Akademia e Shkencave e Shqipërisë promovoi dy fjalorë: “Fjalor i gjuhës shqipe” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” i Aleksandër Xhuvanit.
Kreu i këtij institucioni akademik Skënder Gjinushi theksoi se synimi ynë është që përmes fjalorëve të bëhet e njohur fuqia shprehëse e gjuhës shqipe jo vetëm në gjendjen e sotme, si gjuhë e njësuar, por edhe në rrjedhat e shekujve, prej fillimeve deri më sot.
“Ky fjalor, për të cilin është punuar më shumë se dhjetë vjet, mbështetur në një traditë shumë të vlefshme që kanë fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, është një arritje e veçantë e botimeve tona akademike. Është i pari fjalor që është përgatitur duke pasur si pritës të parë shkollat, nxënësit dhe mësuesit, programet shkollore, duke plotësuar një nevojë parësore të tyre, në kushtet kur gjuha shqipe po zhvillohet si një gjuhë e hapur e ndërkomunikim intensiv me gjuhë të tjera”, tha Gjinushi.
Gjinushi u shpreh se, “është i pari fjalor i hartuar për të shërbyer si medium që lehtëson zotërimin e shqipes si gjuhë në zhvillim për brezat e rinj. Është i pari fjalor që ka pranuar në përmbajtjen e vet edhe qindra fjalë që kanë hyrë në përdorim shumica me shqiptim si në gjuhën e huaj për shkak të zhvillimit të pandalshëm të teknologjisë, duke përfshirë edhe atë të informacionit, me të cilën jemi të gjithë përditë në komunikim”.
“Fjalori i Aleksandër Xhuvanit u përgatit nën kujdesin e prof. Memishës dhe me bashkëpunimin e punonjësve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Ky fjalor, pjesa më e madhe e të cilit ruhej në dorëshkrim, ka pritur gjatë, deri sa u bë e mundur të botohej. Është një vepër me rëndësi jo vetëm për të plotësuar personalitetin e gjuhëtarit të paharruar Aleksandër Xhuvani, por edhe për të pasuruar shqipen në pikëpamjen leksikore me një lëndë që vetëm një njeriu që e kishte lidhur jetën me gjuhën mund t’i binte në sy. Prandaj urime prof. Memishës dhe përgatitëses së botimit Engjëllushe Kara”, vijoi Gjinushi.
Ai shtoi se, “rruga që hapi Kolë Ashta, me Leksikun historik të shqipes, me fjalorin e autorëve të vjetër nga Buzuku deri tek Bogdani, është një nga mënyrat për të nxjerrë nga arkivi fjalët dhe format e vjetra të gjuhës sonë dhe për t’i kthyer në komunikim libror e ndoshta dhe bisedor”.
“Në anën tjetër, fjalori i Ismail Kadaresë, i nisur por ende i papërfunduar; fjalori i Martin Camajt, për të cilin po punohet; fjalori i Dritëro Agollit, fjalori i shkrimtarëve bashkëkohorë në Kosovë, është një rrugë tjetër për të certifikuar gjendjen e sotme të shqipes dhe rekordet e saj në vepra vetjake”, tha Gjinushi.
Ai bëri të ditur se, “gjatë këtij viti do të botojmë edhe një fjalor krahinor, fjalorin gjuhësor e etnografik të Malësisë së Mbishkodrës, përgatitur nga akad. Gjovalin Shkurtaj. Kështu, fjalorët historikë, fjalorët dialektorë dhe fjalorët njësues, zhvilluar në përpjesëtim të arsyeshëm, na japin mundësi të paraqesim gjuhën tonë jo vetëm si kod komunikimi mbarëshqiptar, por edhe si trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar”.
“Në këtë kahje shkon edhe vëmendja jonë ndaj punës së jashtëzakonshme që po bëjnë kolegët tanë arbëreshë, akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà, para së gjithash me fjalorin e madh digjital të arbërishtes së shkruar dhe të folur, pastaj edhe me nismën tjetër shumë të rëndësishme për të regjistruar trashëgiminë arbëreshe si pasuri e rrezikuar në listat e UNESCO-s”, u shpreh ai.
Gjinushi theksoi se, “tashmë ka filluar edhe botimi i rimarëve të poetëve më të njohur, që përbën një prirje krejt të re, pas asnjë traditë të mëhershme. E kemi quajtur vitin e kaluar vit të fjalorëve dhe vit fjalorësh do të jetë edhe 2021-shi. Para së gjithash sepse ka nisur puna për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, me mbi 110 mijë fjalë e shprehje frazeologjike, një nga tre projektet tona madhore në albanologji; që ka gjetur edhe mbështetje shtetërore me burime financiare dhe që do të realizohet si bashkëpunim ndërakademik e ndëruniversitar midis gjuhëtarëve të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera”.
“Kështu, brenda 2-3 vjetësh, do të realizohet një ëndërr e hershme e shkrimtarëve rilindës dhe e atyre që erdhën më pas dhe do të hapet rruga për të kaluar nga fjalorët dhe korpuset elektronikë, tek një thesaurus shterrues i gjuhës sonë, për të cilin do të na duhet të punojmë relativisht gjatë. Dy botimet që përurohen sot janë nyja të këtij zinxhiri punësh, realizimesh dhe projektesh, që janë arritur e do të arrihen në të ardhmen”, përfundoi Gjinushi fjalën e tij gjatë promovimit të dy fjalorëve./ATSH