Aleksandër Stipçeviq: “Ilirët kurrë nuk pranuan ta shkruajnë gjuhën e pushtuesit”

Shkruan: Begzad Baliu

Kush është Aleksandër Stipçeviq?

Aleksandër Stipçeviq është njëri nga ata bij të arbëreshëve të rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës.

Lindi në Arbnesh të Zarës më 1930. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj.

Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë.

Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit,Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Takimi me të në Kosovë në vitin 2000

Ilirologu i shquar dhe autori i historisë së ilirëve Aleksandër Stipçeviq nga data 28 maj e deri më 31 maj 2000 qëndroi në Kosovë me ftesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Fondacionit Shkencor Dardania Sakra të Prishtinës.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ai vizitoi disa institucione shkencore, mbajti dy ligjërata në Universitetin e Prishtinës, si dhe ishte mysafir i Radio Kosovës, i dha një intervistë në gjuhën arbnishte Televizionit të Kosovës, ndërsa duke mos mundur që t’u përgjigjej një numri të madh kërkesash të mjeteve të informimit për intervista, organizoi një konferencë shtypi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e cila u kthye në një tribunë shkencore ndërmjet punonjësve të shkencës dhe kulturës.

“Unë ende jam gjallë”!

Pak para se të nisesha në Kosovë, isha në Itali, tha në fillim të fjalës së tij Profesor Stipçeviq. Kur iu thash miqve të mi se unë do të shkoj në Prishtinë ata më tërhoqën vërejtjen se atje është ende gjendje e rëndë dhe se shtihet në të gjitha anët.

Përkundrazi, me të arritur në Prishtinë unë i bëra një vizitë rrugës kryesore të qytetit dhe fillimisht shprehi kënaqësinë që Prishtina nuk është rrënuar ashtu sikur janë rrënuar shumë qytete të Kroacisë dhe se njerëzit janë shumë aktivë e jetojnë të lumtur.

Njëkohësisht më vjen keq që nga Prishtina nuk kam mundur t’ua nis miqve të mi nga një kartolinë me të cilën do t’i njoftoja “se ende jam gjallë”, tha Stipçeviq, duke shprehur habinë që Kosova rreth një vit mbas mbarimit të luftës ende nuk ka komunikim postar me botën.

Për «Historinë e popullit shqiptar» dhe «Fjalorin enciklopedik»

Në pyetjen tonë se a ishte njoftuar me dy projekte: “Historinë e popullit shqiptar” dhe “Fjalorin enciklopedik” të dy akademive (Tiranës dhe Prishtinës), A. Stipçeviq tha: Ditën e dytë të programit tim unë i bëra vizitë Akademisë së Shkencave dha Arteve të Kosovës, në të cilën ai është zgjedhur vite më parë anëtar korrespondentë. Jam njoftuar me këto dy projekte dhe kam pranuar që të angazhohem në to.

Sikur e dimë më parë është shkruar “Historia e Shqipërisë” e jo “Historia e popullit shqiptar”. Ne e dimë se kur u krijua shteti shqiptar askush nuk i pyeti shqiptarët se cilat janë trojet tuaja etnike, por morën lapsin dhe thanë: Ja ky qytet i takon Shqipërisë, ky tjetri Maqedonisë, ky në vazhdim Serbisë e me radhë, kështu që një pjesë e mirë e trojeve etnike shqiptare dhe e kulturës së tij u zhvillua jashtë territorit shtetëror, prandaj gjatë përgatitjes së historisë së re do të angazhohem që ajo të jetë “Histori e hapësirës etnike shqiptare”.

Një metodë e re për studimet ilire

Ditën e dytë dhe të tretë Profesor Stipçeviq mbajti dy ligjërata: “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji – aspekti historik” dhe “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji – aspekti gjuhësor”.

Mbi dyqind vjet studime ilire janë kohë e gjatë dhe gjatë kësaj kohe janë arritur rezultate dhe sinteza të shumta, por kanë mbetur edhe shumë probleme pa u zbardhur, tha në fillim të fjalës së tij Profesor Stipçeviq. Metodat  klasike të studimit në shumë anë janë zbehur dhe nuk i përmbushin kërkesat shumë të komplikuara dhe të errëta të studimeve ilire.

Në këtë problem del në ndihmë një metodë shumë e përparuar dhe shumë e saktë e shkencave natyrore, e ashtuquajtura ADN, e cila përmes studimit të përcjelljes së molekulave ADN nga një organizëm në tjetrin pa ndërprerje dhe pa rrezik që gjatë përcjelljes të ndërrohen nga trupi në trup, arrin që me një përqindje të lartë të vërtetojë vazhdimësinë e një populli të ri nga një popull i vjetër.

Nëse deri më tash kjo vazhdimësi vërtetohej përmes hipotezave dhe trashëgimisë etno-kulturore, historike e gjeografike nga ilirët te shqiptarët, tani kjo mund të bëhet përmes kësaj metode me një saktësi shumë të lartë.

Me këtë metodë tani po punohet në disa shtete evropiane prandaj  i ftoj studiuesit shqiptarë që të angazhohen në zotërimin e kësaj metode për hulumtimet e tyre, tha Profesor Stipçeviq.

