe njëherësh dramatike të funksionimit të burokratizmit. Zyloja është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën. Ndryshe nga shumë burokratë të tjerë skematikë që kishin përmbytur jo vetëm letërsinë shqipe, por edhe publicistikën, Zyloja është një burokrat me dramë. Në thelbin e kësaj vepre, si dhe te romani “Arka e djallit”, qëndron antiskematizmi. Këtë të fundit Dritëro Agolli nisi ta shkruajë në fillim të vitit 1980, për ta përfunduar në fillim të vitit 1990. Në jetën shqiptare kishte hyrë ndërkaq një kuptim tjetër i lirisë. Romani e përballoi horizontin e ri të pritjes. “Arka e djallit” është një vepër e shkruar me shkujdesje ndaj disiplinës. Ajo është dëshmi për faktin se personalitetet e fuqishëm të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese.
Dritëro Agolli, duke vendosur në qendër të romanit të tij kërkimin e një tabuje, duke kërkuar të ndaluarën, shfaqet me një përmasë mendimi që gjendet mbi lirinë shtetërore. Shkrimtari arrin një shkallë të lartë lirie me “romanin brenda romanit”, me “arkën e djallit”, ku gjendet vepra e ndaluar. Ajo quhet “Shakaja e ndaluar”, titull që të kujton romanin e njohur disident të M. Kunderës “Shakaja”.
Në këtë shkallë të lirisë krijuese Agolli realizon një vepër ku nuk ka censurë dhe autocensurë. Disa prej veprave më të arrira të tij kanë qenë nën vëmendjen ideologjike të autoriteteve zyrtare. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre në mënyrë të heshtur (në vitin 1990 autori botoi variantin e plotë të veprës). Për “kundërvajtje ideologjike” u qortuan edhe dramat “Mosha e bardhë” dhe “Fytyra e dytë”. Ndërsa për romanin “Dështaku”, që pruri te lexuesit një realitet me dramë, u mbajt heshtje. Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja. Ka qenë deputet në Kuvendin Popullor dhe në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjislatura (1974–2005).
Agolli ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në vitin 2011 Dritëro Agolli është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës./ ObserverKult