Javën e kaluar Kolegji “ILRIA”, Prishtinë, nderoi me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviç”, Akademikun Rexhep Qosja.
Në këtë veprimtari morën pjesë personalitete të shquara të jetës shkencore në Kosovë e më gjerë: përfaqësues të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (ASA) Tiranë, përfaqësues të Institutit Albanologjik të Prishtinës, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfaqësues të Universitetit të Shkupit etj., si dhe të ftuar nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë.
Veprimtarinë e përshëndeti prof. dr. Mixhait Reçi, President i Kolegjit ILIRIA si dhe Sekretari të parë i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, z. Zllatko Vnuçec.
Prof. dr. Isak Shema, Rektor i Kolegjit “ILIRIA”, paraqiti Vendimin e Jurisë për dhënien e çmimit shkencor akademikut tonë të shquar.
Më tej referuan prof. Dr. Agim Vinca, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe prof. dr. Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ASA, Tiranë.
Në fund, Akademiku Rexhep Qosja lexoi një Fjalë falënderuese, e cila në vetvete ishte edhe një analizë e punës së bërë në Albanologji dhe më gjerë si dhe një program pune për çka duhet të bëhet sot dhe në të ardhmen në këtë drejtim.
Në vijim gjeni fjalën e plotë të Prof. Dr. Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, në këtë ngjarje:
Të nderuar të pranishëm!
Ndihem tërësisht i nderuar dhe i privilegjuar që të them dhe unë fjalën time në këtë ceremoni të rëndësishme për t’i dhënë akademikut Rexhep Qosja Çmimin shkencor ndërkombëtar 2019, “Aleksandër Stipçeviç”.
Kultura e një kombi është e mbushur me përpjekje, beteja, luftëra e sakrifica të pashembullta në udhëtimin historik. Në këtë kulturë është mishëruar puna, mendja, madje dhe jeta e qindra e qindra personaliteteve, që ditën ta projektojnë kështjellën e saj, t’i hedhin themelet e t’ia lartësojnë muret. E një nga këto personalitet është dhe akademiku ynë i nderuar Rexhep Qosja.
Seneka shkruan se “Jeta nuk vlerësohet për nga gjatësia, por për nga përdorimi i saj dhe mund të ndodhë, siç ndodh shpesh, që të rrosh shumë e të jetosh pak!”. Akademik Rexhep Qosja e ka jetuar e po e jeton jetën dhe, sa i takon kohës së sotme shqiptare, aq i takon edhe gjithëkohësisë kombëtare!
Ai identifikohet me ndihmesa të shumëfishta në disa fusha. “Krijues poliedrik, historian i letërsisë dhe kritik, prozator dhe dramaturg, eseist dhe publicist polemist, Rexhep Qosja është një nga figurat më të shquara të shkencës dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare.” – shkruan për të Jorgo Bulo.
Akademiku ynë nuk e ka reshtur për asnjë çast punën, duke u kthyer në misionar për të pasuruar, për të mbrojtur dhe për të afirmuar vlerat identitare të kulturës e të kombit tonë. Ai mishëron përkushtimin e punën e paorarshme, disiplinën e rreptë dhe produktivitetin e vlertë, duke na dhënë (e ne duke pritur të na japë edhe më tutje) për rreth gjashtëdhjetë vjetësh mbi 40 vepra të klasifikuara, si vepra historiko-letrare, vepra letrare, vepra historike dhe historiko-dokumentare, vepra publicistike, vepra polemike e vepra memorialistike. Vetë ai, në një intervistë të parapakkohshme, thotë: “Unë jam njeri i lirë. Gjithë pasuria ime është biblioteka”. Por, duke shprehur edhe mendimin tuaj, them se vetë vepra e akademikut formon një bibliotekë të mirëfilltë, që i bën nder kohës dhe të ardhmes.
