Albert Vataj: Nanë, ma mbyll derën se paskam t’ftohtë!

albert vataj


HIJA E NANËS nga Albert Vataj

Fus veç kryet, sa herë ia hap derën e dhomës. E gjej gjithmonë të mbështetun mbi kandin e ndejëses, që asht nga të paktat gjana të mbetuna prej kohikjes nga Shkodra.
– Hë, nanë?

Rrin e ndeme në ajrin e ngjeshun të kësaj distance shkëmbimi mes vetjesh tona kjo thirrmë jehuese. S’harroj me e pyetë: «Si je? A ndihesh ma mirë?», dhe ashtu, tue marrë derën prej vedit, iki. Kthehem sërisht, e ajo më pret në po të njajtin vend. E njajta çehre, e shterun, por e hijeshueme prej nji drite që vezullin gjithëherë, si natën, njashtu edhe ditën. Më sheh. E shoh. Shkëmbejmë të njajtat fjalë e marrim të njajtat përgjegje, pa lypë tjera.

Nji ditë dera nuk u hap. E shtyva ma me forcë, tue lypë në vedi nji arsye për mos me e besue se ishte e mbyllun. Prap e njajta gja. Teksa mora me u kthye tue belbë diç nën za, ndigjoj se po më thërrasin.
– Hë, nanë?

Kthej kryet. Shoh se dera ishte paksa e hapun, jo ma shum nga sa e hapja vazhdimisht; aq sa me e futë veç kryet e me shkëmbye të njajtat fjalë e me marrë të njajtën përgjegje. U erra sysh kur s’pashë kurrkend. Nana nuk ishte ma aty ku e shihja gjithëherë, me kryet të mbështetun mendueshëm mbi dorën që i dridhej përherë e ma fort.

E hapa derën krejt, tue thirrë:
– Nanë! O nanë! – vazhdova me thirrë, tue lypë nëpër çdo gja të sajën nëpër dhomë, po s’mujta me e pa, e zanin nuk ia ndieva ma.
U ula te kambët e shtratit, siç baja shumë herë kur ajo dergjej njaty, tue numërue trokun e zemrës, tik-takun e orës dhe me sytë të gozhduem kah dera, tue pritë se mos vjen dikush e ia davarit vetminë, njatë që po e shterte përditë pak e pak, ma shum se hjeka e smundja.

– Nanë, t’pastë nana, mos ik pa m’i pre njikëta thoj!
U shkreha në vetminë e dhomës, e lypa me sy kah erdhi njai za. Ndejta do minuta tue mendue gjithçmos, e tue përla me sy gjithçka në dhomë, por pa mujtë me e gjetë se kah i erdhi zani.
Kurrë në të gjallët e vet s’më kishte kërkue me ia pre thojtë, ani pse i dridheshin duert, e unë i kisha ofrue disa herë.

Kur mora me u çue, pashë mbi komodinën e saj nji prehëse thojsh, me të cilën kishte pre të mbramën herë thojtë këso jete. E mora thojpremësen, njashtu i hutuem e i trysun prej nji mali të randë mendimesh.


– Nanë, nanë, ma mbyll derën se paskam t’ftohtë! – u ndigjue prap zani i saj.
Te ndejësja, ku rrinte gjithnji, ia pashë hijen. Me njanën dorë më përshëndeti, kurse me tjetrën prapoi nji tufë thinjash që i kishin ra mbi fytyrë.
I shtangun, s’munda as me e mbyllë derën, por nji erë e drojshme e afroi, tue më lanë me dorën vjerrë në ajrin e kësaj çapitjeje.

Tregimi “Hija e nanës”, është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, 2019

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

ALBERT VATAJ: MË MJAFTOJNË PAK GJËRA PËR TË QENË I LUMTUR…