“Albania Guitar Festival”, një edicion online

Që me fillimin e periudhës së pandemisë, aktivitetet artistike ishin më të prekurat, duke marrë parasysh audiencën e madhe të njerëzve dhe në të njëjtën kohë rregullat e vendosura. Kjo bëri që shumë koncerte e festivale muzikore anembanë botës të organizoheshin në platforma online. Pavarësisht vështirësive të këtij “modeli kovidian” të të dëgjuarit muzikë dhe koncerte live, jo më nga salla të mëdha koncertale, por nga kompjuterët a telefonat nuk e uli aspak numrin e shikuesve nga shtëpitë, por, përkundrazi, audienca ishte shumë më e madhe.

Në edicionin e këtij viti të “Albania Guitar Festival”, u organizua konkursi ndërkombëtar i kitarës klasike. Ai u zhvillua në datat 11-13 dhjetor 2020 në formatin online, duke u transmetuar live në të gjitha mediat sociale të festivalit, si: “Facebook” apo “YouTube”. Drejtori artistik i festivalit, njëkohësisht dhe kitaristi i mirënjohur shqiptar Denis Bizhga, u shpreh se ky konkurs vjen me risi dhe të veçanta këtë vit, si nga ana e organizimit, por gjithashtu edhe nga juria profesioniste me kitaristë e profesorë me famë botërore shqiptarë dhe të huaj.

Gjithashtu, zoti Bizhga shprehet se niveli i aplikantëve dhe pjesëmarrësve ishte shumë i lartë, me një larmishmëri moshash, repertorësh si dhe kombësish, duke përfshirë pjesëmarrës nga 27 vende të botës si: Rusia, Tajlanda, Amerika, Franca, Spanja, Danimarka, Gjermania, Serbia, Zvicra, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, gjë që tregoi jo vetëm talentet e shumta, por dhe njohjen e këtij festivali në vendet e tjera të botës.

Nga ana tjetër, “qershia mbi tortë” e konkursit ndërkombëtar të kitarës në Shqipëri ishte pa dyshim juria profesioniste, që mblodhi bashkë disa nga profesorët dhe kitaristët më të njohur, shqiptarë e të huaj, që performojnë dhe japin mësim në skenat dhe shkollat më të mira perëndimore. Duke filluar me maestron Stepan Rak, kitaristin dhe profesorin çek me famë botërore, i cili, sipas drejtuesit artistik të festivalit, krahas të gjithë kitaristëve të tjerë, e pranoi me shumë dëshirë dhe entuziazëm ftesën për të qenë pjesë e jurisë së këtij edicioni. Bashkë me prof. Stepan Rak, kemi dhe maestron italian prof. Luigi Attademo, i cili vjen për herë të dytë si pjesë e Festivalit të Kitarës në Shqipëri, duke ndjekur edicionin shumë të suksesshëm vjet, me koncertet në Tiranë, Durrës dhe Korçë, së bashku me violinistin e “Quartetto di Cremona”, Simone Gramaglia. Pjesë e jurisë profesioniste ndërkombëtare ishte dhe virtuozi prof. Celil Refik Kaya, i cili aktualisht është profesor i kitarës në Universitetin e Nju Xhersi SHBA dhe fitues i konkursit ndërkombëtar “Guitar Foundation America”. Krahas këtyre virtuozëve, kishim dhe profesorë e kitaristë të tjerë shumë të njohur, si: Oguzhan Kayali (Turqia), Ekaterina Zaytseva (Rusi), e cila është pjesë e duos së flamengos me famë botërore “Duo del Mar”, që ka qenë dhe pjesë e festivalit në vitin 2018. Për t’u përmendur, pa dyshim, janë dhe virtuozët e tjerë: prof. Mark Houghton nga Mbretëria e Bashkuar, prof. Eduardo Inestal (Spanjë) nga “Robert Schuman Hochschule” në Dusseldorf; prof. Fabio Barbagallo nga Italia dhe të tjerë kitaristë virtuozë si: Stefan Trifan (Rumani), Dmitry Pritula (Rusi), Tommaso Ieva (Itali), Ingrid Riollot është presidente e shoqatës së kitaristëve të Francës, kitaristin Rus Vladimir Gapontsev, Norvegjezen Christina Sandsengen, prof. Fabio Salazar Orozsco nga Kolumbia dhe kitaristin e mirënjohur Meksikan, i cili bëhet pjesë sërish i festivalit, prof. Arturo Castro Nogueras. Në të njëjtën kohë, kemi virtuozin rumun Silviu Ciulei dhe së fundmi, por jo më pak nga rëndësia, kitaristen me famë botërore nga Vietnam, Thu Le.

Por krahas këtij “thesari” artistësh së jurisë ndërkombëtare të konkursit, kemi anëtarë dhe kitaristë shqiptarë, që tashmë janë profesorë dhe interpretues në skenat më të mira botërore, si: prof. Drilon Cocaj, dhe prof. Erhan Mujka nga Kosova dhe së fundmi profesorin dhe bashkëpunëtorin e festivalit, Redi Marku.

Cilësia e këtij festivali ndërkombëtar, si gjithmonë do të jetë niveli profesional dhe plotësisht i krahasueshëm me festivale të tjera kitaristike të mirënjohura botërisht. Ajo që e ka bërë të mundur organizimin e këtij festivali deri në detajet më të vogla, është pa dyshim bashkëpunimi shumë i fortë dhe i frytshëm, që festivali ka me disa nga festivalet e tjera më në zë të kitarës, duke përmendur këtu dhe “Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani”, Rumani.

Njëkohësisht, partneriteti i ngushtë me kompaninë lider të prodhimit të telave të kitarës në botë “SAVAREZ”, që vjen në këtë festival me një bashkëpunim të frytshëm, e shton akoma më shumë rëndësinë e këtij festivali. Nuk duhet të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin e këtij edicioni me shtëpinë e mirënjohur ndërkombëtare të publikimit të literaturës muzikore, “Bergmann Edition”, me qendër në Danimarkë. Konkursi ndërkombëtar i kitarës klasike ishte i ndarë në pesë kategori, sipas grupmoshave. Çmimin e madh të konkursit e fitoi kitaristi italian Nino D’Amico. Një virtuoz që po shkëlqen në të gjitha skenat europiane.

Kitaristi italian do të jetë i ftuar në Edicionin 2020 të festivalit të kitarës për të dhënë një koncert në Tiranë. Kategorinë e katërt e fitoi kitaristi tjetër italian, Giovanni Masi. Në kategorinë e tretë, gara ishte shumë e fortë dhe juria vendosi për kitaristin nga Serbia, Veljo Brankovan. Në kategorinë e dytë virtuozi nga Spanja, Ausias Parejo, nuk zhgënjeu, duke dhënë një performancë mbresëlënëse. Kategorinë e parë e fitoi 12-vjeçari Samuel Solomon nga Bullgaria. Për të gjithë pjesëmarrësit kishte çmime dhe dhurata./Arlind Kamberi-panorama.com.al