Vepra e veprimtaria e tij, shkencore e jo vetëm, është barazuar me rolin e një institucioni në jetën tonë kulturore, por unë do të pohoja pa ngurrim se ajo është një universitet më vete. Me të po formohen e do të formohen breza të tërë qytetarësh e dijetarësh. Mbi të janë ndërmarrë e do të ndërmerren dhjetëra e qindra studime shkencore. Me të drejtë studiuesi Agim Vinca pohon se “Nuk mund të shkruash për asnjë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, duke filluar prej De Radës e Naimit e gjer te Lasgushi e Migjeni dhe poetët e prozatorët bashkëkohorë në tërë arealin shqiptar, pa e konsultuar më parë veprën e Rexhep Qosjes. Nuk mund të shkruash për asnjë problem të rëndësishëm të letërsisë shqipe, përfshirë këtu edhe problemin kompleks të periodizimit të saj, pa iu referuar studimeve të thelluara e gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në koncepte moderne teorike e estetike të këtij autori”.
E theksojmë që personaliteti shkencor i akademikut Rexhep Qosja është shumëdimensional e shumëvlerësh. Vështrimi edhe veprimi i tij shtrihen në shumë fusha të gjera e pjellore dhe në çdo fushë ka vënë vulën e vet. Polivalenca e veprimtarisë dhe e krijimtarisë së tij, që nga shkrimtari, kritiku, publicisti, gjuhëtari si krijues e përpunues origjinal i mjeteve të shprehjes etj., plotësohet me atë të qytetarit të përkorë e deri me atë të një politikani të kushtuar.
Profilin e tij shkencor e identifikojnë, së pari, studimet për historinë e letërsisë sonë kombëtare. “Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në trollin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset bashkëkohore të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe, në mënyrë të veçantë një nga degët më të reja të saj, historiografia letrare, probleme dhe aspekte metodologjike të zhvillimit të saj dhe të kulturës, gjithçka që ka të bëjë me progresin shpirtëror, mendor e shoqëror të popullit të vet dhe u shërben përpjekjeve për mbrojtur identitetin etno-kulturor të kombit, nuk është e huaj për interesat intelektuale, për ndërgjegjen shkencore e qytetare të R. Qosjes”, – shkruan akademiku J. Bulo.
Akademiku R. Qosja, me punën shkencore me një spektër të gjerë e të thelluar, me metodat shkencore bashkëkohore të studimeve, institucionalizoi historiografinë letrare si disiplinë shkencore të mirëfilltë, ngriti prestigjin e saj dhe konstituoi shkollën shqiptare historiko-letrare. Si debatues i ashpër, por i drejtë dhe argumentues bindshëm i arsyetuar, ai pranon për vete: “Unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete”. Për këtë duke iu referuar përsëri akademikut J. Bulo, “rëndësia e kontributit të R. Qosjes në studimet letrare nuk qëndron thjesht në rrethin e gjerë të çështjeve që ka bërë objekt studimi, por në radhë të parë në thellësinë dhe në metodën e trajtimit të tyre, në risinë metodologjike dhe në mjeshtërinë e analizave të formës e të poetikës së zhanreve letrare, në pasurinë e ideve dhe të zgjidhjeve shkencore që jep ose të tezave të reja”.
Jo vetëm sipas meje, akademiku R. Qosja është personaliteti më përfaqësues i albanologjisë sot, me kontribute të shumta e cilësore në studimet letrare, por edhe me ato në gjuhësi, që janë të paçmueshme. Nuk ka vepër të akademikut, ashtu si nuk ka segment të veprimtarisë së tij në funksion të çështjes kombëtare, ku të mos jetë e pranishme paradigma e gjuhës shqipe. Ai thekson që “Gjuha është biografi e popujve, sepse në gjuhën dhe me gjuhën më mirë se në çdo dokument material, ruhet historia e tyre intelektuale, sociale dhe morale. Gjuha është instrument shoqëror i komunikimit ndërmjet njerëzve, me të cilën është krijuar, në të cilën jeton dhe në të cilën njëkohësisht, vazhdon të krijohet thesari më i çmuar i çdo populli”. Dhe më tej shkon me siguri shkencore drejtpërdrejt në vlerësimin e gjuhës sonë amtare: “Me strukturën e saj gramatikore dhe me thesarin e pasur leksikor, gjuha shqipe është dëshmia më e mirë e prirjes, e fuqisë krijuese, e pasurisë shpirtërore dhe e emocionale të popullit tonë. Gjuha, në të vërtetë, është pasuria jonë më e madhe”.
