Alfonsina Storni: Të dua thellësisht dhe nuk dua të të puth… Më mjafton të të shoh afër…

Nga Alfonsina Storni


VI
Mbi të gjitha dua shpirtin tënd. Përmes vellos së mishit tënd e shoh shpirtin tënd të shkëlqejë në errësirë: më mbështjell, më shndërron, më ngop, më magjeps. Dhe atëherë ndjej se ekzistoj dhe flas, sepse po të mos flisja do të paralizohesha, zemra ime do të ndalonte së rrahuri, e verbuar do të thahesha e gjitha.

VII
Sa herë që largohem, ruaj në sytë e mi shkëlqimin e shikimit tënd të fundit. Dhe atëherë, vrapoj të mbyllem brenda, fik dritat, shmang çdo zhurmë që asgjë të mos më vjedhë as një atom të esencës qiellore të shikimit tënd, ëmbëlsinë e saj të pafundme, ndrojtjen e saj të kulluar, magjepsjen e tij të imët. Gjithë natën, me majat rozë të gishtave të mi, përkëdhel sytë që të shikonin.

IX
Të dua thellësisht dhe nuk dua të të puth. Më mjafton të të shoh afër, të ndjek lakoret që përvijojnë duart e tua, kur lëvizin, të dremit në transparencën e syve të tu, të dëgjoj zërin tënd, të shikoj si ecën ti, të mbledh frazat e tua.

*Marrë nga libri: POEMA DASHURIE (Në shqip: Bajram Karabolli)

ObserverKult


Lexo edhe:

PËRKTHYESI DHE PËRKTHIMI, NGA BAJRAM KARABOLLI