Pavarësisht prej premtimeve të metodave të reja të studimit, prof. Stipçeviq në ligjëratën e tij solli një pasqyrë të arritjeve të deritanishme në këtë fushë.

Ilirët kurrë nuk pranuan që gjuhën e tyre ta shkruajnë me shkronjat e pushtuesit

 Ajo që është me rëndësi të thuhet që në fillim, tha Profesor Stipçeviq, është se ilirët asnjëherë nuk mësuan të shkruajnë dhe të lexojnë shkrimin. 

Por edhe kurrë nuk e pranuan shkrimin grek që ta shkruajnë gjuhën ilire. Kështu ndodhi edhe kur u ndeshën me romakët. Janë disa shenja nga shekulli IV-V, por janë aq të parëndësishme saqë ato për ilirishten nuk thonë asgjë.

Sigurisht që për këtë ka edhe së paku një shpjegim: Ilirët kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj invadimit grek, prandaj grekët deri në shekullin e IV nuk arritën të futen thellë brenda territoreve shqiptare. Kështu ndodhi edhe me romakët.

Edhe kur u pushtuan nga romakët ilirët  shënuan gjuhën latine, por vetëm me shkronjat latine. Edhe sot ka shpesh shumë sensacione nëpër gazeta për shkrimin ilirik, por sensacionet janë sensacione ndërsa shkrim ilirik nuk ka. Është e vërtetë se ka emra ilirësh në gjuhën dhe shkrimin grek e latin, por jo edhe tekste.

Profesor Stipçeviq në këtë rast përmendi kontributin e Antun Majerit, i cili me fjalorin e tij për antroponimet ilire dha një ndihmesë të mirë për të bërë sinteza dhe rezultate të reja edhe për gjuhën e ilirëve. Prej rezultateve të tij është përfunduar se ilirët nuk e kanë njohur vetëm një gjuhë, por brenda Ilirisë kanë ekzistuar zona të caktuara dialektore e nëndialektore. Interesimit të prof.

Shefki Sejdiut për një krahasim të caktuar me gjuhët e tjera, sikur janë ato gjermanike, prof. Stipçeviq iu përgjigj se gjuha ilire pavarësisht nga gjuhët fqinje ka pasur karakteristikat e saja. Problemi për ne është të dimë ç’është gjuhë (dialekt) dhe ç’është kategori gjuhësore (politike). Pra ç’është kufiri gjuhësor-dialektor dhe ç’është kufiri gjuhësor politik.

Ne habitemi kur dëgjojmë se si disa gjuhëtarë të mëdhenj kanë sjellë teori të shumta në bazë të një materiali kaq të paktë. Nuk mund të flitet për ilirët unik. Mungesat janë aq të theksuara sa edhe vetë emri ilir, mendoj se është një totem.

Te hetitët, është një emër për gjarprin që quhet ilirianka, e hetitët sikur dihet janë popull indoevropian. Në këtë rrjedhë besoj se nuk është e rastit që në njërën prej trevave më konservatore të trojeve etnike shqiptare, në kryqe varresh janë gjetur simbole të kultit për gjarprin.

Një problem i rëndësishëm, por me shumë interes është mbetja ilire. Ne e dimë se sllavët kur erdhën në Ballkan nuk e okupuan krejt Ballkanin, por disa pjesë të tij.

E vërteta përveç Shqipërisë sllavët e sllavizuan gjithë Ballkanin, mirëpo ne për mesjetën kemi të dhëna për mungesën e sllavëve në Mal të Zi, Zagorie dhe Dalmaci. Tash ky problem duhet të zgjidhet nga shqiptarët. Studiuesit që në shekullin e kaluar kanë bërë përpjekje për të dhënë përgjigje në këtë problem, por ata nuk e njohën gjuhën shqipe dhe tërë prodhimtarinë leksikore të trashëgimisë së tyre.

Shqiptarët kanë sot fjalorin e tyre në dy vëllime dhe kur një ditë të mbledhin krejt pasurinë gjuhësore nga Shqipëria e deri në Dalmaci, atëherë do ta kenë fjalorin prej 20 vëllimesh dhe me këtë pasuri leksikore do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve në fushë të ilirishtes. Këtë ndihmë do ta jap edhe leksiku arkaik i arbneshëve.

Se në ç’nivel është ky leksik tregon shembulli i një fjale në Dalmaci, vesel, për të cilën mendohej se është sllave dhe vetëm kur u zbulua se ajo ishte e kohës romake, e në atë kohë nuk kishte sllavë në këto anë, atëherë u kuptua se fjala është për një fjalë arkaike shqiptare. Edhe unë vetë e kam ditur fjalën me gjallue, por ne vetëm para pak kohësh e kemi dëgjuar një fjalë që ishte ruajtur si relikt tek një grua: me jetue.

Duke komentuar rezultatet gjuhësore që flasin për një trashëgimi iliro-shqiptare, Profesor Stipçeviqi, dalloi një punë të mirë që ka bërë studiuesi i Institutit Albanologjik të Prishtinës dr. Rexhep Doçi në veprën Antroponimia e Llapushës (Prekorupës).

Prania e emrave ilirë në mesjetë në këtë vend dëshmon kontinuitetin e shqiptarëve këtu. Interesimit të Profesor Ruzhdi Ushakut për disa intenca që të na lidhin me gjuhë dhe popuj, sikur janë pellazgët, të cilët nuk i qëndrojnë metodës së studimit në rrethana të reja multidisiplinare, Profesor Aleksandër Stipçeviq iu përgjigj duke tërhequr vërejtjen se nuk e përjashtonte mundësinë që edhe më tutje linguistët të sjellin rezultate të reja gjatë studimit të relikteve gjuhësore, me të cilat merren sidomos në ilirishte, por kujtoi se rezultatet e reja kërkojnë metoda të reja studimi, e kjo është metoda interdisiplinare e studimit: arkeologji, antropologji, etnografi, toponimi etj.

Ka shumë politizime rreth kontinuitetit iliro-shqiptar dhe gjuhëtarët mund ta zgjidhin këtë problem. Ka teprime edhe në mesin e shqiptarëve.

Mua shpesh më pyesin shqiptarët: Teuta ishte mbretëreshë shqiptare apo jo? Jo, u them, ishte mbretëreshë ilire!, tha Profesor Stipçeviq.

Po ata kanë qenë të varfër apo të pasur më pyesin. Nuk e di, ju them, por nëse dëshironi të dini se a kanë ngrënë ilirët me lugë, atëherë shkoni dhe bënë gërmime në ato lokalite ku kanë jetuar që ta vërtetoni.

Nëse e gjeni lugën, kjo do të thotë se ilirët kanë ngrënë me lugë, e nëse nuk e gjeni atëherë kjo do të thotë se ilirët kanë ngrënë me dorë, përfundoi me humor Profesor Stipçeviq.

Shqiptarët kanë shumë miq në Kroaci

Sikur dihet, tash e tre shekuj arbëreshët jetojnë në Kroaci. Në Dalmaci dhe përgjithësisht rreth Detit Adriatik, arkivat janë të mbushura me plot dokumente për shqiptarët dhe shumë nga ato janë zbuluar e publikuar për periudhën që përfshihet së paku që nga mesjeta e këndej.

Ne e dimë tash se sa ka dhënë njerëz të mëdhenj kjo kohë: Gjin Gazullin, Andreja Aleksin, etj. Prandaj nuk është e rastit edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Malësia e Mbishkodrës në këtë vend. Sot këtu jetojnë arbëreshët dhe mbi 100 mijë shqiptarë, për të cilët në kushtetutën e ardhshme kroate do të rezervohet vendi i pakicës, ndërsa me këtë ata do të sigurojnë shumë të drejta.

Sa u përket arbëreshëve ata janë një oazë që po shuhet ngadalë. Po ndodh ajo që po ndodh me pakicat në gjithë Evropën. Arbëreshët askush nuk i nget që të harrojnë gjuhën, por sot vetëm brezi i moçëm e njeh arbërishten. Edhe në shtëpinë time flitet arbërishtja, por mjafton një kroat të jetë në mesin tonë dhe të gjithë e flasin kroatishten.

Studimet në fushë të albanologjisë nuk janë rastësi sot. Kërkimet për to kanë nisur 200 vjet më parë. Pas vitit 1918 kërkimet janë penguar dhe vetëm para tri vjetëve është hapur Katedra e albanologjisë.

Në Kroaci shqiptarët gjithmonë kanë pasur shumë miq. Nuk është fjala vetëm për Milan Shuflain, Çiro Truhelkën e ndonjë tjetër. Fjala është për një numër të madh punonjësish të shkencës, kulturës e politikës. Në mesin e tyre është edhe Stipe Mesiç, i cili në tubimet tona për Kosovën ka ardhur edhe atëherë kur nuk e ka obliguar aktiviteti politik apo shtetëror.

Po ju përkujtoj se në prag të luftës serbo-kroate unë bashkë me Branko Horvatin dhe gjuhëtarin e shquar Radosllav Katiçiq patëm inicuar formimin e Institutit Albanologjik, i cili do të quhej me emrin e Milan Shuflait.

Atëherë nuk u realizua kjo ide sepse filloi lufta, ndërsa tani presim vetëm momentin. Kemi gjetur edhe mbulesën institucionale: Fakultetin Filozofik. Janë përgatitur dy vepra të Milan Shuflait dhe është gati e treta, përfundoi Profesor Stipçeviq.

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: STUDIMET ALBANOLOGJIKE NË KROACI

Nga: Begzad Baliu

Republika e Kroacisë është një nga vendet e rëndësishme europiane, në arkivat e së cilës gjendet një pasuri e jashtëzakonshme e burimeve materiale e shpirtërore të popullit shqiptar.

Kjo është edhe arsyeja që në këtë vend janë vendosur shumë familje shqiptare në të gjitha periudhat kohore dhe kjo është arsyeja që ky vend ka dhënë shumë personalitete në fushë të albanologjisë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult