Alban Bala: Tim biri

???????

Poezi nga Alban Bala

Mezi e zë shtrati tani; edhe në ëndrra
përkulet që të hyjë. Qesh sa herë më sheh;
por ndoshta k’shtu ndodh me fëmijët.

Dikur matej me gjurmët e së shkuarës
pas derës së bardhë të dëshirës;
tash unë e mas me fjalë:
një metër e tetëdhjetë e pesë i gjatë,
një vrull ere i gjerë,
një hije burri i thellë – mbi një fytyrë djali.

Më i gjatë se hija ime e mëngjesit
im bir më vë në mendime ngjyrë thinjash:
çfarë bënte im atë kur isha pesëmbëdhjetë?

Më kujtohet që qeshte – më shumë se unë,
gjithmonë dinte një lojë ku unë dilja humbës,
më mësonte si të matesha me veten, jo me tjetrin
më tregonte rrugët
gjurmët e jetës së tij mbi lëkurë, vrâjat
e ëmbla të guximit prej burri, humbjet e tij
kurrë më të medha se trupi shtatshkurtër,
fitoret e vogla sa kepucët e tij, ditët…

ai ishte i fortë dhe nuk ankohej kurrë
kishte veç një frikë: mos i ngjaja në ëndrra

unë e shoh tim bir dhe nuk di çfarë dua
që të ndodhë me të…

Sot di që shtrati mezi ja nxe trupin
dhe në ëndrra përkulet që të hyjë i plotë
si një zë burri që ka sy fëmijë dhe qeshjen
e madhe të tim eti kur donte
gjëra të pamundura
që m’i mësoi..

ObserverKult

lexo edhe:


Alban Bala: Të kam dashur gjithmonë…

Alban Bala: Kanë ndryshuar kohët, zemra ime!