Albina Kelmendi duhej ta kishte falënderuar edhe Elsa Lilën, por nuk ndodhi…

albina kelmendi festivali

Nga Anta Muçaku

Jam një nga ndjekëset më fanatike të Festivalit të Këngës.

Është një farë identiteti kulturor e muzikor, që dhe atëherë kur duket sikur u largohet vlerave, sërish vazhdojmë ta shohim, ndoshta për inerci a ndoshta nga nevoja e madhe për të mos u shkëputur nga ato ndjesi që dikur na mblidhnin të gjithëve para ekranit.

Albina Kelmendi më pëlqeu që natën e parë.

Shumë Elsa Lila … Pavarësisht komenteve në rrjet për moskuptimin e tekstit a mimikave “të sforcuara”, kush e ndjen dhe shijon muzikën si përjetim, ajo këngë i shkoi si drithmë drejt e në shpirt.

Me tingujt dhe zërin e Elsës me aq shumë vibrime, ngjyra e emocione, mund të qaje, pastaj të qeshje, të trishtoheshe e pastaj të lumturoheshe, të vdisje e të ngjalleshe sërish, në çast.

Albina Kelmendi shpërthyese… emocionuese, me një këngë shumë përfaqësuese. I jepte nota spektakli dhe pjesëmarrja si një familje e tërë në Festival. Kjo do të ishte “cool” edhe për një Festival si Eurovizioni.

Në këtë pikë, isha krejt dakord me cilëndo që do zgjidhte publiku si fituese se fundja, shija e publikut nuk imponohet. Sovrani vendos…

Veçse si një njeri i lidhur fort mbas fjalëve, kur Albina Kelmendi u shpall fituese, nuk tha asgjë që të më mbetej në mend. Kuptohet, pështjellim i madh shumë, hutim, ndoshta dhe shok emocional por sërish prisja ndonjë gjest më befasues se sa thjesht të thërriste partnerin e vet në skenë, siç bëri.

U bëra kurioze për ta njohur më shumë këngëtaren që do të na përfaqësojë dhe hyra të kërkoj më tepër për të.

Zbulova që Albina kishte qenë nxënësja e Elsa Lilës dhe Elsa Lila mentorja e saj, 8 vite më parë.

Kam ndjekur minuta të tëra nga provat e tyre.

Elsa e mësonte me duar, me këmbë, me shpirt. Gëzonte si fëmijë e transformohej në njëmijë fytyra pas çdo hapje goje të Albinës.

E ndiqte me ankth, me pasion, me nerv… me një lloj çmendurie që e ndesh vetëm te njerëzit e mëdhenj, talentet, artistët e vërtetë…

Po mos të qe për Elsa Lilën dikur, ndoshta Albina Kelmendin sot nuk do e njihte kush, ose ndoshta-ndoshta ajo gjithsesi do kishte shpërthyer me talentin e saj! Kushedi…

Ajo që di, pasi kam parë aq shumë video nga të cilat kam shkëputur disa sekuenca, është që sot Albina duhej të kishte falënderuar edhe Elsa Lilën.

Nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur mes tyre në prapaskenat e “The Voice”, por këto që Elsa Lila ka bërë e ka thënë për Albinën në skenë kur ajo ishte ende krejt e panjohur, janë shumë. E padyshim e kanë ndihmuar të hidhte hapat e parë dhe të sigurt drejt publikut.

Elsa Lila e ka bërtitur virgjërinë e Albinës në këtë video, por ndoshta po ta dinte se pas 8 vitesh ajo nuk do i thoshte as “Faleminderit”, do kishte ulëritur më fort për virgjërinë e shpirtit.

Ky me gjasë është një nga ato raste kur nxënësi ia kalon edhe mësuesit. Dhe do dukej super sikur të kishte edhe mirënjohjen brenda. Por mungesa e mirënjohjes e kthen artisten e madhe Albinë, në një vajzë të vogël shumë…/(newsbomb.al)

*Titulli i origjinalit: “Fituesi nuk gjykohet, por mosmirënjohësi duhet patjetër!”

evita elsa lila
Elsa Lila

Lexo edhe:

FESTIVALI I KËNGËS NË RTSH/ AURELA GAÇE: GJITHMONË E NJËJTA HISTORI…

ObserverKult