Për Bujar Alimanin nuk është hera e parë, që filmat e tij nominohen për të përfaqësuar Shqipërinë në akademinë e çmimeve OSCAR. Nga “Amnistia” tek “Kromi” e për këtë vit tek filmi “Delegacioni” me skenar të të ndjerit Artan Minarolli, kineasti Bujar Alimani rrëfen emocionet e nominimit .
Ndonëse jeta edhe karriera e tij profesionale është e ndarë mes Shqipërisë edhe Amerikës, regjisori ndalet edhe tek disa nga problematikat më të mprehta të kinematografisë sonë, ndalet tek përpjekjet e artistëve shqiptarë përballë komerciales
“Është një gjë shumë e veçantë, sepse shënohet për herë të tretë, përzgjedhja e filmit tim në nominimet e shtetit për çmimet OSCAR. Është një ngjarje shumë e veçantë edhe nga ana personale. Nga ana tjetër mendoj se vet filmi e përfaqëson denjësisht këtë lloj nominimi. Këtë e them pas rrugës që ka bërë filmi, që është konsideruar më shumë se interesant edhe me vlera, nisur edhe nga çmimet që ka marrë, që nga Çmimi i Madh në Festivalin e Filmit në Varshavë”, shprehet Alimani.
Ndonëse krijuesit e mirëfilltë shqiptarë kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e komercialitetit në punën që bëjnë, për ta distribucioni i filmit është një nga problemet më të mëdha, që ka vendi ynë, sa i përket kinematografisë.
“Një problem shumë i madh yni mbetet distribucioni i filmit. ‘Delegacioni’ ashtu si shumë filma tanë shkon deri në katandisjen e një jave në një kinema, ku edhe aty ka pak spektator. Nga ana tjetër, jemi para dilemës që të bëjmë ne ato që do publiku, duke u helmuar në 30 vite apo të punojmë, që publiku të vijë tek ne, duke rezistuar që të bëjmë punë të tilla dinjitoze. Krijuesit shqiptarë kanë përzgjedh që të rezistojnë, duke mos shkuar drejt një kinemaje komerciale. Pasi pas viteve ‘90 ajo që e pësoi më shumë dihet që ishte arti, prandaj mendoj se ajo që duhet që t’i mëshojmë është hallka e industrisë së filmit, distribucioni. Ne që punojmë me filmin e bëjmë vet nga halli, por kudo në botë ekzistojnë industri që e bëjnë këtë. Ndërsa, kinematë ku çojmë filmin, nuk ka asnjë broshurë. Por ka diçka që nuk shkon, pasi ne po shkojmë në kinematë botërore edhe po vlerësohemi, ndërsa këtu jemi në një pikë zero,që ne duhet t’i mëshojmë më shumë”, shpjegon regjisori.
Për Këshillin Miratues të Projekteve në Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku tre anëtarë janë të huaj edhe dy shqiptarë, Alimani shprehet se: “Mendoj se kjo gjë është e mirë, duhet provuar pse jo. Nëse nuk funksionon, nuk funksionon, pasi ne në një botë eksperimentale jemi. Kosova ka pasur sukses, edhe përherë ka në bordin e saj të huaj. Nuk e di sa mund të cenohet këtu elementët e kinematografisë sonë kombëtare. Pasi ne synojmë kinemanë ndërkombëtare, duke pasur në thelb elementët kombëtarë. Megjithatë, një pjesë e madhe e kineastëve kemi vuajtur përzgjedhjen e bordeve nga shoqatat, prandaj ideja e një unioni e një shoqate të vetme më kineastë, do të mund që të na bënte edhe më të fuqishëm në atë që duam edhe kërkojmë”.
Subjekti i filmit “Delegacioni” është në të njëjtën vijë paralele me përpjekjet e Shqipërisë sot për të çelur negociatat në Bashkimin Europian. E për këtë, Alimani mendon se kineastët tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke qenë pararojë e drejtuesve të shtetit.
“Ne mendojmë se kinematografia jonë është në Komunitetin Evropian, ndihem pjesë e një kinematografie europiane. Ndihem i barabartë me shumë kolegë të mi në Evropë. Me unë nënkuptoj të gjithë kinesatët, që kanë tejkaluar këtë doganë edhe këtë lloj negociatash. Mendoni se sa i lokalizuar është teatri, piktura edhe muzika në këtë drejtim. Kështu që kinematografia është një tren i madh, që shkon me shpejtësi edhe kap shumë stacione të Europës”.
Kineasti Bujar Alimani është përzgjedhur edhe për të qenë anëtar jurie në Festivalin e Filmit në Varshavë./ shqiptarja