Aleko Prodani, humoristi që u nda nga jeta në vendin e tij të punës… disa menduan se po bënte shaka…

Aleko Prodani përveç humorit fin që dhuroi me rolet e tij, do të kujtohet për fundin e jetës që pati. Thonë se ëndrra e çdo aktori është të vdes në skenë. Nëse kjo është e vërtetë, mund të thuhet se Aleko Prodani e realizoi këtë ëndërr. Ishte 2 maji i vitit 2006 kur gjatë provave për vënien në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” Korçë të komedisë “Tre burra për një grua” nga Dario Fo, kur Aleko Prodani do të rrëzohej papritur, për të mos u ngritur më kurrë.

Edhe pse iku në moshë jo të madhe (64 vjeç) prej më shumë se 30 vjetësh Aleko Prodani ishe një nga yjet më të mëdhenj të teatrit shqiptar, i shquar sidomos në zhanrin e komedisë.

Aleko Prodani (19 maj 1942 – 2 maj 2006) në vitin 1961 u bë bashkëthemelues i Estradës së Ushtarit, ku edhe u formua si aktor, gjatë një stazhi gjashtëvjeçar. Më pas u emërua aktor në Estradën e Korçës, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Për shkak të “biografisë së keqe” e largojnë nga Estrada, pas Plenumit IV dhe e dërgojnë për “riedukim në prodhim”. Por burokratët komunistë u bënë shpejt të vetëdijshëm se zbrazëtia që ai kishte lënë pas vetes në Estradën e Korçës, nuk mund të mbushej kurrsesi. Pas rikthimit në Estradë, fillon për të një periudhë e artë. Interpreton në rreth 60 premiera të Estradës së Korçës, ku shquhet për aftësi të rralla në të gjitha zhanret. Për 15 vjet (1980 – 1995) bëhet njeriu kyç i kësaj trupe.

Aleko Prodani është autor i libreteve, regjisor dhe aktor kryesor në 30 premiera, e dhjetëra skeçe e komedi me një akt që shfaqen edhe në TVSH në programet e Vitit të Ri. Nën drejtimin e tij në vitet ’80, Estrada e Korçës bëhet më e mira në vend.

Cilësitë e tij të rralla bëhen të kërkuara edhe në Teatrin “A. Z. Çajupi”, ku interpreton rreth 20 role në komedi. Pas sukseseve në teatër, arrin të tjera në kinematografi, ku interpreton në tri kinokomedi, si edhe TV, ku interpreton në një seri spektaklesh dhe telekomedish. Këto arritje i japin, më 1992, titullin “Artist i Merituar”. Ka fituar tri herë rresht, në tri pjesëmarrje, çmimin për aktorin joprotagonist në Festivalin e Aktrimit në Fier, në edicionet 2003, 2004 e 2005.

Ai luajti edhe në disa filma si:

“Kronikë provinciale” (2009) i xhiruar më 2005 para se të vdiste
“Borxhliu” – (1999) (TV)
“Dashuri në krisma” – (1997) babai
“Zëvendësi i grave” – (1987) drejtori, Miti
“Dy herë mat” – (1986) Kopi./atsh

ObserverKult


mirko gashi

Lexo edhe:

MIRKO GASHI: SHYQYR ZOTIT ASNJË UNAZË S’E PATA