Aliçkaj, Dabishevci dhe Radulloviq në Kalimerën e sivjetme në Ulqin

kalimera poetike 44

Për të 30-tën herë me radhë, qyteti i Ulqinit mblodhi këtë verë, poetët, kritikët dhe dashamirët e fjalës së shkruar.

Në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit u mbajt edicioni i 30-të jubilar i manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”. Manifestimi i organizuar Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, zgjati tri net, nga 27 deri më 29 korrik.

Pas tre viteve, për shkak të pandemisë, “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” u rikthye në Kalanë e Ulqinit, në vendin ku dhe në kohën kur organizohet zakonisht.

Gjatë tri netëve u mbajtën mbrëmje autoriale me shkrimtarët Ylljet Aliçka, Donika Dabishevci dhe Dragan Radulloviq, tre autorë të veçantë e të dallueshëm për nga stili i të shkruarit, forma dhe tematika, te krijimtaria e të cilëve mishërohet më së miri letërsia si art i fjalës.

Mbrëmja e parë autoriale iu kushtua shkrimtarit shqiptar Ylljet Aliçka, i njohur për lexuesin e huaj po aq sa për atë shqiptar, letërsia dhe skenaret e të cilit ironizojnë absurditetin komunist dhe të transicionit shqiptar. Për krijimtarinë e tij ka folur studiuesja e letërsisë dhe pedagogia Prof. dr. Persida Asllani, kurse mbrëmja është udhëhequr nga shkrimtari Mark Lucgjonaj.

Mbrëmja e dytë autoriale i është kushtuar poetes Donika Dabishevci nga Kosova, një zë femëror i veçantë dhe i fuqishëm në letërsinë shqipe, e cila lirinë poetike e përdor për të thyer tabutë. Për krijimtarinë e saj ka folur poetja Vlora Ademi, kurse mbrëmja është udhëhequr nga profesori universitar dhe studiuesi i letërsisë Arben Prendi. Gjatë mbrëmjes vetë Dabishevci ka lexuar vargje të saj për publikun e pranishëm.

Dita e tretë e manifestimit ka filluar me përurimin e antologjisë “Kalimera rrëfen” në liqenin e Shasit. Në antologji janë përfshirë 21 autorë pjesëmarrës në “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ndër vite. Përzgjedhjen e ka bërë studiuesja e letërsisë Liridona Sinishtaj – Doçe, e cila ka shkruar edhe parathënien që i paraprinë antologjisë.

Edicioni i sivjetshëm ka përfunduar me mbrëmjen autoriale me shkrimtarin malazias Dragan Radulloviq, i cili letërsinë e sheh si pjesë e angazhimit të tij shoqëror. Në bisedë me poetin Enes Haliloviq, ai ka folur për krijimtarinë e tij dhe shumë çështje aktuale në fushën e letërsisë. Krahas letërsisë, publiku i pranishëm ka shijuar tingujt muzikorë të instrumentistëve nga Shkodra – Ares Fani në kitarë dhe Anton Kaftalli e Elvis Buraniqi në violinë.

“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre. Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj.

Ajo i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar.

Përgjatë viteve, në skenën e “Kalimerës Poetike” kanë parakaluar shumë shkrimtarë të shquar, pastaj piktorë akademikë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. Janë ata që me emrin dhe veprën e tyre kanë krijuar historinë e këtij manifestimi.

ObserverKult