Albin Kurti për Ali Osekun: Iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme është ndarë nga jeta piktori i njohur me origjinë nga Kosova por i lindur dhe rritur në Tiranë, Ali Oseku.

Për ndarjen nga jeta të artistit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, kolegëve të tij artistë, e studentëve të tij në breza.

Kurti përmes një shkrimi ngushëllues në rrjetet sociale për të ndjerin ka treguar se edhe përkundër tentimeve për t’ia ndaluar ushtrimin e talentit të tij, kjo gjë asnjëherë nuk u realizua.

“Ali Oseku, në fillesë të karrierës punoi si skenograf. Për skenografinë e operas Aida të Verdit u dënua dhe u dërgua të pësonte për disa vite vuajtjet në burgun e Spaçit. Në vijim atij iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje”, ka shkruar Kurti.

Oseku, sipas Kurtit ishte profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij.

“Baca Ali, kështu njihej prej miqve të Tiranës, të cilët ndjenin se prekja dhe guximi i tij në art vinin prej origjinës së pashlyeshme gjakovare, lindi në Tiranë dhe që aty u dashurua me historinë e artistëve të njerëzimit, ndaj ngjante se çdo tablo ia kushtonte romaneve dhe qyteteve të botës. Ngjante se çdo artist në mendjen e tij ishte një flijues i madh i talentit të vet për bukurinë. Kjo shpjegonte pse baca Ali ishte më së pari profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij. Ngushëllimet e mia familjes, kolegëve të tij artistë, studentëve të tij në breza. Kujtim i paharruar për artin e tij!”, ka shkruar ai.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA PIKTORI I NJOHUR, ALI OSEKU

Është ndarë nga jeta sot piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit.

Oseku nuk arriti të fitonte dot betejën me sëmundjen e rëndë.

Ali Oseku ka lindur në vitin 1944 në Tiranë. Kreu LA “Jordan Misja” për pikturë dhe ndoqi studimet e u diplomua në ILA (1969).

Në vitet 1970–1973 realizoi skenografinë dhe kostumet për operën “Traviata”, baletin “Historia e një kënge”, dramat “Viti ‘61″, “Orfeu zbret në Ferr”, “Yll pa emër”.

E në vitin 1973 u dënua për “shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste” në krijimtarinë e tij si skenograf dhe u dërgua në punë riedukuese në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan.

Ndërsa nëvitin 1975 u arrestua, u dënua dhe vuajti dënimin deri në vitin 1979 si i burgosur politik; më pas punoi si punëtor.

U rikthye në vitin 1991 në veprimtarinë artistike si piktor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Njëkohësisht pedagog i jashtëm i pikturës në Akademinë e Arteve. E në vitin 1998 ka kaluar si përgjegjës i ateliesë së grafikës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult