reklamë

Alfred Kaçinari: Festivali i Pranverës i dedikohet artistëve të rinj- pasi ata nuk janë të favorizuar

Pas më shumë se dy dekadash mungesë, Festivali i Pranverës rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 6 dhe 7 qershor, nën kujdesin e Radio Televizionit Shqiptar. Ky festival legjendar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës së lehtë shqiptare, vjen si një hapësirë e re për zërat e rinj dhe talentet që kërkojnë të shpërthejnë në skenë.

Drejtori artistik i Festivalit të Pranverës, kompozitori Alfred Kaçinari, thekson rëndësinë e festivaleve në zhvillimin e muzikës së lehtë dhe rolin e tyre si forcë lëvizëse për interpretuesit dhe krijuesit.

“Festivalet janë ngjarje shumë të rëndësishme në zhvillimin e muzikës së lehtë në Shqipëri. Festivali i Pranverës i dedikohet artistëve të rinj, pasi ata nuk janë të favorizuar. Të rinjtë janë të rëndësishëm në një festival, sepse janë ata që lëvizin ujërat. Pa RTSH nuk do të kishte muzikë të lehtë shqiptare,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ky institucion ka qenë për vite me radhë vendi ku regjistrohej dhe promovohej muzika, si dhe ku lindën festivalet që formësuan breza të tërë artistësh.

Në një intervistë për “Çasti i Duhur” në RTSH, kompozitori Kaçinari bëri të ditur se në dy netët e festivalit do të interpretohen rreth 18 këngë në natën e parë, ku një pjesë e tyre do të përzgjidhen për të vijuar në natën finale. Programi do të pasurohet edhe me këngë të njohura nga edicionet e mëparshme të Festivalit të Pranverës, duke sjellë një ndërthurje mes nostalgjisë dhe energjisë së brezit të ri.

“Festivali mund të zhvillohet me dy netë më 6 dhe 7 qershor në skenën e TKOB. Do jenë rreth 18 këngë që do të këndohen në natën e parë dhe një numër i tyre do seleksionohet për të vijuar natën e dytë. Do ketë të ftuar dhe këngë nga Koncertet e Pranverës nga e kaluara”, tha ai.

Duke folur për Orkestrën Simfonike të RTSH, Kaçinari e cilësoi si një nga gurët e çmuar të muzikës shqiptare, do të shoqërojë interpretimet, duke garantuar një nivel artistik të lartë dhe një përjetim të veçantë për publikun.

“Orkestra është një nga gurët e çmuar që ka RTSH dhe vetë Shqipëria, në këtë rast muzika simfonike dhe ajo e lehtë. Nuk është e lehtë të kesh një orkestër të atij standardi dhe cilësie. Për mua është një nga kënaqësitë më të mëdha puna me ta. Për këngëtarët është shumë e rrallë të kenë mundësinë të performojnë në nivele të tilla”, u shpreh Kaçinari. 

ObserverKult


Lexo edhe:

Mehmet Elezi: Çka e zvogëlon Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe?