Alfred Trebicka: Po më pyet a më dhemb shtëpia ime?

Pas rrënimit të Teatrit Kombëtar, ëndrra që kishin për një Teatër dinjitoz dukej më pranë se kurrë.

Mirëpo, në mbrëmje tringëllima e telefonave të tyre pasohet me heshtje… Luftar Paja, Altin Basha, Spiro Duni e të tjerë artistë që morën përsipër barrën për të “firmosur” peticionin e shembjes së Teatrit Kombëtar, në emër të një godine të re, këtë të diel nuk bëzajnë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar e lë zilen të bjerë më shkurt, duke e bërë fare të qartë se nuk do të përgjigjet.

Nga “Panorama” e telefonojmë disa herë, për t’i shtruar pyetjet: A e firmosi ai shembjen e Teatrit? Ku shkuan gardëroba, bobinat, objektet e tjera me vlerë që shqetësuan deri edhe kryetarin e bashkisë, Erjon Veliajn? A është e vërtetë që përmes një firme, ai i konsideroi ato si të pavlera? Nëse jo, a i dëmtoi fadroma që rrëzoi Hollin, ende pa u nxjerrë nga godina, nëse ato kanë dalë?

Hervin Çulit nuk i pëlqen të shkruajnë për të, pa e telefonuar, ndaj presim përgjigjet e tij, ndoshta pas prezantimit të projektit, meqenëse bashkë me Altin Bashën kanë qenë në komisionin e ndërmjetëm, ku e kanë parë e vlerësuar…

Madje, siç ai vetë tregoi, kanë parashtruar kërkesa kaq të larta, saqë bënë që dhe vetë firma “Fusha” të tërhiqet.

Edhe aktori e regjisori Artan Imami, një nga protagonistët e betejës për Teatër të ri, po në atë godinë, këtë diel është më i heshtur se zakonisht. “Nuk prononcohem, – thotë, – është një situatë e tillë, që nuk do të doja të bëhesha pre e zemërimit të njerëzve”.

imami

Peticioni i shembjes, nëse jo aktorët, kush janë autorët?! Emri i Robert Ndrenikës ishte i pari në peticionin e shpërndarë mbrëmjen e 15 majit.

Ndonëse në të kërkohet një Teatër i ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, “pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues”, pra, si rrjedhojë shembjen e godinës që ishte, aktori Robert Ndrenika, në një deklaratë për mediat, e ka mohuar të ketë firmosur.

“S’është për shembjen e Teatrit, e ke gabim. Unë kam vënë një firmë se dua të ndërtohet një Teatër i ri bashkëkohor,(në vend të atij që është) mirë mbase gjejnë një vend më të mirë e ta bëjnë atje, si të doni”, u shpreh ai.

Dhe me sa duket, nuk është i vetmi që kundërshton të ketë firmosur shembjen. Po aq e befasuar, prej këtij peticioni të ri u shprehe dhe aktorja Ema Andrea, e cila e kontaktuar nga “Panorama” , tha se fjalën e tyre, së bashku me kolegët, e kanë thënë në shkurt, por për peticionin e ri s’ka asnjë informacion.ema andrea

Aktorja tregoi më tej se qëndrimi i saj ishte për një Teatër të ri, por për këtë nuk ishte domosdoshmëri shembja e godinës, siç thuhej, edhe në emër të saj në peticion.

“E dua një të ri, për të rinjtë, se unë nuk kam më kohë. Por, sipas meje, me këtë punë nuk kanë pse merren artistët. Nëse ata pyeten a duan një shtëpi të re, sigurisht që do thonë se e duan një të tillë”, u shpreh aktorja.

Të tjerë emra në listë si aktori Aleks Seitaj, gazetarja Kozeta Kurti, duket se as ishin lajmëruar, që në emër të tyre do të kërkohej shembja e godinës “mëmë” të të gjitha institucioneve të Kulturës në Shqipëri, deri edhe të Akademisë së Shkencave.

“Nuk kam firmosur asnjë peticion. 2 vjet e gjysmë më parë jam shprehur në një artikull se dua Teatër të ri, por jo ta gjej me GPS, në një qendër tregtare. Pra, kundër PPP-së”, tha ajo. Po nëse aktorët nuk ishin në dijeni, atëherë kush janë autorët dhe mbledhësit e firmave kësaj here?

Po në 15 maj, “Panorama” ia shtron pyetjen aktorit Luftar Paja, i cili u shpreh se konfirmimin për Peticionin e ka bërë përmes telefonatës, pa treguar se kush ia kërkoi një gjë të tillë.

“E rëndësishme është që unë i kam thënë e firmosur. Ç’rëndësi ka se si dhe kujt ia kam dhënë konfirmimin”, u përgjigj aktori i irrituar.

Alfred Trebicka: Po më pyet a më dhemb shtëpia ime?

Ndonëse aktori Alfred Trebicka është një nga ata emra që iu shtua peticionit të artistëve, që parapriu shembjen e ku kërkohej një godinë e re, mbi rrënojat e të vjetrit, duket se pas rrëzimit të objektit nuk e ka fort të lehtë të flasë.

Për mënyrën se si u zhvillua ngjarja, imazhet tronditëse të Teatrit, ai thotë se “ishte e rëndë në pamje”. Sa i përket agresivitetit e dhunës ndaj kolegëve, gazetarëve, tronditjet që ata rrëfenin teksa fadroma shkundte Teatrin e tyre me ta brenda, e mandej shoqërimin në komisariat, thotë se nuk është në dijeni. “Nëse është bërë një gjë e tillë, është e gabuar, nuk e di s’kam informacion”, shton më tej.

Pamjet me Teatrin e rrëzuar duket se i ka parë përmes një materiali, por pyetjen se çfarë impakti i dhanë, nuk e pret mirë. “Çfarë impakti, e tmerrshme është, që të shembet një godinë. Po më pyet mua a më dhemb shtëpia ime?!”, shton më tej. Trebicka, bashkë me Robert Ndrenikën, Arben Derhemin e Altin Bashën kanë qenë ndër qëndrestarët e parë që prej shkurtit të 2018- ës, kur në debatin me Kumbaron për projektligjin e “Ligjit për artin dhe kulturën”, doli në pah një projektligj me PPP për Teatrin.

I mohuar nga Kumbaro dhe i pranuar nga Rama në 12 mars të 2018- ës, ndërsa prezatonte projektin fjongo të danezit Bjarke Ingels, projekti, sikundër PPP-të, bëri që debatit pro ruajtjes së godinës t’i shtoheshin dhjetëra specialistë të trashëgimisë, arkitektë, historianë, studiues, gazetarë etj.

Mirëpo, kur rezistenca ishte në kulmin e vet, gati e pathyeshme, në 28 qershor, një takim në tavolinë pa praninë e medias, me aktorët në fjalë e Veliajn, duket se e zbehu kauzën. Kjo edhe sepse kryetari i bashkisë, po pas kësaj, u shpreh se ishte arritur një marrëveshje me palët. Tre aktorët, më tej, i mëshuan faktit se kishin marrë prej tij premtimin për të mos u cenuar asnjë cm truall./ Panorama.al