Akademiku Ali Aliu, fitues i çmimit shtetëror të Maqedonisë së Veriut


Akademik Ali Aliu është shpallur fitues për këtë vit i çmimit shtetëror “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.
Çmimi Shtetëror “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, ndërsa jepet nga një këshill i posaçëm për mirënjohje ndaj njerëzve të shquar nga jeta shkencore, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut për bashkëjetesën mes kulturave të ndryshme.
Akademiku Ali Aliu në fjalën e tij tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit, ku ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.
“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritoj këtë nder dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu, njofton Akademia e Shkencave të Shqipërisë.