Paradigma e shqipes tek akademiku shpërfaqet veҫanërisht në vlerësimin e shqipes standarde. Delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, ai e vlerëson Kongresin, pa asnjë lëkundje, si ngjarjen më të madhe në historinë kulturore e qytetëruese të popullit shqiptar. Përhershëm dhe qëndrueshëm ai ka qenë mbrojtës i vendosur i i standardit dhe përdallohet kundër çdo qëndrimi mohues, shpërbërës a shndërrues të saj. Profesori ka këmbëngulur për ruajtjen e pastërtisë së shqipes e pastrimin nga huazimet e panevojshme, e sidomos për pasurimin e saj me brumin e mjetet e veta. Me shqetësimin e thellë prej shkencëtari, intelektuali e qytetari, akad. R. Qosja ngre zërin fuqishëm për rënien e kulturës gjuhësore në ligjërimin zyrtar, në shkollë, në publicistikë, në diskurset politike etj., ashtu si me indinjatë ngre zërin për zbehjen e kujdesit shtetëror e shoqëror për gjuhën, si tipari themelor i identitetit kombëtar, por dhe si mjeti më funksional përbashkues ndër shqiptarët sot.
Vetë vepra e akademikut R. Qosja dëshmon në mënyrën më të mirë vlerësimin për shqipen standarde. Ai zotëron mjeshtërinë të shkruajë në disa stile e ligjërime dhe të trysnojë këdo me forcën e bukurinë e ligjërimit të vetë, me aftësinë për t’i dhënë peshë, për ta ridimensionuar e për ta bërë shumëfunksionore fjalën shqipe. Në çdo frazë e rresht duket dora e njohësit të magjisë së shqipes, e arkitektit të ngritjes së fjalës në art, e biseduesit të shprehjes së përpiktë, e përdoruesit me mjeshtëri të simbolikës gjuhësore e poetike në mjetet leksikore, frazeologjike e sintaksore për t’u realizuar bukur, qartë, shqip!
Vepra letrare, memorialistike, publicistike e shkencore bëhet sendërtuese e konceptit të tij për shqipen e hapur, sidomos në leksik e në sintaksë. Te kjo vepër, në të gjithë përbërësit e vet, shpaloset ligjërimi i autorit, sendërtohet prirja për intelektualizimin dhe demokratizimin e shqipes letrare, herë-herë duke i thyer kufijtë midis ligjërimit libror dhe atij bisedor a duke i ndërthurur si rrallë kush ata. Studiuesja Shefkije Islamaj shkruan: “Gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde me kufij të zgjeruar. Asaj nuk mund t’ia veshësh treguesit a asnjë idiome organike, edhe pse brenda saj përdallojmë veçori të dialektit gegë, në rend të parë elemente leksikore të ligjërimit gegë, por edhe shmangie të qëllimshme në nivele të ndryshme gjuhësore. Në të vërtetë gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde në kuptimin jo vetëm të përfshirjes, por edhe të krijimit të risimeve gjuhësore të nevojshme për shprehjen e tij gjuhësore-artistike.”
Akademiku Rexhep Qosja përdallon edhe në fushën e kritikës shkencore, modelon, kthehet në gjedhe e në shkollë për metodat e studimit. Ja çfarë mendon ai: “Rëndësia e krijimtarisë artistike, në këtë mes poetike, nuk varet prej përkatësisë së saj në këtë apo atë drejtim letrar, në këtë apo atë shkollë, prirje ose rrymë letrare; rëndësia e krijimtarisë poetike, si edhe rëndësia e krijimtarisë artistike përgjithësisht, varet prej vlerës së saj estetike pavarësisht nga përkatësia ideo-stilistike. Kjo është alfa dhe omega e të gjitha gjykimeve mbi letërsinë dhe mbi artin përgjithësisht, sado një numër i kritikëve tanë nuk e kanë të qartë asnjëherë, qoftë në mungesë të një informimi më të plotë estetik, teorik dhe historiko-letrar, qoftë edhe për shkak së ashtu do të humbnin një pseudoargument të përpjekjeve për pushtimin e hapësirave të interesit në kulturën tonë.”
