Teatri Kombëtar kujtoi në 74-vjetorin e lindjes aktorin e madh që i mungon skenës dhe publikut shqiptar, Roland Trebicka.
Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur. Trebicka u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, pasi nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh.
Aktori Trebicka u kujtua edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “përherë me buzëqeshje do ta kujtojmë aktorin tonë të madh Roland Trebicka. Në ditën e tij të lindjes kujtojmë njeriun që na bëri të qeshnim në kohë të vështira, një nga ata aktorë që arrinte të vishte bukur çdo rol, edhe ata më dramatikët, ndonëse te publiku është ngulitur për rolet e tij komike. Dhe, me artin e tij është aq i gjallë, saqë vetëm kjo datë, ka kuptim për artistë si ai”.
Roland Trebicka lindi në Korçë më 18 janar 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ndoshta, që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua që në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”.
Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Në jetën e tij artistike, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Por rolet e aktorit Roland Trebicka në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori”, “Revizori” te “Një burrë me trandafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Endrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro.
Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti). Për kontributin e tij në skenë, ai është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi bashkia Korçë i akordoi titullin “Nderi i qytetit”./ATSH