Albana Beqiri: Asgjë nuk e zhbën dashurinë tonë! As Vdekja!

albana beqiri vdekja

Poezi nga Albana Beqiri: As Vdekja…

Asgjë nuk mund ta ndryshojë atë që ne kemi bashkë,
atë që është e jona:
e tillë do të jetë edhe kur të mos jemi më,
edhe kur të mos jetë më as i fundmi njeri që na ka njohur e dashur;
Asgjë më nuk mund të jetë ndryshe në jetët tona
dhe mes nesh.
Asgjë! Oh, asgjë, hiç asgjë nuk mund ta ndryshojë dot atë
çka vetë Zoti e deshti për ne.
Asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë dot:
as Vdekja!
Madje as vdekja nuk mund të shkelë mbi ne dhe kujtimet tona,
as sot, as atëherë kur të piqemi me të në përqafimin e përjetshëm.
Dhe vdekja qesh se nuk qan dot; qesh se e di se nuk na frigon dot.
Ajo e di që është një Asgjë e madhe.
Unë do të jem aty edhe më pas,
sepse është si të kapërcesh motmotet dhe dyert e harresës së verbër.
Fryma ime do të ti ngrohë netët e ftohta. Do të jetë sikur të kem shkuar
në një udhëtim të largët.
Vetëm se telefoni nuk do të cingërojë dhe në anën tjetër
do të ketë heshtje.
Ti do dëgjosh frymëmarrjen time, aq pranë si e ke dëgjuar prore
në çdo ditë të jetës sonë.
Do ta thërrasësh emrin tim dhe do bësh të njëjtat gjëra
që kemi bërë bashkë.
Do shfletosh të njëjtët libra që të kam parë t’i shfletosh me vite,
pastaj do lexosh plot libra të rinj.
Unë nga ana tjetër e pragut do ëndërroj të njëjtat ëndrra
dhe do thërras emrin tënd. Njësoj si të kam thirrur në çdo ditë të jetës.
Njësoj do pres përgjigje!
Nga ana tjetër e pragut do përgjoj netët e tua,
heshturazi do të ta fshij trishtimin dhe do qesh.
Nuk ke nevojë të qash për mua as të trishtohesh,
sepse unë e di tashmë se Vdekja është asgjë!
Unë jam aty si kam qenë gjithmonë, jam në çdo gjë që ti prek,
jam edhe pse ti s’më sheh.
Unë vetëm sa kam kapërcyer pragun. Asgjë nuk ka ndryshuar.
Është sikur të kem shkuar në një udhëtim të largët.
Vetëm se përpos që do të mungojnë telefonatat, edhe kthimi nuk dihet.
Vetëm nisja.
Dashuria është e njëjta: kalon pragun dhe më grish drejt teje, më ther drejt e në zemër.
Ma dlir shpirtin si atëherë kur isha fëmijë dhe nxitoja të rritesha. Dashuria kalon pragun dhe vjen tek ti. Ta mbështjell në krye një duvak kujtimesh dhe qesh e qan njëherësh.
Dashuria është e njëjta. Asgjë nuk na e zhbën, askush nuk na e merr dot. As vdekja!
Sepse tashmë të dy e dimë se Vdekja është asgjë. Është si të kapërcesh pragun e kujtimeve përplot lumturi.
Ne jemi aty derisa të mos jetë më as njeriu i fundit që na ka njohur e dashur!
Jemi aty edhe më pas,
kur të mos jetë më as njëriu i fundit që ka frymuar dashuri…

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: DASHUNIA S’THUHET ME FJALË, DASHUNIA VEÇ DASHUNON…