Unë jam ai fëmija i vogël që vesh rrobat e blerta të dëshirave
për t’u nisur s’di se ku. Në çantën e shkollës palon kujtimet që i harron shpejt, më shpejt se ëndrrat e natës së shkuar.
Mbath këpucët e grisura nga lojërat që nuk e lënë të rritet. Dhe niset… thjesht niset…
Aq i paditur për botën nuk e di ende se asgjë nuk është ashtu si duket, se as lumturia nuk matet me hapa, e dashuria nuk matet me fjalë apo me vështrime nuk e di se koha të merr përpara, të përpin brenda saj si brenda një morse e ti nuk e di më ç‘ka të pret, kush je apo kush ishe…
Fëmija vrapon pafajësisht udhës së madhe: nuk e njeh ende peshën e rëndë të trishtimit,
as fytyrën e vrazhdë të dhimbjes. Ende beson se lumturia matet me hapa e dashuria me fjalë e me vështrime.
Ende beson se të rritesh është një lojë si gjithë të tjerat, fiton edhe kur humb e nuk humb asnjëherë.
Qesh pafajësisht dhe nuk e kthen kokën mbrapa.
Askush nuk i ka thënë se mësimi i jetës nuk mësohet në asnjë libër: shkruhet në zemër dhe pikon dhimbje.
Por fëmija qesh me pafajësi fëmije: ende nuk e di se egziston vdekja. Ajo çka ai njeh është vetëm Jeta.
Nuk e di se bota është më e madhe se dashuria e nënës: prehëri i saj nuk mund ta mbrojë përgjithmonë. Ende i numëron ditët me pasthirrma gëzimi që rrëmbyeshëm fluturojnë deri në re.
Beson pafajësisht se dashuria mban aromë nëne dhe bota ngjan me një qeshje fëmije.
Unë jam fëmija i vogël që nxiton të rritet…
LEXO EDHE: Albana Beqiri: Asgjë nuk më tremb sot, as nesër dhe kurrë më…
Lexo edhe këtë poezi: Para teje bëhem si fëmija i vogël
ObserverKult