Alis triumfon në Fest 64, “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

Alis është fituesi i Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH.

Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me “Ta Kam Fal”, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Sheila me “Zemra e Tokës”.

Shkodra ka dhuruar sërish një yll të muzikës shqiptare. Këngëtari Alis triumfoi në Festivalin e 64-të të Këngës në RTSH me këngën “Nân”, duke siguruar të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë, Austri.

Interpretimi i tij u vlerësua për fuqinë vokale, origjinalitetin artistik dhe mesazhin universal të dashurisë, duke emocionuar publikun dhe jurinë njësoj. Momenti kulmor i natës finale u shënua nga ovacionet e gjata dhe duartrokitjet e zjarrta, ndërsa Alis shpërtheu në lot kur mori trofeun nga kryetari i jurisë, tenori Ramë Lahaj.

Në renditjen përfundimtare, Alis grumbulloi 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe jurisë. Pas tij u pozicionua Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa vendi i tretë iu dha Sheilës me 93 pikë. Juria profesionale e renditi Alis në krye, ndjekur nga Sheila dhe Vedat Ademi.

Ndërkohë, sjellim ndërmend se Eurovision 2026 pritet të ketë vetëm 35 shtete pjesëmarrëse, pas bojkotit të disa vendeve për shkak të pranimit të Izraelit. Ky është numri më i ulët që prej vitit 2003. Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda janë tërhequr, ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Moldavia rikthehen pas një pauze. Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa finalja e madhe më 16 maj në Vjenë.

EBU ka paralajmëruar një juri më të larmishme dhe rregulla të përmirësuara votimi, duke theksuar se konkursi duhet të mbetet një hapësirë neutrale për muzikën dhe bashkimin. Sakaq, së fundmi, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit, Nemo dhe fituesi irlandez i vitit 1994 kanë dorëzuar trofetë e tyre.

ObserverKult