Akaki Khorava, gjeorgjiani që luajti Skënderbeun- dikur i dashur, por sot i harruar…

Nga Elis Kullo

Nëse ka një grup personash, të cilët shoqëria shqiptare i ka lënë në harresë, njëri ndër ta është padyshim Akaki Khorava, aktori gjeorgjian që ka interpretuar rolin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në filmin kushtuar atij, me të njëjtin titull, pra “Skënderbeu” (realizuar më 1953, dhe edhe sot pas pothuajse 70 vjetësh mbetet i vetmi prodhim kinematografik, temë interesante kjo se pse regjisorët shqiptarë nuk kanë tentuar ta portretizojnë më mirë apo në një këndvështrim ndryshe).

Pavarësisht mendimeve të ndryshme që gjithkush mund të ketë, ekziston ideja e përgjithshme se filmi ka dalë i realizuar shumë mirë, po të marrësh parasysh së paku dy fakte:

1.Filmi ka arritur të marrë 2 çmime dhe një kandidim tjetër në festivalin e Kanës.

2.Vështirësitë e kohës dhe mungesën e përvojës, pasi për pjesën shqiptare të stafit, kjo ishte e para herë që kontribuonte në realizimin e një filmi.

Për të riardhur tek aktori Akaki Khorava, kurioz është fakti, se edhe pse të gjithëve na është ngulur në kokë ideja e burrit me flokë dhe mjekër të dendur, ai në jetën e tij të përditshme ka qenë komplet ndryshe, pa flokë dhe mjekër.

Për karrierën e tij para dhe pas filmit, por edhe për periudhën e xhirimit të filmit, nga shtypi dhe studiuesit e artit shqiptar është shkruar pak.

Kohët e fundit në Shqipëri është marrë vendimi që dy shkolla të reja të marrin emrat e një gazetari dhe një ish-kryeministri të ndjerë.

Pa hyrë fare në polemikë, mendoj se as njëri, as tjetri, me gjithë keqardhjen për ndarjen nga jeta para kohe, nuk ka kontribut të mjaftueshëm për t’u vendosur emrat përkatës dy shkollave.

Ndoshta edhe një shkollë me emrin Akaki Khorava mund të tingëllojë një ide e tepruar, por ama një kinema, një teatër sot mund të mbante emrin e tij.

Ah harrova, në këto institucione i kemi zhdukur njëri pas tjetrit.

Sidoqoftë, Akaki Khorava u lind më 1895, në Gjeorgji, dhe vdiq në kryeqytetin e vendlindjes së tij, në Tbilis, më 23 qershor 1972.

ObserverKult


Lexo edhe:

KALAJA E FSHEHTË E SKËNDERBEUT NË KURBIN

Në një nga valëzimet e fundit të shpatit lindor të malit të Predonit, 527 m mbi nivelin e detit, ndodhet Kalaja e fshehtë e Skënderbeut.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Shkodër solli të dhëna për këtë vendndodhje që nuk njihet shumë nga publiku.

Rrjedhja e sipërme e përroit të Hurdhasës (degë e lumit Mat) e ndan kalanë nga Mali i Skënderbeut, ndërsa në veri e në jug të kalasë ndodhet lugina e Gallatës.

Kjo kala ngrihet mbi një terren shkëmbor që ka formë pak a shumë konike. Në anën jugore ka një humnerë të thiktë rreth 80 m, e cila ka bërë të panevojshëm fortifikimin në këtë pjesë të kalasë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult