Alarmuese: Të rinjtë e flasin keq gjuhën shqipen, ekspertët: Shkak gjuhët e huaja dhe rrjetet sociale

Ashtu si edhe dy vitet e kaluara, edhe këtë vit rezultatet e provimeve të maturës shtetërore në Shqipëri patën treguar se të rinjtë flasin më mirë gjuhët e huaja se sa gjuhën shqipe.

Ekspertët e arsimit thanë, kohë më parë, se gjithmonë e më shumë në universitete vërehet se studentët kanë vështirësi të shkruajnë ese apo shkrime akademike, për shkak të njohurive të cunguara që kanë në gjuhën shqipe.

“Kjo duhet të shërbejë si një kambanë alarmi të nxisim fëmijët të flasin, të artikulojnë, të shkruajnë, të lexojnë. Për mua nuk është shqetësuese që nuk kemi shumë 10, por fakti që të rinjtë po harrojnë të flasin saktë gjuhën shqipe”, tha Irida Sina, eksperte arsimi, për Euronews Albania.

Sipas ekspertes gjithçka nis në fëmijëri, nga faktorë si mungesa e komunikimit dhe qëndrimi për orë në rrjete sociale, e cila sipas saj po çon në zbehjen e gjuhën shqipe.

“Një impakt shumë të madh e kanë që ata kalojnë një kohë të gjatë në rrjetet sociale dhe kalojnë kohë të shkurtër duke komunikuar me njëri-tjetrin. Duke ndenjur kaq kohë në rrjetet sociale dhe ato që shohin janë në anglisht, kjo bën që gjuha shqipe të zbehet dhe fjalori do jetë gjithmonë me fjalë më të pakta. Ne e shohim tek klasat e para që kanë vështirësi të formojnë fjali të përbëra”, shprehet ekspertja.

Gjuha e huaj, dhe kryesisht anglishtja, po iu shërben të rinjve që zgjedhin universitete jashtë Shqipërisë. Dhe sipas ekspertëve të arsimit, kjo është dhe një shtysë që të rinjtë e marrin në rastet kur duan të zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit.

Kujtojmë se sipas të dhënave të maturës shtetërore, të këtij viti, treguan se nga afro 27 mijë maturantë në Gjuhën Shqipe janë vlerësuar me 10, 5.73 % e nxënësve, por vetëm 15 prej tyre me 10 absolute. Ndërsa në Gjuhët e Huaja kanë rezultuar me 10, afro 24 % e nxënësve maturantë, prej tyre 384 kanë marrë pikët maksimale duke u vlerësuar me 10 absolute.

ObserverKult


Lexo edhe:

DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE: GJUHA SHQIPE “SA E BUKUR, SA E VLERË”