Komedianit amerikan, Bill Cosby, 83-vjeç, iu refuzua lirimi me kusht nga burgu dhe Komiteti i Pensilvanisë e shpjegoi vendimin në një letër për publikun, shkruan CNN. Letra, e cila thoshte se vendimi i komitetit ishte bërë në 11 maj, tha se Cosby duhet “të vazhdojë të marrë pjesë dhe të përfundojë programe institucionale shtesë”.
Komiteti përmendi “dështimin e Cosby për të hartuar një plan lirimi me kusht” dhe faktin që Departamenti i Burgjeve Korrektuese kishte vlerësuar negativisht përparimin e tij si faktorë që kontribuuan në vendim.
Ata deklaruan se në intervistën e ardhshme të Cosby me bordin e drejtorëve, do të konsiderohet nëse ai mori pjesë me sukses dhe përfundoi programin e trajtimit të shkelësve seksual dhe parandalimin e dhunës. Cosby, sipas letrës, duhet të mbajë shënime për sjelljen e tij.
Andrew Wyatt, një zëdhënës i aktorit, tha se lajmi i refuzimit nuk ishte befasi për Cosby dhe familjen e tij, transmeton ;EO’.
“Z. Cosby po lufton ashpër për të provuar pafajësinë e tij dhe vazhdon të mohojë të gjitha akuzat kundër tij. Ne shpresojmë që Gjykata e Lartë e Pensilvanisë të shfuqizojë dënimin ose të urdhërojë një gjyq të ri”, tha Wyatt për CNN. Cosby aktualisht po vuan një dënim prej tre deri në dhjetë vjet në një burg jashtë Filadelfias për drogë dhe sulm seksual ndaj Andrea Constand në 2004.