Ali Jashari dhe Bahtijar Kryeziu sjellin Fjalorin e homonimeve

Foto ilustrim

Frut i një bashkëpunim mes një sutdiuesi nga Korça dhe një nga Kosova, pas një pune disavjeçare, prof. Ali Jashari (Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë), në bashkëpunim me prof. Bahtijar Kryeziun (Universiteti i Prishtinës), kanë hartuar këtë fjalor për homonimet në gjuhën shqipe.

Nga: Dr. Jani Thomai

Autorët Ali Jashari dhe Bahtijar Kryeziu kanë përballuar me sukses një nga proceset më të vështira në hartimin e një fjalori të tillë, siç është përcaktimi i kufirit që vë vetë specifika e lëndës së tij (në këtë rast koncepti shkencor për homoniminë si paradigmë leksikore), çka kushtëzon çfarë duhet përfshirë në fjalor e çfarë duhet lënë jashtë, sipas një prerjeje të pranuar nga autorët për vëllimin e fjalësit (e glosarit) dhe përbërjen e tij tipologjike.
Siç dihet, ndër tri paradigmat leksikore (homonimi, sinonimi, antonimi), homonimet, me formë të njëjtë, kanë kuptime të ndryshme (sinonimet kuptim të njëjtë, antonimet kuptim të kundërt) e kjo e bën më të vështirë identifikimin e tyre, sidomos dallimin nga polisemia.
Në këtë rast autorët janë ndihmuar duke i nxjerrë njësitë homonimike nga kontekste aktive në veprimtarinë gjuhësore, nga një shumësi shembujsh funksionalë prej një numri të madh e të larmishëm burimesh të shkruara në shtrirje të gjerë kohore, truallsore e ligjërimore, që nga Buzuku e deri më sot, nga fjalorë të shqipes, nga ligjërimet popullore ose të formuluara nga autorët etj., shembuj që i dëshmojnë këto njësi, me të gjitha vlerat e veçoritë e tyre, në veprimtarinë gjuhësore, në kodet, stilet, gjinitë e ligjërimet e gjuhës.

Proces i vështirë, hartimi i paragrafit leksikografik

Një proces i vështirë, i përballuar gjithashtu me sukses, ka qenë sidomos hartimi i paragrafit leksikografik, ku ngërthehen homonimet e mirëfillta me homoformat, homografet e homofonet, njësitë e përgjithshme me ato krahinore, njësitë e shqipes me të huazuarat, homonimet e mirëfillta me të prejardhurat nga shpërbërja e polisemisë, njësitë nga pjesë të ndryshme të ligjëratës etj.
Autorët Ali Jashari dhe Batijar Kryeziu kanë mundur të ndërtojnë çdo paragraf duke sendërtuar modele që mundësojnë paraqitjen sistemore të njësive të ndryshme leksikore me përbërje tingullore të njëjtë. Kështu ”Fjalori” e krijon mundësinë që kjo paradigmë leksikore të perceptohet në mënyrë modelore.
Me këtë merret me mend puna shumëvjeçare dhe e mundimshme e autorëve si për të grumbulluar gjithë lëndën, ashtu edhe për të përzgjedhur e për të vënë në sistem njësitë homonimike që përfshin ”Fjalori”.

Autorët, profesionist me formim adekuat

“Fjalori” dëshmon njëherazi se autorët e tij i njohin mirë parimet e përgjithshme e kriteret e veçanta për hartimin e fjalorëve.
Po kujtoj këtu që prof. Ali Jashari është tashmë një leksikolog i formuar, njihet si hartues i dy fjalorëve të botuar: “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe”, 2007, 420 faqe (me rreth 3 000 kalke e huazime frazeologjike, proverba etj., të përzgjedhura nga 32 000 skeda me njësi të vjela nga 430 vepra e nga shtypi) dhe
“Fjalor leksiko-frazeologjik i Devollit”, 2016, 620 faqe (me rreth 13 000 fjalë, njësi frazeologjike, emra njerëzish, emërvende, eufemizma etj.), dy vepra të arritura prej një pune të kujdesshme disavjeçare, të vlerësuara në gjuhësinë shqiptare për përmbajtjen, përpunimin e cilësinë shkencore.
Këto vepra e studime të tjera, si titullar për disa vjet i lëndës së leksikologjisë shqipe në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, si dhe tiparet e një kërkuesi të durimshëm, këmbëngulës e objektiv, ngjizën te prof. Ali Jashari një formim teorik të shëndoshë në këto fusha dhe përvojë shkencore të pasur në leksikografi, që japin siguri e besueshmëri për produktin e tij shkencor.
Edhe prof. Bahtijar Kryeziu, ish-pedaog i gjuhës shqipe në Institutim Pedagogjik të Gjilanit (Universiteti i Prishtinës), titullar i lëndës së leksikologjisë shqipe, studiues në dilektologji, onomastikë etj., bashkautor në ”Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe” (Prishtinë, 2008) dhe në “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”,
që po paraqitet për botim, ka formim teorik të mirë dhe e njeh lëndën e shqipes si studiues me përvojë.
Është rrjedhojë e këtyre që “Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe” të përmbajë në mënyrë implicite edhe sistemin teorik të zbatuar për homoniminë dhe për tipologjinë në homonimi. Zgjidhjet leksikografike jepen në pajtim me teorinë.

Shqipja ka më shumë homonime të mirëfillta

”Fjalori” dëshmon se, edhe për shkak të përputhjes së shkrimit me shqiptimin në gjuhën tonë, ndryshe nga gjuhë si frëngjishtja e anglishtja, shqipja ka më shumë homonime të mirëfillta a të plota sesa homofone, natyrisht edhe këto të pamunguara.

Ndërkaq, autorët, duke vlerësuar që homonimet, si fjalë me kuptime të ndryshme, kanë edhe valenca leksiko-semantike, shpesh edhe sintaksore, të ndryshme, i dëshmojnë homonimet në shqipe me kontekste, me shembuj togfjalëshorë ose fjali, të mjaftueshëm për të përligjur njëherazi shpjegimet, për të qartësuar më tej lidhjet homonimike dhe për të dhënë sintagmatikën a leksematikën e homonimeve.

“Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe” është i pari i këtij lloji në leksikografinë shqipe në këto përmasa e cilësi shkencore, që mëton të japë një pasqyrë sa më të plotë të kësaj klase të leksikut të shqipes. Kështu ai plotëson edhe një zbrazëti të dukshme në fushën e fjalorëve të veçantë të shqipes.

Vlerat e fjalorit


Vlerat e tij gjenden në gjithë përbërësit e makrostrukturës e të mikrostrukturës: te numri i madh i njësive homonimike që përfshin; te shënimet plotësuese; te rendi sipas lidhjeve leksiko-sematike e gramatikore në paragrafë homonimikë, çka e bën edhe më të dobishëm për ata që do ta përdorin; te shpjegimet e kuptimeve leksikore; tek ilustrimi me kontekste të larmishme, ku rroket edhe më mirë kuptimi e përdorimi i fjalëve homonime.

Me këto vlera ky fjalor synon t’u shërbejë pedagogëve e studentëve të filologjisë, mësuesve të gjuhës shqipe, shkrimtarëve e përkthyesve, publicistëve, studiuesve, të huajve që duan të mësojnë shqipen, si dhe gjithë atyre që duan të pasurojnë e të fuqizojnë komunikimin gjuhësor e kanë interesa për të ngritur kulturën gjuhësore.

Por është në natyrën e përsosmërisë dhe të çdo vepre në dorë të parë, që edhe ”Fjalori” të ketë ndonjë të metë dhe atij t’i shtrohen kërkesa të reja për cilësi më të lartë, që duhet e mund të ndreqen e të plotësohen, si:
mënjanimi i ndonjë varianti fonetik krahinor ose keqshqiptimor nga paragrafët me fjalë homonime gjegjëse (f.v. pajë për panjë);
ilustrimi me shembuj që përmbajnë të njëjtin variant fonetik në raste të domosdoshme për qartësi të lidhjes homonimike; dhënie e më shumë shembujsh më të plotë (e dëshirueshme) nga letërsia artistike (veçanërisht shembuj që përmbajnë lojë fjalësh a kalambure, të ndërtuara sipas mundësisë specifike të përdorimit leksiko-stilistik të homonimeve); njësim të plotë të paraqitjes së gjedheve etj.
I arrirë si fjalor homonimik, me këto përmasa e vlera, padyshim ai do të zërë vend të merituar në fondin e fjalorëve të shqipes, duke e pasuruar leksikografinë shqiptare me një vepër të re e me nivel shkencor bashkëkohor, të hartuar prej autorësh të njohur tashmë edhe si leksikografë./(shqiptarja.com)

LEXO EDHE: AKADEMIA E SHKENCAVE BOTON VEPRËN MADHORE TË ALEKSANDËR XHUVANIT ‘FJALOR I GJUHËS SHQIPE’