Kur aktori shqiptar rrëfente si e larguan nga Teatri dhe punoi hamall: Kishte shkruar Enver Hoxha për mua

Kohët e fundit, kanë dalë në dritë disa dosje, të cilat bartin të dhëna biografike të aktorëve, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre gjatë periudhës së komunizmit.

Dhimitër Orgocka, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, janë disa nga aktorët që i është bërë biografia. I ftuar kohë më parë në studion e emisionit “Shqipëria live”, ishte aktori tashmë i ndjerë, Dhimitraq Orgocka.

Aktori i njohur, tha se ka hyrë në teatër në moshë më të re. Por kur i vëllai iu fut në burg, atë filluan ta shqetësonin. Fillimisht për gjashtë muaj, e larguan nga teatri dhe e punësuan hamall. Pas një kalvari të gjatë në punë të ndryshme, Dhimitëri thotë se e rikthyen përsëri në teatër.

Për të shpëtuar nga thashethemet, aktori pati thënë se detyrohej që të punonte trefish më shumë. Ndërsa theksoi se të gjithë regjisorët e vlerësonin së tepërmi punën e tij si aktor.

“Unë kam hyrë shumë i ri në teatër, nuk i dija këto gjëra, mësova kur vëllai im hyri në burg. Këtu filluan shqetësimet e mëdha, punova nja gjashtë muaj hamall. U riktheva në pallatin e kulturës në Maliq dhe më pas më rikthyen në teatër. Atëherë kur bënim zboret dhe një të dielë edhe unë bëja zbor. Një oficer më tha s’kemi roje dhe një tjetër tha ja ku e keni, është këtu, ai njeriu që ti i ke shkruajtur letër Enver Hoxhës.

Më vonë e mora vesh këtë gjë. Ankesa kishte shkuar në dorën e Enver Hoxhës, këtu në teatrin që po flas tani, ishte mbledhja e partisë, sekretari i partisë tha po lexojmë letrën për atë djalin tonë, do të punojë siç ka punuar, ne do e vlerësojmë. Kështu kishte shkruar Enver Hoxha për mua. Njerëzit në sallë duartrokitën dhe nuk më shqetësuan më.

Unë filloja punën me gruan dhe heshtja nga të gjitha fjalët që më thoshin. Shumë probleme i zgjidhnim me organizatën e partisë. Ndiqja me këmbëngulje direktivat e regjisorëve dhe punoja tre fish më tepër, që të mos i lejoja të tjerët të flisnin keq për mua. Nuk e di, regjisorët që kanë punuar këtu më kanë vlerësuar për punën që kam bërë dhe kjo për mua ishte e vlerësueshme”, tha aktori.

—————–

LEXO EDHE:

Hajrie Rondo, ndoshta këtë amanet do të linte…

ObserverKult