Vepra shkencore e letrare e akademikut R. Qosja është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës sonë, kur proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit e të emancipimit të përgjithshëm të popullit shqiptar, janë bërë pjesë e kusht i qenies dhe i ardhmërisë së vet në rrjedhat e jetës dhe të qytetërimit modern. Vepra e tij është “sui generis” në llojin e vet. Në të gjallon vetëm e tëra, vetëm kombi dhe kultura kombëtare, në të nuk ka vend për parcelizim e margjinalizim. Shqipëria është një! Dhe këtu qëndron përmasa madhështore e prurjeve të shumanshme të akademikut. Profesori, përmes një personazhi thotë se në këtë vend ka shumë varre e pak vend për jetë. Dhe vetë ai udhëtoi e udhëton në një vend që varret e të rënëve për kombin janë të panumërt dhe në atë pak vend (në atë pjesë Shqipërie të copëtuar në 6 shtete) luftoi e lufton duke u kthyer në misionar e duke rimarrë një vlerësim të mirëgoditur, si rilindës të kohëve të sotme. Ai është e do të mbetet krijues si rrallëkush, me qëndrimin përherë aktiv e luftarak për gjithçka që lidhet, drejtpërdrejt ose jo, me shqiptarët me jetën e vendin e tyre, me fatin e të ardhmen e tyre.
Koherenca e mendimit të akademikut R. Qosja, e qëndrimit dhe e vlerësimit të gjërave, si dhe këmbëngulja në çdo çështje për të ndryshuar a për të mbrojtur diçka, ka themel të shëndoshë bindjen tek e vërteta, tek argumenti shkencor, te kultura e lartë qytetare dhe te fryma e shëndoshë atdhetare.
Të nderuar pjesëmarrës. Dhënia e çmimit “Aleksandër Stipçeviç” akademikut Rexhep Qosja, nderon akademikun tonë të shquar, ashtu si emri dhe vepra e R. Qoses nderon e lartëson vetë emrin e studiuesit të shquar. Ai bëhet kështu shprehës i vlerësimit të një personaliteti me emrin e një personaliteti tjetër të spikatur të kulturës e të shkencës arbnesho-kroate, por edhe shqiptare, të studiuesit e të akademikut me vepra madhore për vazhdimësinë iliro-shqiptare.
Dhënia e këtij çmimi mbart mesazhin e madh, më domethënësin e kohëve të sotme, të cilin po e ftilloj përmes një fjale të urtë shqiptare: “Gur gur bëhet mur” (po risjell dhe një herë në vëmendjen tuaj muret e kështjellës, së cilës iu referova në fillim të fjalës sime), por përmes veprës së R. Qoses dhe nderimit të tij me emrin e A. Stipçeviç jepet mesazhi se “Gur gur bëhet urë”, para së gjithash urë bashkimi, urë për të njohur, për të vlerësuar e për të respektuar jo vetëm rrënjësinë e ilirësinë tonë, por edhe për të pranuar prurjet e kombeve me të cilët kemi ndarë të shkuarën e synojmë të ardhmen, si dhe për të marrë nga njëri-tjetri e për t’i dhënë njëri-tjetrit. Akademik Rexhep Qosja tashmë i ka bërë vend vetes, ai ka vetëm vend madhor e qendror në ndërtimin e urave të tilla.
Po e mbyll këtë fjalë motivuese me urimin: Jetë të gjatë akademikut tonë të shquar! Le të shohim prej mendjes e dorës së tij vepra të tjera shkencore e ngjitjen drejt apogjeut!
Faleminderit!/ ObserverKult