Alisa Bekteshi: Etjen ma hiqte puthja jote

Asnjë pikë ujë s’e kisha pi at’ ditë se etjen ma hiqte puthja jote.

Kur duart e mia preknin kokën tânde, ngrohtësia e shpirtit mâ mbështillte trupin. Pastaj veç sytë i mbyllja e hyja në botën tânde e shihja ândrrat tua. K’ceja lumin që na ndante prej realitetit e n’fund e shihja se realitet kish’ edhe n’ândrra.

Se lumi për ne ish’ veç pikënisje e shëtitjeve të gjata mbi njâni – tjetrin… Mbi fjalët e tua rridhnin tinguj të dâshnisë që ishte bâ kohë e gjatë që s’ia kishe thënë dikujt.

E ktu, bash n’këtë çast zemra m’rrihte shpejt. Të shihja ty duke m’shiku në sy e duke e përcjell me nga një fjalë përkëdhelëse sa që edhe zemra donte t’më pëlciste prej vendit, e unë nuk ta thoja.

Veç e ndieja vetën t’sigurt. Kur filloje të flisje, mbi zânin tând unë ecja krejt lirshëm,e ndieja se krejt botën n’dorë e kisha.

S’kish tjetër pos duarve që preknin kokën tânde e prej aty ngrohtësia e shpirtit tând m’i dhuronte edhe ândrrat mâ të mira me sy çelun. Veç për ty m’flisnin…